Kërko

Papa Françesku pret në audiencë anëtarët e Trupit Diplomatik Papa Françesku pret në audiencë anëtarët e Trupit Diplomatik 

Papa, Trupit Diplomatik: kombet të kërkojnë zgjidhje të përbashkëta

Fjala e sivjetme e Papës Françesku për Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë përqendrohet në rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet kombeve e në diplomacinë shumëpalëshe, që sot ka rrezik të dobësohet, për shkak të prirjeve nacionaliste. Duhet kërkuar e mira e gjithë popujve, edhe duke pranuar “kompromise të pashmangshme”, përndryshe, më i forti e shtyp më të dobtin dhe problemet rëndohen.

R.SH. - Vatikan

Fjalët e Papës Françesku për Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, pritur sot paradite në Sallën Regia të Vatikanit, këtë vit, u frymëzuan nga fjalimi i shën Palit VI në asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Papa i parë, që foli në Pallatin e Qelqit, pati përvijuar objektivat e diplomacisë shumëpalëshe, duke vënë në dukje elementet e kontaktit me misionin shpirtëror të Selisë së Shenjtë. Disa herë, para 183 përfaqësuesve të shteteve me të cilat Vatikani ka marrëdhënie diplomatike, ndër të cilat edhe Shqipëria, Papa Françesku theksoi sot rrezikun e prirjeve nacionaliste, që po e dobësojnë sistemin shumëpalësh të diplomacisë, siç ndodhi në periudhën ndërmjet dy Luftrave Botërore. Ati i Shenjtë analizoi ngjarjet e përjetuara gjatë vitit të kaluar, duke e zgjeruar horizontin në gjithë historinë e ‘900-ës, duke prekur edhe temën e dhunës kundër grave, atë të punës, të abuzimeve me të miturit e të emigracionit. Të gjitha kanë nevojë për një linjë të përbashkët politike. Për herë të parë, u përshëndet nga një ortodoks. Vërtet, Dekani i Trupit Diplomatik është ambasadori i Qipros, George Poulides, i krishterë ortodoks.

Nevojitet një konfrontim konstruktiv ndërmjet shteteve

         Papa përmendi marrëveshjet e arritura në vitin 2018, si nënshkrimin e Marrëveshjes së Përkohshme me Kinën për emërimin e ipeshkvijve, si edhe përvjetorët, që do të kremtohen në vitin 2019, si 30-vjetori i rënies së Murit të Berlinit dhe 70-vjetori i themelimit të Këshillit të Evropës. Por ndër përvjetorët më të rëndësishëm, njëri, i veçantë: 100-vjetori i Shoqërisë së Kombeve, organizatë ndërkombëtare e themeluar pas Luftës I Botërore për t’i zgjidhur problemet me bisedime e jo me luftë, duke përuruar kështu, fillimin e diplomacisë moderne shumëpalëshe. 20 vjet pas themelimit të saj, fatkeqësisht, shpërtheu Lufta II Botërore, por udha e përvijuar u vazhdua me më tepër vendosmëri nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, themeluar më 1945. “Udhë jo gjithnjë e frytshme – nënvizoi Papa – por, gjithsesi, mundësi që kombet të kërkojnë zgjidhje të përbashkëta”. Duke pasur parasysh qëndrimet që çuan në shkrirjen e Shoqërisë së Kombeve e duke parë analogji me gjendjen e sotme botërore, Françesku vuri në dukje se:

         “Disa nga këto qëndrime të kujtojnë periudhën ndërmjet dy Luftrave Botërore, gjatë së cilës nxitjet populiste dhe nacionaliste zotëruan mbi veprimtarinë e Shoqërisë së Kombeve. Dukja e atyre pulsioneve sot, po e dobëson dalëngadalë sistemin shumëpalësh, me rezultat mungesën e përgjithshme të besimit, krizën e besueshmërisë së politikës ndërkombëtare dhe mënjanimin e pandalshëm të anëtarëve më të brishtë të familjes së kombeve”.

