Kërko

 Urimet e Papës Kuries Romake Urimet e Papës Kuries Romake 

Zotin nuk e ka askush “në xhep”

Këto ditë fillimviti, Krishti ishte e është më pranë nesh se kurrë. I lindur në një situatë shoqërore, politike e fetare të nderë, ngarkuar me tensione, tronditje e errësirë, na kujton pambarimisht kohën, në të cilën po jetojmë. E na e kujtoi edhe Papa…

R. SH. - Vatikan

Këto ditë fillimviti, Krishti ishte e është më pranë nesh se kurrë. I lindur në një situatë shoqërore, politike e fetare të nderë, ngarkuar me tensione, tronditje e errësirë, na kujton pambarimisht kohën, në të cilën po jetojmë. E na e kujtoi edhe Papa në fjalën drejtuar Kuries Romake. Lindja e Zotit, e pritur me padurim nga njëra palë, e papranuar nga pala tjetër, si dje, edhe sot, përmbledh logjikën hyjnore, që nuk ndalet përballë së keqes, por e shndërron gradualisht në të mirë, për ta shpëtuar njerëzimin nga terri e dëshpërimi! Me këtë shpresë jetojmë, ne të krishterët!

Por - na kujtoi Françesku - Zotin nuk e kemi në xhep!

Shëlbimi i Zotit na dhurohet falas. E kujtojmë këtë çdo vit. Pa harruar se ky hir nuk mund të veprojë, pa vullnetin tonë, pa bashkëpunimin tonë, pa lirinë tonë. Pa ia kushtuar përpjekjet tona të përditshme. E pa pështjellime idesh në shpirt! Shëlbimi është dhuratë, por nuk vjen e të hyn në xhep.  Nuk vjen, kur nuk i ngre sytë për të parë sesi retë vërshojnë mbi dritën e reshin errësirën mbi ne! Kur s’di të pleqnosh me vete e të kundrosh ngadhënjimin e Jetës mbi vdekjen. Kur e harron e kujtohesh për të vetëm në ditë të vështira…

Nuk e kemi në xhep!  Duhet mirëpritur, duhet ruajtur, duhet bërë të japë fryte. Larg fjalësh e sjelljesh me kuptime të dyshimta…

Jemi të krishterë, po kjo nuk do të thotë se jemi një masë njerëzish të privilegjuar, edhe pse mëkatarë e të padenjë për këtë dhuratë kaq të madhe.

Duhet të sillemi, prandaj, ashtu siç edhe jemi: mëkatarë të padenjë për thesaret e ruajtura që në zanafillë e të vetëdijshëm se Zotin në xhep nuk e kanë, ndonëse e dinë që i do. E se nuk janë tjetër, veçse shërbëtorë në vreshtin e Zotit, që duhet t’ia dorëzojnë, në kohën e duhur, të vjelat Pronarit.

Bibla dhe historia e Kishës dëshmojnë se shpesh herë, edhe ca nga të zgjedhurit  mendojnë se e kanë Zotin në xhep! Njerëz, që kanë sy vetëm për vete. Prandaj ia nisin të sillen si padronë të shëlbimit e jo si njerëz, që duhet të përfitojnë prej Tij; si kontrollorë të mistereve të Zotit, e jo si punëtorë, që duhet t’i shpërndajnë; si doganierë të Zotit, e jo si shërbëtorë të grigjës, që iu besua. Duke harruar se askush nuk e ka Zotin në xhep!

 

12 janar 2019, 14:51