Kërko

 Mesha në Shën Martë Mesha në Shën Martë 

Papa në Shën Martë: feja fiton mbi shpirtin e botës, që përçan

Nëse ti nuk e do vëllain, nuk mund ta duash as Zotin! E kujtoi sot paradite Papa, gjatë Meshës kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke nënvizuar se feja të jep forcë të lutesh për të gjithë, edhe për armiqtë, të mos pushtohesh nga zilia e smira e, sidomos, të mos e marrësh tjetrin nëpër gojë kot.

R. SH. - Vatikan

Për ta dashur Zotin me gjithë zemër, duhen dashur po kështu, edhe vëllezërit. Domethënë, duhet të lutesh për ta, simpatikë a antipatikë qofshin, e duhet të lutesh edhe për armikun, pa e lejuar veten të pushtohesh nga zilia e smira e pa u marrë me thashetheme, që i shkatërrojnë njerëzit. Nxitje e fuqishme për dashuri, kjo, që u drejtoi sot Papa besimtarëve, gjatë homelisë, mbajtur në Meshën e kremtuar në Shën Martë. Nuk është e lehtë t’i mposhtësh këto prirje shkatrrimtare - kujtoi - por as e pamundur. Çka na jep forcë të duam kështu, është feja, që ngadhënjen gjithnjë mbi shpirtin e botës, shpirt rrenacak e gjithnjë gati për të ushqyer përçarje.

Shpirti i botës është rrenacak

Reflektimi i Papës u shtjellua, duke u nisur nga Letra e Parë e Shën Gjonit Apostull (1Gjn 4,19-5,4), e propozuar nga Liturgjia e sotme. Shën Gjoni Apostull flet për këtë shpirt, duke na siguruar se ata që lindin nga Zoti, janë të aftë ta mundin shpirtin e botës. E, kur thotë kështu, kujton luftën e përditshme kundër shpirtit të botës: është gënjeshtar, shpirt i dukjes, shpirt i kotësisë, i sendeve të paforcë, të pathemel, që i pret shembja e pashmangshme - nënvizoi Françesku. Janë si ëmbëlsirat, që gatuhen për Karnavale - si petullat me majà birre - të cilat në dialektet italiane quhen edhe “bugie”- “gënjeshtra” - sepse nuk janë të mbushura përbrenda, por bosh. Kështu është edhe shpirti i botës, “i mbushur me ajër” e të gënjen, sepse është bir i mashtrimit.

Shpirti i botës e përçan gjithnjë familjen, bashkësinë, shoqërinë. Apostulli, ndërkaq, na tregon udhën e konkretësisë së Shpirtit të Zotit, që nuk shkon pas fantazive. Nëse ti e ke shpirtin e Zotit - kujtoi Papa - do të bësh patjetër gjëra të mira. Edhe po të duash, s’të lë ai të bësh keq! E Shën Gjoni ungjilltar na thotë një gjë, që duhet ta kemi mirë parasysh ditë për ditë: “Kush nuk e do vëllain e vet, të cilin e shikon, nuk mund ta dojë as Zotin, të cilin nuk e sheh”. “Nëse ti nuk je i zoti të duash një gjë që e shikon, si po mundke të duash çka nuk e shikon?”.  Kjo është fantazi - vërejti Françesku - duke i nxitur të gjithë të duan “atë që e shikojnë, që mund ta prekin, që ësht reale”. E jo, fantazitë, që nuk i shikon:

“Nëse ti nuk je i aftë ta duash Zotin konkretisht, nuk është e vërtetë as se e do. E shpirti i botës është shpirt i përçarjes e kur ngatërrohet nëpër këmbët e familjes, të bashkësisë, të shoqërisë, krijon gjithnjë përçarje, gjithnjë. E përçarjet vijojnë të rriten e të rriten, derisa  lind urrejtja, nis lufta… Po Gjoni shikon edhe më tej e na kujton: Nëse ndonjëri  thotë ‘unë e dua Zotin’, por e urren vëllain e vet, s’është tjetër, veçse rrenacak; domethënë, i biri i shpirtit të botës, që është gënjeshtër e pastër, dukje e pastër, jo gjë tjetër.  E kjo është diçka, që duhet reflektuar seriozisht. Unë, e dua Zotin? Atëherë të shkojmë e të shikojmë si e do vëllain: të shikojmë a e do, apo s’e do!”.

Papa Françesku u ndalua posaçërisht mbi tre sinjale, që tregojnë e do apo s’e do vëllain. Nëse do t’i qeshësh, kjo mund të bëhet në një mori mënyrash: edhe palaçot e cirkut qeshin me buzë, ndërsa shpesh herë zemra u qan. Prandaj të vësh a të mos e vësh buzën në gaz, kjo nuk ka pikë rëndësie. Rëndësi nuk ka buza që qesh, por zemra, që lutet. Prandaj, para së gjithash, Papa na nxit të lutemi për të afërmin, edhe për njeriun, që e kemi antipati, që e dimë mirëfilli se nuk na do; madje, edhe për atë, që të urren, edhe për armikun, siç vijon të na e kujtojë Jezusi. Nëse nuk lutem, është sinjal, që tregon se nuk dua:

“Sinjali i parë është pyetja, që duhet t’ia bëjmë të gjithë vetvetes: unë, a lutem për njerëzit? Për të gjithë, konkretisht! Për kë më do e kë s’më do, për kë e kam simpati e kë e shikoj shtrembër, për miq e për armiq”.

Sinjali i dytë: kur më pushton zilia, smira e më lind dëshira t’i uroj tjetrit gjithë të zezat… ky është sinjal, që tregon se ti nuk di të duash. Ndal! Mos i lejo të rriten këto ndjesi të liga… mos i lërë të rriten, janë të rrezikshme. Ta ngulim mirë në zemër e në kokë: nëse unë përgojoj, do të thotë, se nuk e  dua Zotin, sepse me thashethemet e mia e rrënoj tjetrin. Përgojimet janë si karamelet me mjaltë, të mira, të ëmbla, që të pëlqen t’i hash njëra pas tjetrës. E pastaj të shkatërrojnë stomakun. Njëra ndjek tjetrën e vjen, pastaj, edhe rrënimi. Njëlloj si me thashethemet, të cilat në fillim të duken të ëmbla, pa menduar se shkatërrojnë. E kjo është shenjë, që tregon se ti nuk do e as nuk di të duash.

Feja, ndihmë në luftën kundër shpirtit të Botës

Nëse një njeri i jep fund thashethemeve në jetën e vet, mua më duket se është shumë pranë Zotit, sepse - shpjegoi Françesku - kur nuk përgojon,  e ruan tjetrin, ruan Zotin, në tjetrin:

“E shpirti i botës mposhtet me këtë shpirt të fesë: me besimin se Zoti është në vëllain tim, në motrën time. Ky është ngadhënjimi i fesë sonë mbi botën. E në këtë rrugë mund të ecësh me shumë fe, jo me mendime njerëzore, sado të mira qofshin. Jo, jo, nuk duhen gjë! Ndihmojnë, por jo për luftën. Vetëm feja të jep forcë të mos e marrësh tjetrin nëpër gojë, të lutesh për të gjithë, miq e armiq e të mos lejosh që në zemrën tënde të mbretërojnë zilia e smira”.  

10 janar 2019, 14:11