Kërko

 Papa takohet me bashkësinë anglikane Papa takohet me bashkësinë anglikane 

Takimi katolikë-anglikanë. Leicester, kryeqytet i ekumenizmit

Në qytetin britanik Leicester, sot e nesër, takohen 50 ipeshkvij, gjysma katolikë e gjysma anglikanë. I nderuari Worthen shpjegon, për agjencinë Sir: “Përshpirtëria, teologjia dhe bashkëjetesa do të jenë në qendër të vëmendjes së takimit”. Programi, shumë i pasur me liturgji e debate, i drejton reflektorët mbi Deklaratën “Ta bëjmë rrugën së bashku”.

R. SH. - Vatikan

Në Leicester, qytet në qendër të Anglisë, me traditë të rëndësishme  dialogu  ndërfetar, sot e nesër, 16 e 17 janar, pesëdhjetë ipeshkvij, gjysma anglikanë e gjysma katolikë, po takohen për dy ditë bashkëjetese ekumenike. Eshtë takim, që përsëritet çdo dy-tre vjet, duke u krijuar pjesëmarrësve mundësi t’i thellojnë marrëdhëniet e miqësisë, të nderimit e të bashkëpunimit - shpjegon, për Agjencinë Sir, i nderuari Jeremy Worthen, sekretar për marrëdhëniet ekumenike pranë “Këshillit për unitetin e të krishterëve”, ent i Kishës së Anglisë, që merret me përmirësimin  e marrëdhënieve ndërmjet Kishave të ndryshme të krishtera. “Sivjet na takon ne, anglikanëve, t’i organizojmë këto dy ditë, me porta të mbyllura, në të cilat po marrin pjesë, përveç ipeshkvijve, edhe përfaqësues  të zyrave të shtypit dhe të personelit administrativ”.

Dialogu, një hap tjetër

Takimet nisën kur dokumenti “Të rritemi së bashku në unitet e mision”,   hartuar nga Komisioni ndërkombëtar “Larcuum”, që promovon marrëdhëniet baritore ndërmjet dy Kishave, rekomandoi “takime të rregullta të ipeshkvijve të të dyja palëve, për të thelluar besimin dhe miqësinë në frymën e dashurisë së përbashkët ndaj Krishtit”.

Programi

Në Leicester ipeshkvijtë katolikë e anglikanë do të luten së bashku. Lutjet  filluan sot, sapo  arritën të ftuarit, me një çast të kryesuar nga anglikanët, për t’u takuar, pastaj, në mbrëmje, në katedralen e Leicester-it, për traditën e evensong, uratëve të mbrëmjes – shpjegon Worthen.

Nesër, më 17, ipeshkvijtë katolikë do të kremtojnë një meshë në kishën e manastirit domenikan të Holy Cross (Shëna Krygjës), në qendër të qytetit, në të cilën ipeshkvijtë anglikanë janë të lirë të marrin pjesë, nëse dëshirojnë. Lutja përfundimtare e mesditës do të kryesohet nga Kisha e Anglisë, në qendrën e konferencave, pranë katedrales, ku zhvillohet takimi. Me vlerë, këto takime, që u krijojnë ipeshkvijve mundësinë të njihen e të flasin së bashku.

Teologjia e ekumenizmit receptiv

Në qendër të Takimit, Deklarata e Komisionit III Ndërkombëtar anglikano-katolik(Arcic), titulluar: “Ta bëjmë rrugën së bashku, duke mësuar të jemi Kishë. Lokale, rajonale, universale”,  me të cilën përurohet metoda e ekumenizmit  receptiv, domethënë, që kuptohet lehtësisht. E kjo do të thotë të shqyrtosh çka u la pas dore ose u nënvleftësua në traditën tënde, ndërsa u trajtua më mirë në traditën tjetër. Eshtë metodë e suksesshme, e përdorur në mbarë botën, që krijon mundësinë për t’i shikuar me sy kritik kufizimet tona. Një shembull mund të jetë fakti se katolikët janë më të vëmendshëm në nivelin  lokal - përfundon i nderuari Worthen.

16 janar 2019, 11:53