Kërko

 Grurë Grurë  

Leksiku Papnor - reflektim për fjalët e Françeskut grurë - e egjër

Vijojmë të prekim plagët e Kishës - e sidomos - të kujtojmë përpjekjen për t’i zbuluar e për t’i shëruar, duke ecur pas Papës Françesku e duke medituar fjalët e tij, shqiptuar para Kuries Romake, me rastin e urimeve të Krishtlindjes…

R. SH. - Vatikan

Vijojmë të prekim plagët e Kishës- e sidomos -  të kujtojmë përpjekjen për t’i zbuluar e për t’i shëruar, duke ecur pas Papës Françesku e duke medituar fjalët e tij, shqiptuar para Kuries Romake, me rastin e urimeve të Krishtlindjes…

Ndërmjet disa plagëve, nga të cilat vuan Kisha, kujtuar nga Ati i Shenjtë në atmosferën e Krishtlindjes, duke i folur Kuries Romake, e përmes saj, të gjithë besimtarëve, është edhe edhe plaga e pabesisë. Françesku flet për pabesinë e atyre, që tradhtojnë thirrjen, betimin, misionin, kushtimin Zotit e Kishës; që fshihen pas ndjeteve të mira, për t’u ngulur, pastaj, thiken pas shpine vëllezërve. Duke mbjellë grindje, duke krijuar përçarje e përbaltje. Njerëz, që gjejnë gjithnjë justifikime, edhe logjike, e doemos shpirtërore, për ta vijuar pa u trazuar fare, rrugën e humbjes.

E kjo nuk është gjë e re në historinë e Kishës. Shën Agostini, duke folur për grurin e egjrën, pohon: “Besoni, ndoshta, vëllezër, se egjra nuk mund të ngjitet deri tek katedrat  ipeshkvnore? Besoni se grinden vetëm njerëzit e zakonshëm? Dashtë Zoti të mos jemi egjër! Gruri e egjra mbijnë kudo. Edhe në bashkësitë, ku besohet se duhet të ketë vetëm grurë!”.

Këto fjalë të Shën Agostinit na kujtojnë shprehjen kuptimplote popullore: “Udha drejt ferrit është e  shtruar me kalldrëm ndjetesh të mira”.

Na ndihmojnë, kështu, të kuptojmë se “Tunduesi”, “Akuzatori i madh”, përçan, duke mbjellë egjër, në arën e grurit…

E, siç e na e kujton edhe jeta jonë e përditshme:

pas bujqëve që mbjellin egjër,  fshihet gjithnjë pabesia:

dëshira për t’u dukur në  faqet e para të gazetave;

për të zënë gjithnjë vendet e para;

për t’u ulur në tryezat, prej nga nisen urdhërat, që shpesh shkatërrojnë jetën e miliona njerëzve

Duke harruar se institucionet nuk janë të forta, kur bien në dorë të njerëzve të përkryer, por të njerëzve që dëshirojnë të pastrohen gjithnjë, që i pranojnë gabimet, që mundohen t’i ndreqin, që kanë aftësinë të ngrihen përsëri në këmbë, pas rrëzimeve. Me dëshirën për ta parë Dritën e Krishtlindjes, që niset nga grazhdi i Betlehemit, përshkon shtigjet e pafundme të historisë e arrin deri në ditët tona, në jetën tonë, për të  na ndriçuar. E, sidomos, për të na kujtuar “Zotin e madh, që bëhet i vogël - jo njeriun e vogël, që kërkon të bëhet i madh, me çdo kusht!”. E në këtë përpjekje, maska e “njeriut të vogël, që do të duket i madh”, bie. E del përsëri në skenën e njerëzimit, fytyra e Judës Iskariot.

02 shkurt 2019, 12:45