Kërko

 Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot 

Papa në Engjëllin e Tënzot: Jezusi e bekon familjen njerëzore

Bekimi më i bukur për secilin prej nesh, në këtë ditë të parë të Vitit të Ri 2019: “Zoti të bekoftë e të ruajtë! Të shndritët me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet kah ti e të dhashtë paqe” (Nm 6, 24-26)

R. SH. - Vatikan

Gjatë lutjes së parë të Engjëllit Tënzot të vitit të ri 2019, Papa tha: "Jezu Krishti, Shpëtimtari i botës, është Bekim për çdo person dhe për të gjithë familjen njerëzore, Ai është burim i hirit, mëshirës dhe paqes. Politika është e mirë deri në masën që çdokush e bën pjesën e tij në shërbim të paqes" 

Prandaj, “si barinjtë e Betlehemit, vijojmë t’ia ngulim sytë Nënës së Shenjtë të Zotit e Foshnjës, që mban në krahë. E kështu, duke na treguar Jezusin, Shëlbuesin e botës, ajo, Nëna, na bekon”. Këto, fjalët e para të Papës në lutjen e Engjëllit të Tënzot sot, dita e tetë pas Krishtlindjes, kur Kisha kremton Nënën e Shenjtë të Zotit e me Të… :

“Bekon udhën e çdo burri e të çdo gruaje në këtë vit, që sapo filloi e që do të jetë i mirë në atë masë, me të cilën secili nesh do ta pranojë mirësinë  e Zotit, të cilën Jezusi erdhi t’ia sjellë botës”.

Në qendër të vëmendjes në këtë lutje të parë të Vitit 2019 drejtuar Krishtit e Nënës së Tij hyjnore, Papa e vuri kryesisht theksin mbi bekimin e Zotit. Ky bekim është në qendër të urimeve, që shkëmbejmë këto ditë. Ky i jep  kuptim ditëve, që na presin.  E edhe vetë liturgjia  përsërit sot bekimin tejet të lashtë, të cilin ua drejtonin popullit priftërinjtë izraelitë. Bekimi më i bukur për secilin prej nesh, në këtë ditë të parë të Vitit të Ri 2019:

Bekimi më i bukur, për secilin prej nesh

“Zoti të bekoftë e të ruajtë! Të shndritët me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet kah ti e të dhashtë paqe”. (Nm 6, 24-26)

Prifti e përsëriste tri herë rresht emrin e Zotit, duke shtrirë duart kah populli i mbledhur. Kështu emri i Zotit pushonte mbi çdo njeri, mbi çdo familje, mbi çdo bashkësi, për t’u dhënë forcën, mëshirën, paqen, që gurrojnë prej Tij.

Fytyra e Zotit – në Jezu Krishtin

Sipas shkrimeve Shenjte, fytyra e Zotit - kujtoi Papa - është e padukshme për njeriun! Askush nuk mund ta shohë e të mbetet i gjallë. E kjo tregon transhendencën e Zotit, madhërinë e pafundme të lumnisë së Tij. Ashtu si dielli, që nuk mund të shihet, rrezaton hirin e vet mbi çdo krijesë.  Por - vijoi të kujtojë Papa në Engjëllin e Tënzot - kur u përmbush koha, Zoti  u dëftua në fytyrën e një njeriu, Jezusit, “lindur nga gruaja”.

Ikona e Solemnitetit të sotëm

E pikërisht këtë grua, në qendër të festës së sotme, kujtoi Papa: ikonën e Nënës Shenjte të Zotit, që na tregon Birin, Jezu Krishtin, Shëlbuesin e botës:

“Ai është bekim për çdo njeri e për mbarë familjen njerëzore. Është gurrë hiri, mëshire, paqeje”.

1 janari, Dita Botërore e Paqes

Prandaj - shpjegoi në vijim Papa - Pali VI deshi që 1 janari të ishte Ditë Botërore e Paqes - sot e 52-ta, me temë: “Politika e mirë është në shërbim të paqes”. E, duke e kujtuar këtë, nuk mendojmë se politika u takon vetëm qeveritarëve. Të gjithë përgjigjemi për jetën  e “qytetit”, për të mirën e përbashkët. Politika është e mirë në atë masë, me të cilën i shërben secili nesh:  

“Na ndihmoftë në këtë angazhim të përditshëm, Nëna e Shenjtë e Zotit”.

Përshëndetje dhe urime

Në përfundim të lutjes, urimi për paqe e prosperitet, duke nisur nga ai drejtuar Presidentit të Republikës Italiane, për të kaluar tek romakët, tek shtegtarët e panumërt, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit dhe tek përfaqësuesit e nismave të ndryshme për paqen, si ajo titulluar “Paqe në të gjitha trojet”, organizuar sot nga Bashkësia e Shën Egjidit.

Së fundi, bekimi:

“Me ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, Zoti premtoftë të bëhemi mjeshtra të paqes çdo ditë të Vitit të Ri. E, mos harroni, ju lutem, të thoni një uratë për mua!”.

01 janar 2019, 13:10