Kërko

Papa Françesku në FAO, në vitin 2017 Papa Françesku në FAO, në vitin 2017 

Imzot Arellano: Papa në IFAD, për të mos harruar të varfërit e botës

Gjithçka gati në IFAD - agjencia e OKB-së për Zhvillimin Bujqësor, me seli në Romë - për vizitën e nesërme të Papës Françesku, i cili do të përurojë Takimin dyditor mbi sipërmarrjen dhe zhvillimin teknologjik në zonat rurale të vendeve më të varfra të botës. Intervista jonë me Vëzhguesin e përhershëm të Selisë së Shenjtë në FAO, IFAD dhe PAM.

R.SH. - Vatikan

Nesër paradite, Papa Françesku do të hapë sesionin e 42-të të Këshillit Drejtues të Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor (IFAD), agjenci e Kombeve të Bashkuara, e pranishme në 181 vende të botës. IFAD punon në dobi të popullsive më të varfra të fshatit, për rritjen e sigurisë dhe të cilësisë së ushqimit, për t’i udhëzuar si të kenë të ardhura më të larta dhe si t’u përshtaten e t’i përballojnë sfidat e ambientit dhe të shoqërisë.

Risimi, të rinjtë dhe sipërmarrjet

Për arsye vendi, ceremonia e përurimit do të mbahet në selinë e FAO-s. Në të do të marrin pjesë edhe presidenti i Republikës Domenikane, ministri i Bujqësisë së Ruandës dhe kryeministri italian. Më pas, puna do të vazhdojë në sesione të veçanta, ku do të flitet për rinovimin teknologjik dhe sipërmarrjen, duke u përqendruar në investimet në favor të të rinjve të zonave rurale, me synim uljen e emigracionit nga Afrika. Takimi, që vijon deri më 15 shkurt, përfshin edhe paraqitjen e një fondi të ri për të stimuluar investimet në zonat rurale të vendeve në zhvillim, që të ndihmohen bizneset e vogla dhe të krijohen vende pune.

Çfarë pritet nga Papa Françesku?

Të gjitha këto janë tema qendrore në magjisterin e Papës Françesku, i cili, me fjalimin e tij të nesërm në IFAD, plotëson vizitat në agjencitë e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë me seli në Romë, pasi pati folur në FAO, në nëntor 2014 dhe në tetor 2017 dhe, pas vizitës në Pam, në qershor2016.

“Fjalët e Papës priten me padurim”, deklaron për Vatikan News, imzot Fernando Chica Arellano, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në FAO, IFAD dhe PAM. Ati i Shenjtë “do të na ndihmojë të theksojmë se dialogu, bashkëpunimi dhe solidariteti duhet të fuqizohen, përndryshe do të zgjerohet gjithnjë e më shumë fronti i indiferencës dhe bota nuk do të shkojë më përpara”. Në fjalët e imzot Chica Arellano, jo vetëm rrënjët e institucionit të IFAD-it, por edhe lidhja e fortë që kanë pasur me të Selia e Shenjtë dhe Papa Pali VI, që nga lindja e tij, në vitin 1977:

IFAD, agjencia e themeluar më 13 dhjetor 1977, është një institucion financiar ndërkombëtar, që synon të rritë prodhimin bujqësor dhe ushqimor, duke e ngritur kështu nivelin e jetesës së përfituesve të programeve të saj. Prandaj, financon programe zhvillimi - dhe kjo është shumë e rëndësishme - për më të varfërit e të varfërve në botë, të cilët jetojnë në zonat rurale apo fshatare: është fjala për 70% të popullsisë së botës, shpesh e harruar, por me shumë nevojë për ndihmë. Selia e Shenjtë ka treguar interes për IFAD-in që në fillim: të mos harrojmë se që nga viti 1964, shën Pali VI i bëri thirrje botës të krijonte një fond - mundësisht duke marrë fonde nga investimet për armatimet - për t’ia kushtuar të varfërve të botës, për të financuar projekte që ofrojnë shërbime dhe mjete, si për shembull, fara, vegla, plehra, sisteme për ujitje, depo për prodhimet, infrastruktura etj.. Pra, Selia e Shenjtë e ndjek vazhdimisht këtë fond, pasi është e bindur se duhen ndihmuar të varfrit e tokës.

Kjo vëmendje për të fundmit, për të drejtat e njerëzve, për bashkëpunimin, si edhe respekti për tokën, janë tema shumë të dashura për Papën Françesku. Natyrisht, do të jenë në qendër të fjalëve të Atit të Shenjtë, apo jo?

Janë tema, që i kanë interesuar gjithmonë, që kur ishte i ri. E pastaj, të mos harrojmë se gjatë vizitës në IFAD, Papa do të takohet edhe me indigjenët, sepse njëkohësisht, mbahet edhe Takimi IV Botëror i Forumit të Indigjenëve, mbledhur pikërisht nga IFAD-i. Përveç kësaj, në tetor të këtij viti, do të mbahet Sinodi për Amazonën. Prandaj, këto janë tema, që Papa Françesku i ka gjithnjë në mendje, pasi u qëndron pranë të varfërve të kësaj bote. Zonat e fshatit janë shpopulluar, pasi të rinjtë largohen. Duhet investuar në formimin e të rinjve, u duhen dhënë atyre teknologjitë, që ta punojnë tokën me metoda të reja, të cilat e bëjnë atë të lulëzojë si duhet, pa e prishur ambientin.

13 shkurt 2019, 14:43