Kërko

2018.02.14 Papa Francesco Basilica di Santa Sabina all'Aventino 2018.02.14 Papa Francesco Basilica di Santa Sabina all'Aventino 

Kalendari i kremtimeve të kryesuara nga Papa në muajt mars e prill

Është shpallur kalendari i kremtimeve liturgjike që kryesohen nga Papa në muajt mars dhe prill. Përveç riteve tradicionale të Kreshmëve dhe Pashkëve, kujtohen Ushtrimet shpirtërore në Ariccia për Kurien romake dhe udhëtimi apostolik në Marok

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku do të fillojë, sivjet, Kreshmët më 6 mars, të Mërkurën e Përhime, me "statio" –“ndalesën” tradicionale dhe procesionin pendestar nga Kisha e Shën Anselmit - në ora 16:30 – deri në Bazilikën e Shën Sabinës, ku në ora 17:00 është në program kremtimi i Meshës me bekimin dhe vendosja e hirit. Njoftimin e dha Salla e shtypit e Selisë së Shenjtë, duke shpall kalendarin e kremtimeve liturgjike do të kryesohen nga Papa në muajt mars e prill.

Të dielën më 10 mars, bie e diela e parë e Kreshmëve, e këtë ditë në Ariccia fillojnë ushtrimet shpirtërore për Kurien Romake, në të cilat marrin pjesë Papa, kardinajtë dhe zyrtarët tjerë të Kuries Romake, deri më 15 mars.

Të premten më 29 mars, në bazilikën e Shën Pjetrit, është në program, në orën 17:00, kremtimi i pendesës. Muaji i marsit, për Papën, do të përfundojë të shtunën më 30 dhe të dielën më 31 me udhëtimin apostolik në Marok.

Me Javën e Shenjtë ose Javën e Madhe, siç quhej në shekullin IV në Egjeri e siç quhet edhe sot e kësaj dite edhe ndër shqiptarë – përfundojnë Kreshmët dhe hyjmë në kremtimet e Pashkëve.  Në Javën e Madhe të Pashkeve, Kisha kremton misteret e shëlbimit: vepër e shpërblimit të kryer nga Jezu Krishti i cili, duke vdekur, e shkatërroi vdekjen e, duke u Ngjallur, na dha përsëri jetën ne të gjithëve.

Ritet e kohës së Pashkëve do të fillojnë me Javën e Madhe e të Shenjtë më 14 prill, të Dielën e Larit a të Palmave dhe me përkujtimin e kremtimin e mundimeve të Jezu Krishtit Zot, gjatë Meshës që Papa do të kremtojë në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Të Enjten e Madhe të Pashkëve, më18 prill do të fillojë Treditëshi i Shenjtë i Pashkëve, në orën 9:30 paradite, është në program kremtimi i Meshës së Bagmit (Krizmës) që kryeson Papa Françesku në bazilikën e Shën Pjetrit. Nuk dihet akoma vendi ku do të kremtohet Mesha e Darkës së Mbrame të Jezusit me Apostujt dhe riti i zakonshëm i larjes së këmbëve.

Të Premten e Madhe të Pashkëve, më 19 prill, janë në program dy kremtime: pasdite në ora 17:00, në Bazilikën e shën Pjetrit Kremtimi i Mundimeve të Jezu Krishtit Zot dhe në ora 21:15, pranë amfiteatrin romak Kolloseut do të t’i prijë Udhës së Kryqit të Jezu Krishtit.

Të Shtunën e Madhe të Pashkëve, më 20 prill, kremtimi i riteve liturgjike të Natës së Shenjtë të Pashkëve, që kryeson Papa, në Bazilikën e Shën Pjetrit, do të fillojë në 20:30.

Të nesërmen më 21 prill, të Dielën e Pashkëve,– Ditën e Ngjalljes së Jezu Krishtit Zotit, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në ora10:00, Papa do të kremtojë Meshën e Pashkëve, për të vijuar - në ora 1200 – nga lozha qendrore e bazilikës së Vatikanit, me bekimin apostolik tradicional  "Urbi et orbi" – “Qytetit e botës”.

 

26 shkurt 2019, 15:37