Kërko

Hyrja në kampin e Aushvicit Hyrja në kampin e Aushvicit 

Tweet i Papës: të mos harrojmë viktimat e Holokaustit

Tweet i Papës për Ditën e Kujtesës. Të ruajnë kujtesën që tmerri i Shoah-ut të mos përsëritet më: ky është angazhimi i të mbijetuarve nga barbaria e kampeve të shfarosjes naziste. Dëshmia e tyre duhet të mblidhet dhe t’u transmetohet brezave të ardhshme.

R.SH. - Vatikan

Dje, në përvjetorin e hapjes së portave të kampit të përqëndrimit të Aushvicit, më 27 janar 1945, kur iu zbulua botës tmerri i nazistëve dhe u çliruan të mbijetuarit, u kremtua Dita e Kujtesës. Papa Françesku ndodhej akoma në Panama, por nuk mungoi të postonte një tweet për këtë Ditë: “Të mos i harrojmë viktimat e Holokaustit, - shkruan Ati i Shenjtë - vuajtja e tyre e patreguar vazhdon t’i bërtasë njerëzimit: jemi të gjithë vëllezër! #GiornatadellaMemoria!”.

Histori

Përkujtimi i Holokaustit u vendos nga OKB-ja në vitin 2005, për të mos harruar të gjitha viktimat, që humbën jetën si pasojë e persekutimit racor dhe politik, e spastrimit etnik dhe e gjenocidit të zbatuar nga regjimi nazist i Rajhut të Tretë dhe nga aleatët e tij, ndërmjet viteve 1933 dhe 1945. Sipas Muzeut amerikan të Kujtimit të Holokaustit, rreth 15-17 milionë njerëz vdiqën si rezultat i drejtpërdrejtë i procesit të “arianizimit”, promovuar nga regjimi i Adolf Hitlerit.

Jo vetëm hebrenj

Çmimin më të lartë për këtë e paguan hebrenjtë, rreth 6 milionë vetë, objektiv i së ashtuquajturës “zgjidhje përfundimtare”, plan i çmendur për t’i shfarosur krejtësisht. Por, përveç tyre, ndër viktimat, duhen përfshirë edhe njerëzit me aftësi të kufizuara – mbi të cilët u eksperimentuan strategjitë më të efektshme për shfarosjen masive - romët, jo-arianët, disidentët politikë dhe të ashtuquajturit “të padëshirueshëm”, si homoseksualët dhe disidentët fetarë. Për ta mbajtur gjallë kujtesën, në mënyrë që këto krime të mos përsëriten më, të mbijetuarit e Holokaustit - tashmë, të moshuar – marrin pjesë pa u lodhur në konferenca, takime me studentët e në nisma të ndryshme sensibilizimi.

Shqiptarët nuk dorëzuan asnjë hebre

Ia vlen të kujtojmë këtu, se asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve në Shqipëri, as nga nënshtetasit e saj e as nga qeveria e Tiranës, që e pati konsideruar gjithnjë dorëzimin e listave me emrat tyre, ndërhyrje në punët e brendshme nga ana e regjimit hitlerian. Për këtë, Shqipëria dhe shumë shqiptarë janë shkruar si “të drejtë ndër kombe”, në Memorialin e Jad Vashemit, në Jeruzalem.

28 janar 2019, 14:38