Kërko

 Mesha në Shën Martë Mesha në Shën Martë 

Papa në Shën Martë: konkretësia, kriter i krishterimit

Gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shën Martë, Françesku kujtoi se Zoti u bë “konkret”, lindi nga një grua konkrete, jetoi një jetë konkrete, vdiq me një vdekje konkrete e na kërkon të duam vëllezër e motra konkrete.

R. SH. - Vatikan

Urdhërimet e Zotit janë “konkretësi”: e ky është edhe kriteri i krishterimit, jo “fjalët e bukura”. Këtë theksoi Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shën Martë, pas ndërprerjes për festimet e Krishtlindjes.

E më pas u lut që  Shenjtorët - Papa i quajti “të çmendurit e konkretësisë” - të na ndihmojnë të ecim në këtë udhë e të dimë t’i dallojmë sendet konkrete,  që i do Zoti, e jo fantazitë dhe iluzionet e profetëve të rremë. Duke reflektuar mbi Letrën e Parë të Shën Gjonit apostull, Françesku theksoi se Zoti na jep çdo gjë, që ia kërkojmë, “me kusht”-  shpjegoi Papa - që të vëmë në jetë Urdhërimet e të bëjmë çka është e pëlqyeshme para syve të Tij.

Portë e hapur

Hyrjen, që të çon tek Zoti, mund ta hapësh kur të duash - vijoi Papa - e për të gjetur çelësin, mjafton këshilla e apostullit: të besojmë në emër të Birit të Tij, Jezus e ta duam njëri-tjetrin: vetëm kështu mund të kërkojmë gjithçka, me guxim, pa farë frike - shtoi Françesku:

“Të besosh se Zoti, Biri i Hyut, u mishërua, u bë një nga ne! Kjo është feja në Krishtin: në një Jezu Krisht - Zot konkret, që u zu në kraharor të Marisë, lindi në Betlehem, u rrit si gjithë fëmijët, iku në Egjipt, u rikthye në Nazaret, mësoi të lexonte e të punonte me të atin, e pastaj nisi edhe të predikonte… konkretisht. Ishte njeri konkret, njeri-Zot, por njeri. Nuk ishte Zot i veshur tepdil si njeri. Jo! Njeri, Zot i bërë njeri. Me korp: Korpi i Krishtit. Kjo, konkretësia e Urdhërimit të parë!”.

I dyti është edhe më konkret. Të duash, të duhemi njeri me tjetrin, me dashuri konkrete, jo dashuri fantazirash: “Të dua fort, aahhh! Sa shumë të dua!”, e pastaj me gjuhën time, të shkatërroj! Me thashetheme… Jo, jo, kjo nuk është dashuri. Dashuri konkrete. E kjo do të thotë se urdhërimet e Zotit janë konkretësi, e kriteri i krishterimit është konkretësia, jo idetë e fjalët e bukura, që i merr era.. Konkretësi. Kjo, sfida.

Vigjilencë shpirtërore  

Shën Gjoni Apostull, i apasionuar pas mishërimit të Zotit - vuri në dukje Papa - na nxit, më pas, t’i vëmë shpirtrat në provë. Jeta e të krishterit  është konkretësi e fesë në Jezu Krishtin e në dashurinë e krishterë, por është edhe vigjilencë shpirtërore.:

“Jeta e të krishterit është konkretësi e fesë në Jezu Krishtin e në dashuri, por është edhe luftë, sepse të vijnë gjithnjë ide të rreme, ose profetë të rremë, që të propozojnë një Krisht ‘soft’… pa shumë mish, me dashuri pakëz relative për të afërmin e … ‘ Po, këto po, janë nga na ime, kurse këto të tjerët, jo…’”

Profetët e rremë

Papa na nxit të besojmë në Krishtin, që erdhi mes nesh i mishëruar;  të besojmë në dashurinë “konkrete” e ta shqyrtojmë shpirtin, sipas së vërtetës së Mishërimit të Fjalës e të dashurisë konkrete, për të kuptuar nëse “shpirtrat”, domethënë, frymëzimet - na vijnë me të vërtetë nga Zoti. Sepse shumë profetë të rremë erdhën në botë: djalli - theksoi Papa - kërkon gjithnjë “të na largojë nga Jezusi”. Prandaj është shumë e nevojshme vigjilenca shpirtërore. Pavarësisht nga mëkatet e bëra - reflektoi Françesku - i krishteri, në perëndim të ditës, duhet të ndalohet dy- tre minuta e të shqyrtojë ç’ka ndodhur në zemrën e tij, ç’frymëzim ose “ç’ marrëzi e Zotit” i erdhi në mendje e në zemër. Sepse Shpirti Shenjt nganjëherë të shtyn të bësh marrëzi, “po marrëzi të mëdha”. Si ajo e një njeriu - i pranishëm në Meshën e sotme - i cili  prej 40 vjetësh u largua nga Italia e u nis e shkoi misionar ndërmjet të gërbulurve, në Brazil; ose marrëzia e Françeska Cabrinit, që e kaloi gjithë jetën në shtegtim, duke u kujdesur për emigrantët. Ftesa është:  të mos kini frikë e të shqyrtoni:

“E kush mund të më bëjë të shqyrtoj? Populli i Zotit, Kisha, vëllai, motra, që kanë karizmën të të ndihmojnë për të parë qartë. Prandaj për të krishterin ka shumë rëndësi biseda shpirtërore me njerëz, që kanë autoritet shpirtëror. Nuk është e nevojshme të shkosh tek Papa ose tek ipeshkvi, për të parë nëse çka ndjen është e mirë. Ka shumë njerëz, që mund të të ndihmojnë, për të mos gabuar. Edhe Jezusit iu desh ta bënte këtë, në fillim të jetës, kur djalli e vizitoi në shkretëtirë dhe i propozoi tri gjëra, që nuk ishin sipas Shpirtit të Zotit e Ai e dëboi djallin me Fjalën e Zotit. Nëse Jezusit i ndodhi kjo, mendo ç’mund të na ndodhë ne! Mos kini frikë, prandaj!”.

Disiplina  e Kishës

Populli i Zotit shkon përpara gjithnjë në konkretësi, me konkretësinë e  dashurisë, të fesë, të Kishës. E ky është edhe kuptimi i disiplinës së Kishës. Kur disiplina e Kishës është konkrete, ndihmon për t’u rritur, duke shmangur filozofitë e farizejve apo të saduçejve. Është vetë Zoti - përfundoi Françesku - që u bë konkret, u lind nga një grua konkrete, jetoi një jetë konkrete, vdiq me një vdekje konkrete! Është Ai, që na kërkon  të duam vëllezër e motra konkrete, “edhe pse disa prej tyre nuk është aspak e lehtë t’i  duash”.

07 janar 2019, 15:50