Papa ndërmjet murgeshave të klauzurës Papa ndërmjet murgeshave të klauzurës 

Papa viziton papritmas murgeshat e klauzurës në Manastirin e Vallegloria

Papa Françesku vizitoi, sot paradite, krejt papritmas, Manastirin e klauzurës të Vallegloria, në Spello. Ipeshkvi i Folinjos, imzot Sigismondi: “Gëzim, që nuk mund ta ndaja me askënd, por që e ndjeva fort në të gjitha kremtimet e këtyre ditëve”

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku, në formë ngushtësisht private - siç njofton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit - shkoi sot paradite, në manastirin e klauzurës të Vallegloria, në Spello, duke i kthyer vizitën që i bënë klariset e Shën Marisë, më 25 gusht 2016, e duke lënë në këtë vend heshtjeje e lutjeje, gëzim e emocion të thellë.

Mesha, dialogu, dreka

Klaustralet, krejtësisht të habitura, panë sot në mëngjes, para portës së madhe të manastirit, Papën Françesku. E pabesueshme! Ishte ora 9, kohë kur do të fillonte Mesha, kremtuar nga ipeshkvi, imzot Gualtiero Sigismondo. Papa bashkëkremtoi me prelatin. Pas Meshe, takimi i përzemërt me motrat, të cilat i inkurajoi të ecin me guxim në udhën e jetës kundruese, duke i falënderuar për shërbimin që i bëjnë Kishës me lutjet e tyre. Pastaj u ul me to në sofër, për të ngrënë së bashku edhe drekën, para se të rikthehej në Vatikan, rreth orës 16.00. Por, para se të nisej, la, në prag të festave të Pajtorëve, bekimin e tij për mbarë dioqezën e Folinjos.

Deklarata e ipeshkvit

Vetëm ipeshkvi i Folinjos, imzot Gualtiero Sigismondi kishte dijeni për ardhjen e Papës, që sfidoi dëborë e akull për të takuar motrat: “Papa - tha prelati - më kishte shprehur shumë herë dëshirën për të ardhur mes nesh. Pastaj më pati pyetur edhe për distancën, që duhej të përshkonte. Së fundi, Natën e Krishtlindjes, mora vesh edhe programin e këtij gëzimi, që nuk mund t’ia shpehja askujt, por që, megjithatë, e ndjeva në të gjitha kremtimet!

Vizitë pa zhurmë

Ishte vizitë pa zhurmë, larg telekamerave, në të cilën Françesku vijoi dialogun e hapur me motrat, në gusht 2016. Me atë rast Papa u dorëzoi Kushtetutën Apostolike “Vultum Dei quaerere”  kushtuar klaustraleve të mbarë botës.

11 janar 2019, 18:58