Kërko

 Papa duke kremtuar Meshën kushtuar Mari, Nënë e Zotit Papa duke kremtuar Meshën kushtuar Mari, Nënë e Zotit 

Papa: pa nënat, në botë do të kishte vetëm ligësi e vetmi

Papa Françesku, në Meshën për solemnitetin e së Shenjtnueshmes Virgjër Mari, Nënë e Zotit, nënvizoi se falë Virgjërës. “Zoti u lidh me njerëzimin përgjithmonë”. Shikimi i Tij na kujton se për fenë është themelore dashuria”, pritë për vaktësinë; përqafimi i Tij është ilaç për vetminë, dora e tij na prin drejt udhëve të së mirës”.

R. SH. - Vatikan

“Bota mund të ketë shumë ‘fitime’, do të dyfishohen ndoshta (ndonëse nuk do të mjaftojnë për të gjithë), po nuk do të ketë të ardhme. Madje do të ketë ‘shkapërderdhje e vetmi’, ‘shpërbërje, helm e ligësi’”. Gati-gati profeci, kjo e Papës në fillim të vitit 2019, për një botë pa dashuri, pa aftësinë që ka nëna për dhurim e ngushëllim! Maria, simbol i gjithë nënave, rrezikohet të rëgjohet në një grumbull ndjenjash, pa perspektivë për të nesërrmen.

Gjatë Meshës, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, për solemnitetin e së Shenjtnueshmes Virgjër Mari, Nënë e Zotit, që përkon me Ditën e 52-të Botërore të Paqes, kushtuar temës së politikës së mirë, Papa ftoi të ndryshohet drejtimi e të riformulohet sjellja, duke rifituar përmasën e “mahnitjes”. Pa të, jeta, dhuratë, që na krijon mundësinë të rifillojmë gjithnjë, bëhet e rëndomtë e ngjyrë hiri.

Ta përtërijmë mahnitjen ditë për ditë

Kështu edhe feja. E edhe Kisha, ka nevojë ta përtërijë mahnitjen ditë pas dite, duke menduar se është banesë e Zotit të gjallë, Nuse e Zotit të gjallë, Nënë, që lind bij. Përndryshe rrezikohet t’i ngjasë një muzeu të bukur të së kaluarës. Kishë muze - kujtoi Papa - duke i nxitur të gjithë ta lëshojnë veten në dorë të Zojës, që nuk është optional, por që duhet pritur  si “Mbretëreshë e Paqes”, që e mund të keqen e na prin drejt udhëve të së mirës”. Zoti vetë e bëri, duke bërë njeriun e duke e vënë në gjunjtë e një nëne.

Zoti e njeriu, gjithnjë bashkë

“Zoti e njeriu, gjithnjë bashkë - e ky është lajmi i mirë i fillimvitit. Nuk është Zot i largët, vetmitar, që banon në qiell. Është Dashuri e mishëruar, e lindur si ne nga një nënë, për të qenë vëlla i secilit. Për të qenë pranë. Zot i afërsisë. Rri mbi gjunjtë e nënës së tij, që është edhe nëna jonë, e prej aty  dikon mbi njerëzimin një dashuri të re. E ne e kuptojmë më mirë dashurinë hyjnore, atërore e amtare, si ajo e një nëne, që nuk pushon së besuari në bijtë, të cilët nuk i braktis kurrë”.

Zoti - gjithmonë me-ne

“Është Zoti-me-ne- që na do, pavarësisht nga gabimet tona, nga mëkatet tona, nga mënyra si e bëjmë të ecë botën”- pohoi Papa. - E edhe Zoja, kur na shikon, nuk sheh mëkatarë, por bij…Sytë e Zojës dinë të shndrisin çdo skutë e të rindezin kudo shpresën”.

Sytë e saj amtarë dikojnë besim e përçojnë shpresë. Ky shikim amatar transmeton dhembshuri – fjalë që nganjëherë duan ta shlyejnë nga fjalorët - shtoi Papa duke folur lirisht - e na ndihmon të rrënjosemi në Kishë, “ku uniteti vlen më shumë se ndryshimet e na shtyn të kujdesemi për njëri-tjetrin”.

Dritëshkurtër, një botë pa sytë e nënës

Atëherë është dritëshkurtër - pohoi Papa - një botë, që e shikon ardhmërinë pa sytë amtarë:

“Do t’i shumojë ndoshta fitimet, po nuk do të dijë të shikojë në njerëzit, bij. Do të ketë  pasuri. Por jo për të gjithë. Njerëzit do të banojnë nën të njëjtën strehë, por jo si vëllezër. Familja njerëzore bazohet mbi nënat. Një botë pa dashuri amtare, mund të jetë e pasur me gjëra, por jo me të nesërme”.

Ta lëmë Nënën të na marrë për dore

Ta lëmë Nënën të na marrë për dore - bëri thirrje Ipeshkvi i Romës, duke kujtuar figurën e nënave, që i marrin fëmijët për dore e u prijnë me dashuri në jetë! Por sa fëmijë sot - vërejti - duke jetuar për llogari të vet, e humbasin drejtimin, besojnë se janë të fortë, e bëhen të ligësht, bëhen skllevër. E sa, për fat të keq, sillen me gjithçka e me të gjithë plot helm e ligësi. Sjellja plot ligësi nganjëherë duket si forcë. Por është veç ligështi”.

Kemi nevojë të mësojmë nga nënat se heroizëm do të thotë të dhurohesh; se qëndresë do të thotë të kesh mëshirë, e urti do të thotë butësi. Edhe vetë Zoti nuk mundi të bënte pa nënë. Aq më tepër, ne.

Papa e përfundoi homelinë, duke iu drejtuar Zojës me fjalët:

“Na merr për dore, Mari. Të kapur fort pas teje, do të mund t’i përballojmë  ankthet e historisë”.

 

 

 

01 janar 2019, 13:21