Cerca

Vatican News

90 vjetët e Pakteve të Lateranit, brenda mureve të shtëpisë Paçeli

Fotot e bëra në Lateran më 11 shkurt 1929 e tregojnë pranë kardinalit Pietro Gasparri dhe Benito Musolinit: është fjala për Françesk Paçelin, juristin, që ndoqi negociatat me qeverinë italiane, për llogari të Selisë së Shenjtë dhe pastaj iu përkushtua kuadrit ligjor të Shtet-Qytetit të ri të Vatikanit. Kamerat e Vatican News hynë në shtëpinë e tij romake.

R.SH. - Vatikan

Puna, studimi, familja. Francesco Pacelli, lindur më 1874, ishte njeri me vlera fisnike dhe mendime të ndërlikuara. I përpiktë, i rreptë, i apasionuar pas pikturës dhe detit, vëlla i madh i atij Eugjeni, i cili më vonë u bë Papë me emrin Piu XII. Pedagog universitar, jurist, ndërmjetësues i shquar, ai ishte protagonisti i vërtetë, por i fshehtë, i Pakteve të Lateranit. Ai që, duke filluar nga viti 1926, me vendim të Papës Piu XI, mori përsipër përgjegjësinë e kryesimit të bisedimeve me shtetin italian, të cilat arritën kulmin në marrëveshjen e nënshkruar më 11 shkurt 1929.

Via Boezio 19

Për të kremtuar 90-vjetorin e Pakteve, telekamerat e Vatican News hynë sot në shtëpinë e tij dhe u pritën nga Giorgia Carolei Pacelli, gruaja e nipit të Françeskut, që ende jeton në shtëpinë e familjes, në lagjen romake të Pratit. Bota, sendet, pasionet e tij dalin në pah nga shumë objekte, që ruhen në këtë shtëpi: karrigia antike e tryezës, fotografitë, zilja e studios me tingëllim gati të pacipë, e deri tek akuarelet e pikturuara në Santa Marinella, në kohën e lirë.

Përtej Pakteve

“Selia e Shenjtë i detyrohet shumë atij”, thotë Giuseppe Dalla Torre, kryetar i Gjykatës së Shtet-Qytetit të Vatikanit. E jo vetëm për bisedimet e vështira, por edhe për angazhimet e mëvonshme. “E gjithë puna për krijimin e një legjislacioni të brendshëm të Qytetit të Vatikanit - shton Dalla Torre – akoma i detyrohet dorës të Françesk Paçelit”. Për këtë veprimtari, Paçeli pati kërkuar dhe arriti të bashkëpunojë me juristin hebre fiorentin Federiko Kameo, me të cilin kishte miqësi të madhe dhe e nderonte shumë. Të dy përcaktuan skemën e ligjeve të para të shtetit të ri, që hynë në fuqi më 7 qershor 1929. Në të njëjtën ditë me ratifikimin e Pakteve të Lateranit, sanksionuar me botimin në “Acta Apostolicae Sedis” - Gazeta Zyrtare e Selisë së Shenjtë.

Impenjimi, shëndeti dhe ditari

Shëndeti i Françesk Paçelit, i cili ishte i sëmurë me zemër, u dobësua edhe më shumë në ato vite intensive, që i kaloi duke studiuar, menduar e përcaktuar kuadrin ligjor të Qytetit të Vatikanit, siç e njohim sot. Të gjitha hapat e tij, çastet e ditës, takimet, bisedat me hierarkinë e Vatikanit dhe me përfaqësuesit e qeverisë së Musolinit, u shënuan nga Paçeli në “Diario della Conciliazione” (Ditari i Pajtimit). Një dokument intim, botuar në vitin 1959, që na njeh me një lloj prapaskene të Pakteve, duke nxjerrë në dukje paralelisht edhe shpirtin e avokatit të mprehtë, me frikën e Tënzot, në të cilin Papa pati besim të plotë.

Leja e lëshuar nga Papa Piu XI

         Nga sirtarët e mobiljeve të shtëpisë del edhe një leje, që dëshmon pikërisht këtë besim. “Avokati Françesku Paçeli – shkruhet në kartën e çmuar me stemën papnore – mund të kërkojë gjithnjë audiencë te Ati i Shenjtë Piu XI”. Gjithnjë! Ditën, natën nëse nevojitej, që të përfundonte projekti i këtij shteti, me kufijtë, strukturën, organizmat dhe me një sërë shërbimesh, që përdoren edhe sot nga qytetarët e punonjësit.

Stema e familjes

Nga ajo periudhë, ka mbetur korrespondenca e ngushtë dhe private me vëllanë e tij, Eugjenio Paçeli, asokohe nunc në Gjermani, pastaj, Sekretar i Shtetit të Vatikanit e, së fundi, Papë, të cilit ia besonte shpresat e pengesat e negociatave të gjata. Këmbëngulja fisnike e Françesk Paçelit, e mbështetur nga feja, është shenjë e familjes. Në stemën e saj bën pjesë edhe stema e Selisë së Shenjtë: një koncesion krejt i veçantë, për shkak të angazhimit të juristit në hartimin e Pakteve, që i dhanë titullin e këshilltarit të përgjithshëm të Shtetit të Vatikanit dhe titullin fisnik e të trashëgueshëm të markezit.

11 shkurt 2019, 13:26