Kërko

2019-02-08-membri-missionari-d-africa-e-missi-1549622086436.JPG

Françesku, misionarëve të Afrikës: të jeni endacakë për Ungjillin

Papa Françesku priti në audiencë, në Sallën Klementine, anëtarët e Shoqatës së Misionarëve të Afrikës dhe të Kongregatës së Motrave Misionare të Zojës së Afrikës, me rastin e 150-vjetorit të themelimit nga kardinali Charles-Martial Allemand Lavigerie.

R.SH. - Vatikan

Rrënjët tuaja përcaktohen nga misioni “ad extra”, kudo nëpër botë; e keni në ADN. Kështu u tha Papa Françesku anëtarëve të Shoqatës së Misionarëve të Afrikës dhe të Kongregatës së motrave misionare të Zojës së Afrikës, të cilët i priti sot në Vatikan. Në 150-vjetorin e themelimit të tyre, Ati i Shenjtë i ftoi “ta mbajnë vështrimin e ngulur në Jezu Krishtin, për të mos harruar kurrë se misionari i vërtetë është, së pari, dishepull”. Papa shprehu mirënjohjen për shërbimin e tyre në Kishë, sipas shembullit të themeluesit, kardinalit Charles-Martial Allemand Lavigerie, kryeipeshkëv i Algjerit.

         Në dritën e udhës së bërë deri tani, duke u nisur që nga themelimi, ju e dini se kumtimi i Ungjillit nuk është sinonim i prozelitizmit; është dinamikë, që ju nxit të bëheni të afërt me të gjithë, në mënyrë që ta ndani me ta dhuratën, takimin e dashurisë, i cili ju ka ndryshuar e ju ka bërë t’ia kushtoni jetën Zotit tonë Jezu Krisht, Ungjillit, për jetën dhe shpëtimin e botës.

Të jeni endacakë për Ungjillin

Familja e madhe “Lavigerie” është përgatitur me kujdes për kremtimin e këtij jubileu, gjatë tre viteve të fundit. Papa u kërkoi ta kultivojnë çdo ditë lidhjen shpirtërore me Zotin, përmes dëgjimit të Fjalës së Tij, Sakramenteve dhe shërbimit ndaj nevojtarëve. Çdo gjest, u tha misionarëve dhe murgeshave, të jetë dëshmi e qartë e “dashurisë” dhe e “mëshirës” hyjnore.

Kremtimi i jubileut tuaj ju ndihmoftë të bëheni “endacakë për Ungjillin”, burra dhe gra, që nuk kanë frikë të shkojnë në shkretëtirat e kësaj bote dhe të kërkojnë së bashku mjetet për t’i shoqëruar vëllezërit deri në atë oazë, që s’është tjetër, veçse Zoti, në mënyrë që uji i gjallë i dashurisë së Tij t’ua shuajë krejtësisht etjen.

Ndërtues urash dhe dëshmitarë të kulturës së takimit

         Para “formave të sotme të skllavërisë”, Papa Françesku i ftoi trashëgimtarët shpirtërorë të kardinalit Lavigerie të bëhen “të afërt me të vegjlit e me të varfërit, me ata që presin, në periferitë e shoqërive tona, t’u njihet dinjiteti, të dëgjohen, të mbrohen, të rimëkëmben, të shoqërohen, të promovohen e të integrohen”.

         Shpirti Shenjt iu shndërroftë në ndërtues urash ndërmjet njerëzve. Aty ku ju ka dërguar Zoti, të kontribuoni në shtimin e kulturës së takimit, të jeni në shërbim të një dialogu, i cili, duke respektuar ndryshimet, di të nxjerrë pasuri nga larmia e të tjerëve. E ju falenderoj veçanërisht për punën, që keni bërë në favor të dialogut me Islamin, me motrat dhe me vëllezërit myslimanë.

08 shkurt 2019, 12:56