Papa - Pax-Christi-t: të vijohet udha e çarmatimit bërthamor

Papa priti sot, në audiencë private, në Vatikan, këshilltarët e Pax Christi. Në qendër të dialogut, edukimi për paqe dhe ndalimi i armëve atomike.

R. SH. - Vatikan

Historia dhe angazhimi i Pax Christi në shërbim të paqes, edukimi për mbrojtjen e paqes në shkolla, në burgje, posaçërisht për të miturit,  e pastaj, tema e çarmatimit, shqetësimi lidhur me heshtjen e Italisë për të nënshkruar marrëveshjen e ndalimit të armëve bërthamore, kontekstet e ndryshme të luftës, nga Siria në Palestinë dhe vuajtjet që pësojnë fëmijët: ishte një dialog i hapur e i sinqertë, ai i këshilltarëve të Pax Christi me Papën, i cili i priti sot në audiencë private, në Vatikan. Kryetari i Lëvizjes, imzot Giovanni Ricchiuti, flet në përkim të plotë me fjalët  dhe gjestet e Françeskut.

Edukimi për paqen

“Nënvizuam se roli i Kishës duhet të jetë parësor në përpjekjen për çarmatim, në të gjitha kuptimet e në të gjitha drejtimet - tha imzot Giovanni Ricchiuti në mikrofonet e Vatican News. - Papa, pastaj, dialogoi  me ne, duke prekur të gjitha problematikat, që na interesonin. U ndal posaçërisht tek edukimi i fëmijëve për paqen, sepse edukimi duhet të nisë pikërisht nga fëmijët, të cilët sot mësohen me mesazhe dhe me objekte dhune, që i edukojnë me mendësi të dhunshme.

Këmbëngulja për ndërmjetësim

Françesku u dha zemër përfaqësuesve të Pax Christi të ngulmojnë mbi temat e edukimit për paqen dhe të vijojnë udhën e mbrojtjes dhe dëshmimit të paqes, duke e quajtur më të rëndësishme se të gjitha nismat e tjera, mbajtjen e qëndrimit mbi këtë temë - kujtoi imzot Giovanni Ricchiuti  Lidhur me politikën e mirë dhe përgjegjësinë e qeveritarëve e të qytetarëve për të jetuar në paqe, në një atmosferë besimi reciprok, Papa theksoi se edhe njerëzit e Kishës duhet të mësojnë shumë në këtë drejtim. Të mësojnë edhe artin e ndërmjetësimit. Konfliktet - nënvizoi - kapërcehen vetëm përmes udhëve të ndërmjetësimit, madje përdori edhe fjalën “kompromis” e, duke bërë shaka me këshilltarët, u tha: “Kompromisi në spanjisht, nuk është si kompromisi në italisht. Eshtë  pikërisht takim për të dialoguar. Domethënë, njëri bën një hap përpara, tjetri, mbrapa, për të medituar. Në spanjisht fjala ka kuptimin e artit për të  gjetur, gjatë takimit, fjalët e nevojshme, që ndihmojnë për kapërcimin e konfliktit”.

12 janar 2019, 18:28