Kërko

 DBR: Lëvduar qofsh! DBR: Lëvduar qofsh! 

Programi i shtegtimit të Françeskut në Panama për Ditën Botërore të Rinisë

Shumë i pasur, programi i shtegtimit të Françeskut në Panama, për Ditën Botërore të Rinisë: takime, meshë, vizita

R. SH. - Vatikan

Jorge Mario Bergoglio do të niset nga aeroporti romak i Fiumicino-s të mërkurën e ardhshme, më  23 janar, në orën 09,35, për të arritur në Panama 13 orë më pas, në orën 22.30 (16.30 në vendin qendroamerikan). Të nesërmen, e enjte, 24 janar, Françesku të takohet me presidentin e Republikës, Juan Carlos Varela (15,30 orari evropian), do t’u drejtojë fjalimin e tij të parë autoriteteve dhe Trupit diplomatik (16,40) e, menjëherë pas, do të takohet, në kishën e Shën Françeskut të Asizit, me ipeshkvijtë qendroamerikanë (Panama, Costa Rica, El Salvador, Guatemala, Honduras, Nicaragua). Buzë mbrëmjeje do të shkojë në Campo Santa Maria La Antigua, zonë panoramike mbi Kanalin e Panamasë, për të kryesuar hapjen e DBR-së (23,30).

Të premten, 25 janar, pas vizitës në burgun për të mitur (16,30 ora evropiane), Papa  do të kryesojë, në mbrëmje, Udhën e Kryqit me të rinjtë, në  Campo Santa Maria la Antigua (23,30).

Të shtunën, 26 janar, Mesha, me kushtimin e altarit të katedrales- bazilikë të Santa Maria la Antigua, me priftërinjtë, rregulltarët dhe lëvizjet shekullare (15,15 në Evropë) e më pas,  dreka me një grup të rinjsh.

Në mbrëmje (pas mesnate), do t’i prijë mbrëmësores me të rinjtë, në Campo San Juan Pablo II - Metro Park.

Të diel, 27 janar, së fundi, Mesha përfundimtare e DBR-së, e kremtuar në orën 8 të mëngjesit, për të shmangur vapën e madhe (ora 14 në Evropë). Së fundi, kardinali Kevin Farrell do të shpallë qytetin e DBR-së së ardhshme. Para se të marrë përsëri udhën e kthimit, Papa do të vizitojë Shtëpinë kushtuar Samaritanit të mirë  e do të takohet me vullnetarët e DBR-së.

Ndërmjet temave, që do të preken më shumë gjatë kësaj dite rinore, besohet se do të jetë ajo mariane, e, jo më pak, tema ekologjike (e lidhur posaçërisht me Sinodin kushtuar Amazonës, tetorin e ardhshëm).

E do të jetë DBR, që synon të japë një sinjal të fortë për paqen  e pajtimin, në një zonë si Qendra e Amerikës, ku ka shumë vuajtje. Programi nuk parashikion ndonjë takim me viktimat e shpërdorimeve.

Deri tani janë regjistruar më se 150 mijë të rinj (30 shqiptarë), numër më i vogël, në krahasim me DBR-të e tjera, por në parkun e Meshës përfundimtare mund të hyjnë deri më 700mijë vetë.

Në grupin, që do ta shoqërojë Papën, do të jenë, ndërmjet tjerësh, zëvendësi i ri i Sekretarisë së Shtetit, imzot Pena Parra; prefekti i Dikasterit të Komunikimeve vatikanase, Paolo Ruffini; drejtori editorial, Andrea Tornelli; zëdhënësi i Sallës së Shtypit, Alessandro Gisotti dhe  drejtori i “L’Osservatore Romano”, Andrea Monda.

Si zakonisht, në delegacionin papnor do të bëjë pjesë  edhe një punonjës i Vatikanit e, me që shtegtimi i kushtohet DBR-së - do të jetë një nga më të rinjtë, që punojnë në Shtetin papnor, më saktësisht, një vajzë e Shërbimeve teknike të Guvernatoratit - si dhe sociologu francez Dominique Wolton, që realizoi, me  Papën, librin intervistë «Zoti është  poet».

 

20 janar 2019, 10:04