Cerca

Vatican News
 Dacca: pallatet në flakë Dacca: pallatet në flakë  (AFP or licensors)

Dhimbja e Papës për zjarrin, rënë në Daka, që u kushtoi jetën të paktën 80 vetëve

Në një telegram ngushëllimi, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa Françesku shpreh dhimbjen e thellë për zjarrin që ra në Daka të Bangladeshit e, sidomos, për pasojat e tij.

R. SH. - Vatikan

Në telegram, Papa siguron solidaritetin e tij, lutjet për viktimat dhe inkurajon personelin e emergjencës në veprimtarinë e ndihmës. Tragjedia ndodhi mbrëmë, kur flakët - që shpërthyen në një ndërtesë, ku ruheshin lëndë djegëse - pushtuan shumë shpejt edhe dy ndërtesat fqinje.

Shumë njerëz mbetën në mes të flakëve

Viktimat, deri tani, janë më se 80. Në vend ndërhynë menjëherë 37 njësi zjarrfikësish, po zjarri u shua vetëm rreth orës 3 të mëngjesit. Ndërkaq shumë njerëz mbetën brenda pallateve, siç njoftojnë burimet zyrtare vendase, që flasin për një situatë vërtet të vështirë. Zona e pushtuar nga flakët ka një mori ndërtesash, njëra pranë tjetrës, të ndara me rrugica të ngushta. Në shumë raste kati përdhes i pallateve përdoret për dyqane, restorante ose magazina. Ndërmjet viktimave, edhe të ftuarit në një  festë, që organizohej në njërin nga restorantet. Zjarrfikësit nuk e patën të lehtë ta shuajnë zjarrin, të penguar nga rrugicat e, sidomos, nga mungesa e burimeve të ujit.

21 shkurt 2019, 16:44