Kërko

Vatican News
 Një çast nga shtegtimi i Papës në Kubë Një çast nga shtegtimi i Papës në Kubë 

Papa, për konferencën e Kubës: kultura e takimit, për një qytetërim gjithnjë më vëllazëror

Vijon, që pardje, në Pallatin e Kongreseve të Havanës, Konferenca IV ndërkombëtare “Për eukilibrin e botës”, që do të përfundojë nesër. Marrin pjesë shumë delegatë, ardhur nga vendet e të pesë kontinenteve. Në një mesazh, Françesku e miraton nismën.

R. SH. - Vatikan

Konferenca e Havanës është çast përfundimtar e kulmor i një projekti trevjeçar, organizuar nga Zyra e Programit Martian në Kubë, që synon të favorizojë studimin, njohjen dhe përhapjen e jetës dhe veprës së Josè Martí(Havanë, 28 janar 1853- Rio Cauto, 19 maj 1895), të cilin kubanët e konsiderojnë si njëri nga heronjtë më të mëdhenj kombëtarë. Figurë shumë  e rëndësishme në fushën e ideve, ishte filozof, poet e politikan, lider i lëvizjes për pavarësinë e Ishullit. I la trashëgim kulturës botërore një mori veprash. Po mjaftohemi të kujtojmë vetëm dy fjalë të urta, shkëputur nga vepra e tij, me vlerë aktuale:

“Çdo njeri i vërtetë duhet ta ndjejë mbi fytyrën e vet, shuplakën mbi faqen e tjetrit”, dhe “Njohja e kulturave të ndryshme, është mënyra më e mirë për t’u çliruar nga tirania e një kulture të vetme!”.

Disa nga temat e reflektimit, në Konferencë

Referate, diskutime e reflektime po prekin tema si: rëndësia e dialogut ndërkulturor, roli i sfidave të lëvizjeve të reja shoqërore, angazhimi për paqen, rreziqet dhe shpresat e teknologjive të reja të informacionit; lufta kundër çdo forme të diskriminimit. E akoma: roli i organizatave femërore dhe rinore dhe nevoja për të menduar e për të ndërtuar ekonomi të reja, të themeluara mbi lidhjet e harmonishme ndërmjet njerëzve dhe mjedisit të tyre natyror. Do të flitet edhe për organizmat fetare dhe kontributin e tyre  për paqen, për popullsitë autoktone dhe pakicat etnike; kontrastin e konsumit dhe trafikun e drogës. Nisma bën pjesë në një plan pune më të gjërë, titulluar “Projekti Josè Martí i solidaritetit Ndërkombëtar”, i sponsorizuar nga Unesco, lindur në vitin 2003.

Urimet e dhe vlerësimi i Papës

Pjesëmarrësve në Konferencën IV Ndërkombëtare “Për ekuilibrin e botës”, Papa Françesku u dërgoi një mesazh, në të cilin nënvizon qëllimin e punimeve, domethënë “synimin për të bashkuar vullnetet, që të kontribuojnë, përmes dialogut të frytshëm, në forcimin e vëllazërimit  ndërmjet kombeve”. Përballë ngjarjeve, që vënë në rrezik ekuilibrin e qytetërimi të sotëm, njerëzit vullnetmirë - shkruan Papa - duhet të bashkohen  e të takohen në nisma të kësaj natyre, në një kuadër pluraliteti, për të realizuar përparimin e vërtetë njerëzor”.

30 janar 2019, 14:28