Kërko

2019.01.30 Udienza Santa Marta familiari di padre Paolo Dall'Oglio 2019.01.30 Udienza Santa Marta familiari di padre Paolo Dall'Oglio  

Papa: takon në Vatikan familjarët e jezuitit Atë Dall'Oglio, peng në Siri

Ati i Shenjtë Bergoglio priti në audiencë në formë private në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, familjen e jezuitit italian Atë Paolo Dall'Oglio, marrë peng në vitin 2013 në Siri, pasi themeloi kuvendin murgar katoliko-siriak Deir Mar Musa, në veri të Damaskut.

R.SH. - Vatikan

"Sot paradite, Ati i Shenjtë Bergoglio priti në audiencë, në formë private, në Shtëpinë e Shën Martës familjen e jezuitit italian Atë Paolo Dall'Oglio, marrë peng në vitin 2013 në Siri, pasi themeloi kuvendin murgar katoliko-siriak Deir Mar Musa, në veri të Damaskut.

Audienca private u zhvillua në një klimë posaçërisht  të përzemërt, në të cilën morën pjesë nëna e jezuitit Dall'Oglio, katër motrat dhe një vëlla. Audienca përfaqëson një gjest dashurie dhe afërsie nga ana e Papës ndaj familjes së jezuitit italian të rrëmbyer në Siri në korrik 2013”, i cili me misionin e tij, u përpoq jashtëzakonisht për dialogun me Islamin. Kështu deklaroi drejtori i përkohshëm i Zyrës Shtypi të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, duke iu përgjigjur pyetjeve të disa gazetarëve.

Të lirohet atë Dall’Oglio dhe të gjithë njerëzit e rrëmbyer në Siri

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, më 26 korrik 2015, Papa Françesku kujtoi popullsinë siriane të stërmunduar nga konflikti i fundit dhe, përsëriti thirrjen për lirimin e jezuitit italian, atë Dall’Oglio, dy vjet (më 2015) pas rrëmbimit, si dhe të të gjitha pengjeve të tjera, në zonat e konfliktit.

Papa Françesku duke kërkuar lirimin e atë Paolo Dall’ Oglios, tha: “Bëj thirrje urgjente për lirimin e këtij rregulltari të nderuar! Nuk mund të harrojmë edhe ipeshkvijtë ortodoksë, të rrëmbyer në  Siri, si dhe të gjithë njerëzit e tjerë, rrëmbyer në zonat e konfliktit. Uroj që autoritetet vendase e ndërkombëtare të angazhohen, që këtyre njerëzve t’u rikthehet sa më shpejt liria. Me dashuri e pjesëmarrje në vuajtjet e tyre, dëshirojmë t’i kujtojmë në lutje”. 

30 janar 2019, 13:07