Kërko

 Takimi kushtuar "Mbrojtjes së të miturve" në Vatikan Takimi kushtuar "Mbrojtjes së të miturve" në Vatikan 

Në ndihmë të ipeshkvijve, “Kodi i sjelljes”, për kthesën e detyrueshme

Punimet e ditës së parë të takimit në Vatikan, kushtuar mbrojtjes së të miturve, në relacionin e tretë kishin si temë: “Përgjegjësia e ipeshkvit. Të përballohen konfliktet dhe tensionet, duke vepruar me vendosmëri” e mbajti kardinali Rubén Salazar Gómez, kryeipeshkëv i Bogotasë.

R. SH. - Vatikan

Relacioni i kardinalit Salazar Gómez ishte përpjekje për t’i dhënë përgjigje pyetjes kryesore, përballë krizës, që po jeton Kisha nga shkaku i shpërdorimeve seksuale: “Cila është përgjegjësia e ipeshkvit, në këtë situatë?”. Por, për kardinalin Salazar Gómez, është e nevojshme, së pari, të shkohet tek rrënja e krizës që - theksoi - quhet klerikalizëm. E kjo do të thotë “shtrembërim i domethënies së shërbimit kishtar, shndërrim i tij në mjet për të imponuar forcën, për të dhunuar ndërgjegjen dhe trupat e njerëzve më të ligshtë”; “mënyrë e deformuar e kuptimit të autoritetit të Kishës”- siç e quajti Françesku në Letrën drejtuar Popullit të Zotit, gushtin e kaluar. Sipas Hirësisë së Tij, duhet ndryshuar mendësia, duhet bërë kthesë, duhet përkim i plotë ndërmjet fjalëve dhe veprave. E, të parët që duhet ta bëjnë këtë kthesë, duhet të jenë pikërisht ipeshkvijtë.

Ipeshkvi nuk mund të jetë bari, që i braktis delet

Kardinali Salazar nënvizoi, siç ka bërë disa herë Kisha, se nuk ka ditur të sillet si duhet me ipeshkvijtë e tij, për t’i bërë ballë me shpejtësi e vendosmëri krizës, shkaktuar nga abuzimet. Foli për ipeshkvijtë, si flitet për barinjtë që, përballë ujkut, ikin, duke e braktisur grigjën në gojë të bishës. Shpjegoi se mund të iket në një mijë mënyra: duke i bërë në asgjë  denoncimet e marra, duke mos i dëgjuar viktimat, duke e shpërfillur  dhimbjen e tyre e dëmet e pësuara, duke u mjaftuar me transferimin e  fajtorëve e, akoma më keq, duke e blerë heshtjen! “Duke vepruar në këtë mënyrë - theksoi - manifestojmë qartë mendësinë klerikale, që i kupton së prapthi dhimbjen e viktimave dhe kërkesat e drejtësisë. Përpiqet, kështu, ta zgjidhë çdo çështje brenda mureve të institucionit, duke e konsideruar  bashkëpunimin me drejtësinë, si ndërhyrje në punët e brendshme”.

Mediat e ndihmuan Kishën: duhet konkretësi e dëgjim

Mediat e ndihmuan Kishën ta përballojë krizën - kujtoi kryeipeshkvi i Bogotasë - duke cituar, në vijim, fjalët e Papës, shqiptuar në Fjalimin  drejtuar Kuries Romake në prag të Krishtlindjes: “Dëshiroj t’i falënderoj  mediat… që u përpoqën t’ua çjerrin maskat këtyre ujqërve të uritur e t’u japin zë viktimave. Kisha kërkon të mos heshtet e të dalin në dritë të gjithë shkandujt, sepse shkandulli më i madh në këtë ngjarje, është fshehja e së vërtetës”. Më pas  kardinali Salazar kujtoi se ipeshkvi nuk është vetëm, ka përreth kolegjin ipeshkvnor, të gjithë pasardhësit e apostujve, të kryesuar nga autoriteti i pasardhësit të Shën Pjetrit, pa harruar të nënvizojë edhe përgjegjësinë e ipeshkvit ndaj priftërinjve e rregulltarëve e duke theksuar  se duhen dëgjuar e, nëse provohet faji, duhen ndjekur në udhën e kthesës, sepse edhe të drejtat e fajtorit duhen mbrojtur.

Përgjegjësia e ipeshkvit ndaj Popullit të Zotit

Kardinali i Bogotasë e përfundoi fjalën e tij  duke theksuar përgjegjësinë e ipeshkvit ndaj Popullit të Zotit. Shumica e katolikëve - nënzoi - identifikohet me priftërinjtë e me rregulltarët,  prej këndej, duhet  treguar afërsi e madhe me besimtarët, sidomos me viktimat, larg mendimit se gjëja e parë që duhet bërë, është zhdëmtimi i tyre ekonomik. Nuk mjafton! E kemi për detyrë - vijoi kardinali Salazar -  të ofrojmë të gjitha mjetet e nevojshme, shpirtërore, psikologjike, psikiatrike e shoqërore, për rikthimin e tyre në jetë.

Kriza do të sjellë risimin e Kishës

Në përfundim, duke cituar fjalët e Shën Gjon Palit II drejtuar kardinajve amerikanë në vitin 2002, kardinali Salazar, shprehu besimin se kjo krizë do të sjellë risimin e  Kishës: “Dhimbjet e shumta e pakënaqësitë e shumta duhet të sjellin një meshtari shenjte, një episkopat më shenjt e një Kishë më shenjte”.

22 shkurt 2019, 13:48