Kërko

Papa: të krishterët, përsëri një familje e vetme, të jenë dëshmitarë të drejtësisë së vërtetë

Të premten do të fillojë Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve. Në qendër të nismave të reflektimit e takimit të përfaqësuesve të Kishave dhe konfesioneve të ndryshme, është drejtësia.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, Papa kujtoi Javën e lutjes për unitetin e të krishterëve që, si çdo vit, do të kremtohet nga 18 deri më 25 janar. Me këtë rast i ftoi të gjithë ta jetojnë shpirtërisht. Ja edhe fjalët e Papës:

“Të premten e ardhshme, me kremtimin e Mbrëmësoreve në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës, do të nisë Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, me temë: ‘Përpiquni të jeni me të vërtetë të drejtë”. Edhe sivjet jemi të thirrur të lutemi që të gjithë të krishterët të bëhen rishtas një familje e vetme, në përkim me vullnetin  hyjnor, i cili dëshiron që të  jenë një gjë e vetme”. Ekumenizmi nuk është udhë, që mund të ndiqet, ose jo! Eshtë domosdoshmëri! Ndjeti do të jetë të fitojë pjekurinë  dëshmia  e përbashkët, e njëzëshme, në pohimin e drejtësisë së vërtetë dhe në mbështetjen e më të ligështve, përmes përgjigjeve konkrete, të përshtatshme, të frytshme.

Tema e javës së sivjetme

“Drejtësinë dhe vetëm drejtësinë kërkojeni, që të mbeteni në jetë dhe ta sundoni tokën, të cilën do t’jua japë Zoti, Hyji juaj”. Kështu shkruhet në Librin e Ligjit të Përtrirë (16.20), në qendër të vëmendjes në kremtimin e Javës së lutjes për bashkimin që, në hemisferën veriore kremtohet nga 18 deri më 25 janar, ndërsa në atë të jugut, në data të tjera, për shembull, në Kohën e Rrëshajëve. Libri i Ligjit të Përtrirë përmbledh një sërë fjalimesh të mbajtura nga Moisiu në fund të jetës. Përmes tyre u kujtonte breznive të reja  Ligjet e Zotit, ndërsa kundronte nga larg, Tokën e Premtuar. Këto ligje janë garanci jete e mirëqeniejeje për popullin e tij, sepse, po t’i respektojë, mund të vijojë ta shijojë afërsinë e Zotit e të realizojë planin e besëlidhjes me Të.  Një nga këto sjellje ka të bëjë me drejtësinë. Para Zotit e para njeriut, posaçërisht atij që është i varfër e i pambrojtur.

Tema e drejtësisë u zgjodh nga të krishterët e Indonezisë

Propozimi i temës së drejtësisë u bë nga Kisha e indonezisë, që përgatiti edhe tekstet të cilat do ta shoqërojnë Javën, në bashkëpunim me Këshillin Papnor për promovimin e unitetit të të krishterëve dhe Komisionin  Fe e Kushtetutë të Këshillit ekumenik të Kishave. 86% e popullsisë së vendit është myslimane, por 10% e indonezianëve, të krishterë të traditave të ndryshme, kërkon vazhdimisht pajtimin e unitetin, edhe për t’i dhënë një shenjë botës së korrupsionit, pangopësisë e padrejtësisë, që shkakton pabarazi e përçarje.  

 

 

16 janar 2019, 15:24