Mesha në Shën Martë Mesha në Shën Martë 

Papa në Shën Martë: kultura e indiferencës i bie ndesh dashurisë

Papa Françesku, në homelinë e mbajtur gjatë Meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, komentoi Ungjillin e shumëzimit të bukëve. “Zoti e bën hapin e parë - pohoi - e na do, sepse ka dhimbje e mëshirë për ne. E dashuri do të thotë të vesh në lojë vetë zemrën. Dashuri do të thotë mëshirë. Do të thotë ta rrezikosh zemrën tënde, për të shpëtuar zemra të tjera”.

R. SH. - Vatikan

“Zoti e bën hapin e parë” e na do, sepse ka dhimbje e mëshirë për ne, ndërsa ne, edhe nëse jemi të mirë, shpesh herë nuk i kuptojmë nevojat e të tjerëve e i shikojmë me indiferencë. Ndoshta pse dashuria e Zotit nuk ka hyrë në zemrat tona”. Pohim i Papës Françesku - ky - gjatë homelisë të Meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, kremtuar për shpirtin e kryeipeshkvit Giorgio Zur, ish-nunc apostolik në Austri, që banonte nën një strehë me Françeskun, ku ndërroi jetë, dje. Papa u frymëzua nga liturgjia e sotme, posaçërisht nga rrëfimi ungjillor mbi shumëzimin e bukëve, sipas Shën Markut.

Zoti bëri hapin e parë e na deshi

“Ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria vjen nga Zoti” - kujtoi Papa, duke cituar fjalët e Shën Gjonit, nga Leximi i Parë, në të cilin Apostulli shpjegon sesi u dëftua dashuria e Zoti në ne: “Zoti  dërgoi në botë Birin e Tij të vetëm, që përmes Tij, të kemi jetë”. E ky është misteri i dashurisë - sqaroi Françesku. - Zoti na deshi i pari! Ai e bëri hapin e parë. Hap drejt  njerëzimit, që nuk di ç’është dashuria e që prandaj ka nevojë për ledhatimet e Zotit, për dëshminë e Zotit, që të mësojë ç’do të thotë të duash e jo të urresh! “E hapi i parë,  që bëri Zoti, është i Biri: na e dërgoi për të na shpëtuar, për t’i dhënë kuptim jetës sonë, për të na përtërirë, për të na rikrijuar”.

Në brigjet e liqenit  të Tiberiades, Jezusi ka mëshirë për turmën

Më pas Françesku u ndalua posaçërisht tek Ungjilli i Shën Markut,  kushtuar shumëzimit të bukëve e të peshqve. Para një skene të tillë, të paparë e të padëgjuar, të lind menjëherë pyetja: “Pse  e bëri?”. E bëri për mëshirë! Pati mëshirë për turmën e madhe, të cilën e pa nësa po zbriste nga barka, në brigjet e liqenit të Tiberiades. I dhembi për gjithë ata njerëz, që ishin si dhentë pa bari:

“Zemra e Zotit, zemra e Jezusit u prek thellë. I pa ata njerëz e nuk mundi ta kthejë kokën mënjanë. Dashuria nuk të lë rehat. Dashuria nuk mund ta pranojë indiferencën. Dashuria nuk mund të mos ketë dhimbje e mëshirë. Por dashuri do të thotë të vesh në lojë vetë zemrën. Dashuri do të thotë mëshirë. Do të thotë ta rrezikosh zemrën tënde, për të shpëtuar zemra të tjera”.

Dishepujt përpiqen të gjejnë ushqim për turmën

Më pas Papa përshkroi skenën, në të cilën Jezusi u mëson njerëzve shumë gjëra, e dishepujt, më në fund, mërziten “sepse Jezusi thoshte gjithnjë të njëjtat fjalë”. E ndërsa Krishti fliste me dashuri e përdëllim, ata ndoshta edhe nisën të pëshpërisin ndërmjet tyre. Më në fund, edhe të shikojnë orën: “E po tani u bë vonë…”. E Françesku vijoi të citojë Shën Markun: “Mësues - i thanë - vendi është i shkretë e tashmë u bë vonë; ndaju sosh, që të mund të gjejmë ndonjë gjë për të ngrënë”.  Për vete e kishin bukën, por mendonin ta shpërndanin turmën, që të shkonte e ta gjente vetë ushqimin. Ishin indiferentë:

“Dishepujve nuk u interesonin shumë njerëzit, u interesonte Jezusi, sepse e donin  fort. Nuk e dinin ç’do të thotë mëshirë. Po Jezusi u jep një urdhër të prerë: ‘jepuni ju vetë të hanë!’. Kjo është lufta ndërmjet mëshirës së Jezusit e indiferencës, që vijon të përsëritet në histori, gjithnjë, gjithnjë…”.

Ka shumë njerëz të mirë, por që nuk i kuptojnë nevojat e tjetrit, nuk janë të aftë për mëshirë. Ndoshta janë kështu, sepse dashuria e Zotit nuk ka hyrë në zemrat e tyre, ose nuk e kanë lënë të hyjë.

Fotografia e të pastrehëve

E këtu Papa përshkroi një fotografi të varur në mur, realizuar nga një djalosh romak, dhuruar kardinalit Krajewski, që drejton Lëmoshtarinë Apostolike:

“Në foto shikojmë një natë dimri, gjë që duket edhe përmes veshjeve të njerëzve, të cilët po dalin nga restoranti. Njerëz të mbështjellë mirë me pallto e shalle, të ngopur e të kënaqur, mes miqsh. E këtu ështe edhe një i pastrehë, me dorën shtrirë drejt tyre. Po njerëzit nuk e shikojnë. I kanë sytë nga ana tjetër. E kjo është kultura e indiferencës. E fotografuar! E po këtë bënë edhe apostujt. I thanë Zotit të ndahej prej turmës, që njerëzit të shkonin fshatrave, në terr, të uritur për vdekje… Punë për ta! Për vete kemi ç’të hamë. Kemi pesë bukë e po aq peshq!”.

E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por indiferenca

 E kundërta e dashurisë zakonisht është urrejtja, por në zemrën e shumë njerëzve kjo urrejtje është e pavetëdijshme:

“E kundërta më e zakonshme e dashurisë së Zotit, e mëshirës së Zotit, është indiferenca: indiferenca! Unë jam i kënaqur! Nuk më mungon asgjë. E kam siguruar këtë jetë, madje edhe jetën tjetër, të pasosurën, sepse shkoj çdo të dielë në meshë e jam i krishterë i mirë! Por kur dal nga restoranti, e kthej kokën mënjanë. E pikërisht kjo sjellje është indiferencë! Ta lusim Zotin ta shërojë njerëzimin, duke nisur prej nesh.T’i lutemi të na e shërojë zemrën nga kjo sëmundje, që është kultura e indiferencës”.

E në përfundim të homelisë, Françesku i bëri një urim të përzemërt Kiko Arguello-s, nismëtar i Ecjes neokatekumenale, me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes, duke e falënderuar për zellin apostolik, me të cilin punon për Kishën.

08 janar 2019, 14:11