Vatican News
 Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme  (Vatican Media)

Françesku në audiencë: “Krishti është më i fortë se e keqja”

Papa ia kushtoi katekizmin e kësaj së mërkureje, së parës nga shtatë thirrjet e Atynës: “U shenjtëroftë emri yt”. Është një nga etapat e ciklit propozuar nga Françesku në audiencat e përgjithshme të kësaj periudhe, për të rikujtuar fjalët e lutjes, që na e mësoi vetë Jezusi.

R. SH. - Vatikan

Në thirrjen “u shenjtëroftë emri yt” të Atynës, ndjehet fuqimisht gjithë admirimi i Jezusit për bukurinë dhe madhështinë e Atit. E edhe dëshira që të gjithë ta njohin e ta duan, “ashtu siç është në të vërtetë”. Këtë theksoi Papa - duke shtuar se kjo është edhe thirrje që emri i Tij të shenjtërohet në ne, në familjen tonë, në bashkësinë tonë, në mbarë botën. Është thirrje,  e cila i drejtohet Zotit, që shenjtëron, që shndërron me dashurinë e tij, pa harruar se, njëkohësisht, jemi ne që, me dëshminë tonë, e manifestojmë  shenjtërinë e Zotit në botë, duke e bërë të pranishëm Emrin e Tij. Zoti është i shenjtë, por nëse jeta jonë nuk është e shenjtë, jemi para një inkoherence të madhe - kujtoi Papa - “Shenjtëria e Zotit duhet të pasqyrohet në veprat tona, në jetën tonë”. “Unë jam i krishterë e Zoti është shenjt, po megjithëkëtë, s’lë gjë pa bërë”: kjo sjellje duhet shmangur, bën keq, shkandullon, nuk ndihmon” - theksoi fort Papa.

Audienca, që në muajt e dimrit zhvillohej në Sallën  Palit VI, sot doli përsëri në Sheshin e Shën Pjetrit. “Duket se dimri po shkon e  prandaj edhe u rikthyem në Shesh” - kujtoi me gëzim Papa, duke i  uruar, në vijim, besimtarët e shtegtarët e shumtë: “Mirëserdhët në Shesh”. Ishte një mirëseardhje drejtuar sa besimtarëve, aq pranverës, që gjithashtu ndiqte katekizimin, ndërmjet Shtyllave të Berninit.

Françesku, që vijon t’i kushtojë një cikël katekizmi lutjes së mësuar nga vetë Jezusi, vërejti në vijim se “çdo lutje e krishterë, madje çdo lutje njerëzore, përbëhet nga njëra anë, nga kundrimi i Zotit, misteri i Tij, bukuria dhe mirësia e Tij, e, nga ana tjetër, nga sinqeriteti e kërkimi guximtar i asaj, që duhet për të jetuar, e për të jetuar mirë. Kështu, në thjeshtësinë e në  thelbin e saj, “Atyna”  e edukon njeriun që lutet të mos shtojë fjalë të kota - vijoi Françesku - sepse, ashtu si na e kujton vetë Jezusi - “Ati juaj e di mirë për çka keni nevojë, para se t’ia keni kërkuar!”. Kur flasim me Zotin, nuk e bëjmë këtë për t’i treguar çka kemi në thelb të zemrës. Nuk është nevoja! Ai e di më mirë se ne! Sepse Ai di t’i lexojë zemrat. Nëse Zoti është mister për ne, ne nuk jemi enigmë para syve të Tij. Zoti - nënvizoi Papa - i ngjet atyre nënave, të cilave u mjafton një shikim i vetëm, për ta kuptuar gjithçka bluajnë në mendje fëmijët. E kuptojnë menjëherë nëse janë të kënaqur apo të trishtuar, të sinqertë apo tinzakë,  nëse flasin me zemër në dorë, apo fshehin diçka…

Papa vërejti akoma se:

“Jezusi, në predikimin mbi mal, menjëherë pasi u pati mësuar dishepujve ‘Atynën’, na nxit të mos shqetësohemi e të mos dihasim për  të plotësuar nevojat materiale. Të duket sikur jemi para një kontradikte. Një herë na mëson ta kërkojmë bukën e përditshme, e më pas thotë: ‘Mos u shqetësoni’. E mos pyesni: ‘Çfarë do të hamë? Ç’do të veshim?’ Po kontradikta është vetëm në dukje! Pyetjet e të krishterit shprehin afërsinë me Atin. E pikërisht ky mirëbesim, kjo afërsi, na shtyn t’i lutemi të na japë çka na duhet, ëmbëlsisht, pa ankth e pa droje. Për këtë i drejtohemi me fjalët ‘u shenjtëroftë emri yt’”.

Shenjtëria e Zotit, forcë në përhapje

Shenjtëria e Zotit - sipas Papës - është forcë në rritje, në përhapje, e ne i lutemi t’i shembë sa më shpejt muret e botës sonë. Aq e vërtetë kjo, sa kur Jezusi nis të predikojë, “shpirtrat e këqij e pyesin të tmerruar: ‘Çka do prej nesh, Jezus i Nazarenit? Erdhe për të na rrënuar? Unë e di kush je ti: ‘Shenjti i Zotit’”. Shenjtëria e Jezusit zgjerohet me rrathë koncentrikë, ashtu si rrathët që formohen kur hidhet ndonjë gur në ujë. E keqja i ka ditët të numëruara. E keqja nuk është e përjetshme. Nuk mund të na dëmtojë: sepse erdhi burri i fortë, që e mori në dorë shtëpinë e vet. Erdhi Jezusi, që na jep edhe ne forcë ta marrim në dorë shtëpinë tonë shpirtërore. E të mos  lëkundemi më në mjegullën e paqartësisë. Para syve tanë gjithçka bëhet krejt e qartë. Zoti më do. Jezusi dha jetën për mua. Shpirti i Tij Shenjt është brenda shpirtit tim! Një gjë e kam krejt të qartë: e keqja ka frikë. E kjo, për mua, është  e bukur!

27 shkurt 2019, 14:09