Populizmi po dobëson sistemin shumëpalësh

         Ati i Shenjtë vuri në dukje disa shkaqe për këtë gjendje. Së pari, paaftësinë e sistemit shumëpalësh për të gjetur zgjidhje edhe për gjendje konfliktuale të vjetra, përveçse për sfidat aktuale. Së dyti, politikat kombëtare, që kohët e fundit, synojnë konsensusin e menjëhershëm e nuk i japin kohën e majftueshme punës për arritjen e së mirës së përbashkët, që kërkon durim. Së treti, krijimin e grupeve të interesit, që përpiqen të imponojnë idetë e tyre, jo rrallë, duke mos respektuar identitetin dhe dinjitetin e popujve. Së fundi, globalizimin tepër të shpejtë të disa zonave të botës, ku tensioni me kulturën vendase nuk është i shëndetshëm. Papa kërkoi të tregohet vëmendje për përmasën globale të zhvillimit, pa e humbur atë lokale.

Përparësia e drejtësisë dhe e ligjit

         Gjithnjë, duke iu referuar fjalimit të Papës Pali VI në Kombet e Bashkuara, Papa Françesku kritikoi zgjidhjet e çastit të shumë qeverive populiste, të cilat vënë interesat kombëtare mbi ato botërore, duke anashkaluar të drejtën ndërkombëtare, të nevojshme për zgjidhjen e konflikteve shumëpalëshe. Nga ana tjetër, rregullat e bashkësisë ndërkombëtare, nganjëherë, perceptohen nga qytetarët si “larg nevojave të tyre”. Prandaj, Papa Françesku nënvizoi:

         “Personalitetet politike duhet të dëgjojnë zërin e popujve dhe të kërkojnë zgjidhje konkrete për të favorizuar të mirën e tyre. Gjithsesi, kjo kërkon respektimin e ligjit dhe të drejtësisë, si nga bashkësitë kombëtare, ashtu edhe nga ajo ndërkombëtare, pasi zgjidhjet e menjëhershme, emotive dhe të shpejtuara mund ta rrisin konsensusin aty për aty, por nuk kontribuojnë sigurisht në zgjidhjen e problemeve më të thella, madje, i shtojnë ato”.

         Papa kujtoi Mesazhin për Ditën e sivjetme të Paqes, që përqendrohej pikërisht mbi lidhjen ndërmjet politikës e paqes, pasi politika është e mirë vetëm kur i shërben paqes. Për këtë, politikani nuk mund të kufizohet në zgjidhje afatshkurtra. Politikani i mirë, ngriti zërin Papa, nuk duhet të pushtojë hapësira, por të fillojë procese; ai është i thirrur të punojë për bashkimin e jo për konfliktin, mbi bazën e solidaritetit, sfidë për politikën. Vetëm kështu, edhe konfliktet e tensionet në histori mund të shërbejnë për të krijuar atë bashkim shumëformësh, që krijon jetë të re. Papa vuri theksin mbi respektimin e dinjitetit dhe të të drejtave të njeriut, duke përmendur kremtimin e 70-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, gjatë vitit 2018 e, duke kërkuar t’u pritet rruga “pabarazive të reja” dhe “dhunës e shtypjes së re”.

Selia e Shenjtë dhe problemet e njerëzimit

         Selia e Shenjtë i ndjek vazhdimisht të gjitha problemet e njerëzimit, jo për të ndërhyrë në jetën e shteteve, por për t’i shërbyer së mirës së çdo njeriu. Papa Françesku përmendi për këtë, udhëtimet e tij apostolike të 2018-ës në Kili, Peru, Zvicër, Irlandë, Lituani, Letoni dhe Estoni. Pastaj, preku plagët e njerëzimit të sotëm: përmendi Nikaraguan, për të cilën uroi dialog; Vietnamin, me të cilin u arrit marrëveshja për një përfaqësues të ardhshëm papnor rezident; pastaj, Sirinë, Lindjen e Mesme e Ukrainën. Përmendi veçanërisht gjendjen e të krishterëve në Lindjen e Mesme, të cilët i inkurajoi të bëjnë ç’është e mundur për t’u kthyer në tokat, ku jetoi Krishti e, gjithsesi, t’i ruajnë lidhjet me vendet e tyre. Në këto troje ku luhen “interesa, që i bien ndesh njëra-tjetrës”, Papa dha si shembull bashkëjetesën ndërmjet feve, pavarësisht nga problemet e, përmendi udhëtimin në Emiratet e Bashkuara Arabe e në Marok, që do të bëjë gjatë këtij viti, në 800-vjetorin e takimit historik të shën Françeskut të Asizit me sulltanin Malik al-Kamil.

Marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me Kinën

         Në analizën e marrëdhënieve të Selisë së Shenjtë me shtetet e ndryshme në botë, Papa Françesku u ndal veçanërisht në ato me Kinën. Kujtoi se më 22 shtatorin e kaluar u nënshkrua Marrëveshja e Përkohshme për emërimin e ipeshkvijve, duke sqaruar se më parë, pati pranuar në bashkimin e plotë kishtar ipeshkvijtë e shuguruar pa mandat papnor, duke i ftuar të veprojnë për pajtimin e katolikëve kinezë dhe për t’i dhënë hov të ri ungjillëzimit:

         “Falenderoj Zotin, sepse për herë të parë pas kaq vitesh, të gjithë ipeshkvijtë e Kinës janë bashkuar plotësisht me Pasardhësin e Shën Pjetrit e me Kishën universale. E shenjë e dukshme e kësaj ka qenë edhe pjesëmarrja e dy ipeshkvijve të Kinës kontinentale në Sinodin e fundit, kushtuar të rinjve. Urohet që vijimi i kontakteve për zbatimin e Marrëveshjes së Përkohshme, nënshkruar tashmë, të kontribuojë në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe në sigurimin e hapësirave të nevojshme për ta gëzuar me të vërtetë lirinë fetare”.

Evropa të kujtojë përfitimet që vijnë nga miqësia ndërmjet popujve

         Ndër përvjetorët, që kujtohen këtë vit, Papa Françesku përmendi rënien e Murit të Berlinit, më 9 nëntor 1989. I dha fund Luftës së Ftohtë dhe ndarjes së Evropës. Vendet e Lindjes, pas disa dhjetëvjeçarësh shtypjeje nën komunizëm, gjetën lirinë dhe filluan udhën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. E Ati i Shenjtë nënvizoi:

         “Në kuadrin aktual, në të cilin mbizotërojnë shtysa të reja centrifuge dhe tundimi për të ngritur mure të reja, në Evropë, nuk duhet humbur vetëdija e përfitimeve – pikë së pari, paqja – që solli udha e miqësisë dhe e afrimit ndërmjet popujve, ndërmarrë pas Luftës II Botërore”.

         Ashtu siç bëri edhe dje, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, Papa Françesku i ftoi të gjitha shtetet të mbrojnë refugjatët dhe emigrantët e të lehtësojnë integrimin e tyre, për t’u dhënë kështu mundësinë, të kthehen në vendet e tyre, në siguri. Vërejti se çdo njeri dëshiron një jetë më të mirë, prandaj, nuk mund të zgjidhet sfida e emigracionit me logjikën e dhunës e të mënjanimit. Ati i Shenjtë përmendi Kolumbinë, që ka strehuar një numër të madh njerëzish, ardhur nga Venezuela, por edhe Jordaninë e Libanin, ku aktualisht, strehohen rreth 2 milion refugjatë. Duke kujtuar dy Plane botërore jo të detyrueshme për emigrantët e refugjatët, Françesku kërkoi një përgjigje të përbashkët nga të gjitha shtetet.

