Kërko

Papa, rinisë autoktone: “Ta marrim kujtesën e së kaluarës, për të krijuar shpresë!”

Në videomesazhin e Papës drejtuar takimit të të rinjve autoktonë, që i paraprin DBR-së së Panamasë, duke nisur nga 17 deri më 21 janar, porosia: “Kujdesuni për kulturat tuaja! Për rrënjët tuaja! Për të krijuar shpresë!”.

R. SH. - Vatikan

“Kujdesuni për kulturat tuaja! Për rrënjët tuaja! E mos u ndalni me kaq: mbi këto rrënjë, rrituni, lulëzoni, prodhoni fryte të begata. Një poet ka shkruar: ‘Gjithçka i mbush degët e pemës me gjethe e lule, vjen  nga nëntoka, mbi të cilën mbiu e u rrit?’”.

E kjo - pohon Papa duke iu drejtuar të rinjve autoktonë - është sfida juaj sot! E edhe sfida  e takimit botëror, që i parapin DBR-së duke nisur nga 17 deri më 21 janar, në Soloy, Comarca, Ngabe-Bugle, dioqeza e Davidit, në Panama.

Në përfundim të Ditës Botërore të Rinisë në Krakov, në korrik 2016 –kujton Françesku në videomesazh - u pata thënë të rinjve vullnetarë: “Ta marrim kujtesën e së kaluarës sonë e të krijojmë prej saj shpresën, me guxim”. E kjo është edhe motoja, që zgjodhët për këtë takim botëror të rinisë autoktone.  

Françesku i përgëzon pjesëmarrësit për takimin, që i paraprin DBR-së, kushtuar posaçërisht të rinjve të popullsive autoktone, në nivel botëror, duke falënderuar edhe Seksionin për baritorinë vendase të Konferencës ipeshkvnore të Panamasë, që e organizoi, edhe me ndihmën e Këshillit ipeshkvnor latino-amerikan (CELAM).

Në videomesazh, Papa i nxit të pjesëmarrësit që takimi, në të cilin marrin pjesë qindra të rinj të popullsive të ndryshme autoktone, t’i ndihmojë për ta reflektuar e për ta kremtuar besimin e tyre në Jezu Krishtin, duke u nisur nga pasuria  mijëravjeçare e kulturave të tyre të zanafillës. E më pas, uron që ky të jetë rast për t’iu pëgjigjur ftesës, drejtuar rinisë në çaste të tjera, të jetë krenare për popujt e saj e guximtare përballë sfidave, që e rrethojnë, që të mund të ecë plot me shpresë në ndërtimin e një bote tjetër të mundshme.

Të kthehen tek kulturat e zanafillës. Të kujdesen për rrënjët, sepse pikërisht nga rrënjët vjen forca, që të bën të rritesh, të lëshosh shtat e të japësh fryte. Kjo - kujton Papa në videomesazh - duhet të jetë mënyra për t’i treguar botës fytyrën indigjene të Kishës sonë gjatë DBR-së, për të afirmuar angazhimin tonë në mbrojtje të shtëpisë së përbashkët e për të bashkëpunuar në ndërtimin e një bote tjetër të mundshme, më të drejtë e më njerëzore.

Françesku kujton edhe temat që, sipas programit, do të reflektohen, në kërkim të përgjigjeve, në perspektivë ungjillore, për situatat shkandulluese, të cilat i dënojnë miliona të rinj të botës të jetojnë në varfëri e në nëpërkëmbje. E, më pas, i fton të rinjtë autoktonë t’i kundërvihen kulturës së hedhurinës, të harresës së rrënjëve, që synon të krijojë një ardhmëri pa themele.

Në përfundim të videomesazhit, urimet dhe bekimi në gjuhën vendase:
“Jatuaida, Jamorogodre!

18 janar 2019, 16:06