Kërko

Papa: a mamme nella Sistina, se bimbi hanno fame allattateli Papa: a mamme nella Sistina, se bimbi hanno fame allattateli  

Papa nё tweet: Pagëzimi është dhurata më e mirë që kemi marrë

Tweet i Papёs: "Pagëzimi është dhurata më e mirë që kemi marrë: na bën që t'i përkasim Zotit dhe na jep gëzimin e shpëtimit". (13 janar 2019) . Pagëzimi është sakrament, themel jete.

R.SH. - Vatikan

"Pagëzimi është dhurata më e mirë që kemi marrë: na bën që t'i përkasim Zotit dhe na jep gëzimin e shpëtimit". Kёshtu pohon Papa Françesku, nё njё tweet nё solemnitetin e Pagëzimit tё Jezu Krishtit Zot, tё cilёn Kisha e kremton sot, 13 janar 2019.

Zoti nuk i mohon kurrë bijtë e tij, vula e Pagëzimit nuk humbet

 “Zoti nuk i mohon kurrë bijtë e tij”. “Zoti na do shumë, si Atë, e nuk na lë kurrë vetëm. Që në çastin e Pagëzimit”. Mbi këtë sakrament, themel jete, e përqendroi përsëri Papa katekizmin e audiencës së përgjithshme tё 9 majit 2018, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Papa Françesku nënvizoi se Pagëzimi vë një vulë shpirtërore të përjetshme, që nuk mund ta shlyejë më asnjë mëkat”. Ndonëse – shtoi – mëkati e pengon Pagëzimin të sjellë fryte shëlbimi”: “Vula e Pagëzimit nuk humbet kurrë! ‘Por, o Atë, nëse një njeri bëhet cub me nam, që vret e pret e s’lë gjë pa bërë, unë besoj se kjo vulë duhet t’i humbasë, apo jo?’” Jo!

Jetë sipas Jezusit

Edhe kur njeriu, për turp e marre, bën mëkate, edhe mortare, duke “iu kundërvënë vetë Zotit”, prap se prap vijon të jetë bir i Tij, sepse “Zoti nuk i mohon kurrë bijtë e vet”. “Rilindja e njeriut të ri - nënvizoi në vijim Papa - kërkon që njeriu i kalbur nga mëkati të kthehet në pluhur”. Përmes Pagëzimit u varrosëm së bashku me Jezusin në vdekje - shpjegoi Papa - me qëllim që, ashtu si Krishti u ngjall nga të vdekurit, kështu edhe ne të mund të ecim në një jetë të re”.

Pagëzimi na hap portën e jetës së ringjallur, jo të rivdekur! Jo të jetës sipas mendësisë së botës, por sipas Jezusit.

Të rilindur me Pagëzimin

Papa Bergoglio kujtoi më pas mbishkrimin e Pagëzimores së lashtë romake të Lateranit, ku, në gjuhën latine, lexohet shprehja, që i atribuohet Papës Siksti III: “Kisha Nënë rilind virgjërisht përmes ujit bijtë,  që i zë për shpirtin e Zotit. O ju, që u lindët nga kjo gurrë, shpresojeni mbretërinë e qiejve”. “E bukur: Kisha, që nxjerr në dritë fëmijë. Kisha, që është kraharor, është nëna jonë, përmes Pagëzimit”.

Edukimi i krishterë është e drejtë e fëmijëve

Veshja e bardhë dhe qiriu i ndezur flasin vetë për pasojat shpirtërore të Pagëzimit. Mbi këto dy shenja kaq simbolike u ndalua Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur mё 16 maj 2018 , në Sheshin e Shën Pjetrit, me të cilën përmbylli ciklin e katekizmave kushtuar këtij Sakramenti.

Veshja e bardhë

Që në shekujt e parë të krishterimit,  të posapagëzuarit visheshin me një petk të bardhë si dëbora, simbol i shkëlqimit të jetës së fituar në Krishtin e në Shpirtin Shenjt. Të rivishesh me Krishtin - kujtoi Papa - do të thotë të kultivosh virtytin e dhembshurisë, të mirësisë, të faljes e, mbi të gjitha, atë të dashurisë së krishterë.

Flakë e ndezur nga qiriu i Pashkëve

Flaka e ndezur nga qiriu i Pashkëve, ndërkaq, është simbol i thirrjes. Zoti vetë na bën thirrje  të vishemi me shkëlqimin e Tij. E pagëzimi na kujton pikërisht se dashuria e Zotit e ndez flakë zemrën e të pagëzuarve, ashtu si qiriu i Pashkëve u jep dritë  qirinjve të tjerë. E prandaj, që nga shekujt e parë, Pagëzimi quhej edhe “shndritje”;  e ai, që pagëzohej “i shndritur”. Siç na kujton riti i fillesës së krishterë të të rriturve, thirrje e krishterë do të thotë të ecësh në dritë, duke e ruajtur deri në fund të fundit fenë.

Edukimi i krishterë i fëmijëve

Përsa u përket prindërve, ata, së bashku me nunët, e kanë për detyrë ta ushqejnë flakën e hirit të Pagëzimit në zemrën e të vegjëlve të tyre, duke i ndihmuar ta ruajnë fenë. Edukimi i krishterë është e drejtë e fëmijëve; edukimi i krishterë është e drejtë e fëmijëve - ngulmoi Papa.

“Edukimi i krishterë i ndihmon, pastaj, ta forcojnë personalisht fenë në të cilën u pagëzuan”.

Papa Françesku e përfundoi katekizmin e audiencёs sё pёrgjithshme tё 16 majit 2018 duke kujtuar se prania e Gjallë e Krishtit, që duhet mbrojtur në shpirtin tonë, është llambë, që i shndrit hapat tanë; dritë, që orienton rrugën tonë; flakë, që na i ngroh zemrat, na nxit të drejtohemi gjithnjë kah Zoti e na bën të aftë t’i ndihmojmë edhe të tjerët.

13 janar 2019, 17:22