T’u hapim të rinjve udhët e së ardhmes. “Jo” dhunës kundër grave

         Më pas, Papa mbrojti të rinjtë, duke bërë thirrje të dëgjohen e t’u krijohen kushte për të punuar, për të krijuar familje e për të rritur fëmijë. Së shpejti, vetë Ati i Shenjtë do të shkojë në Ditën Botërore të Rinisë, në Panama, ndërsa në shkurt, do të marrë pjesë në takimin me ipeshkvijtë për të diskutuar mbi abuzimet me të miturit. Françesku theksoi sërish impenjimin e Selisë së Shenjtë për t’i bërë ballë fenomenit me të gjitha forcat. Papa nuk harroi edhe problemin e dhunës kundër grave:

         “Para plagës së abuzimeve fizike dhe psikologjike kundër grave, është urgjente të rizbulohen forma marrëdhëniesh të drejta e të ekuilibruara, bazuar mbi respektin e njohjen reciproke, ku secili të shprehë vërtet identitetin e vet, ndërsa promovimi i disa formave barazie të padiferencuar ka rrezik ta shpërfytyrojë të qenit burrë apo grua”.

Vëmendje për punën e të miturve e për diskriminimet

         Duke e zgjeruar më tej horizontin, Ati i Shenjtë foli edhe për kushtet e punëtorëve, të cilat nuk duhet ta kthejnë punën në një skllavëri të re. 100 vjet më parë u themelua Organizata Ndërkombëtare e Punës e Papa uroi që ajo të vazhdojë të jetë shembull dialogu para sfidave të kohës sonë. E para prej tyre është “zhvillimi në rritje i teknologjive, që zvogëlon numrin e vendeve të punës, duke pakësuar garancitë ekonomike e shoqërore për punëtorët”. Plagë tjetër është edhe puna e të miturve, ulja e aftësisë blerëse të pagës dhe diskriminimi i grave.

Dinamizmi i Afrikës

         Duke kujtuar thirrjen e shën Palit VI, “kurrë më luftë”, Papa Françesku theksoi sinjalet e paqes, që vijnë nga Afrika. Pas 20 vjetësh konflikti, është nënshkruar Marrëveshja e paqes ndërmjet Etiopisë dhe Eritresë; shpresë vjen edhe nga marrëveshja e nënshkruar nga krerët e Sudanit të Jugut; për Republikën Demokratike të Kongos, Papa uroi pajtimin dhe respektimin e rezultatit të zgjedhjeve; për Malin, Nigerin e Nigerinë, shprehu afërsinë me ata, që vuajnë nga dhuna fundamentaliste, ndërsa për Kamerunin, shpresën që të zgjidhen tensionet e brendshme. Pavarësisht nga ngjarjet dramatike, Afrika, vërejti Papa, përshkohet nga një dinamizëm pozitiv.

Gadishulli korean, Venezuela, izraelitët e palestinezët

         Selia e Shenjtë e sheh me sy të mirë dialogun në Gadishullin korean, uron zgjidhje paqësore në Venezuelë dhe rifillimin e bisedimeve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve për njohjen e dy shteteve të pavarura. Më pas, Papa foli edhe për përdorimin “e pamoralshëm” – siç e quajti – të armëve bërthamore, por edhe të armëve të reja, edhe më të frikshme. Vuri theksin mbi Konferencën e fundit për klimën në Katovice dhe uroi që shtetet të bashkëpunojnë për t’i vënë fre fenomenit shqetësues të ngrohjes globale. E hodhi vështrimin mbi Sinodin e ardhshëm kushtuar Amazonës, ku njëri nga problemet do të jetë pa dyshim, shfrytëzimi pa kriter i ambientit. Pastaj, përmendi 90-vjetorin e lindjes së Shtetit të Vatikanit nga Paktet e Lateranit, që do të kremtohet më 11 shkurt. E së fundi, duke përmendur përvjetoret e tjera të rëndësishme të këtij viti, u uroi të gjithëve Vitin e Ri:

         “Të gjithë juve, të dashur ambasadorë e miq të shquar, si edhe vendeve tuaja, ju bëj urimet më të përzemërta që viti i ri të forcojë lidhjet e miqësisë ndërmjet nesh e që të gjithë të punojmë për arritjen e paqes aq të dëshiruar në botë”.

07 janar 2019, 17:10