Papa në audiencën e përgjithshme: t’i lutemi Zotit, si fëmija atit

Në audiencën e përgjithshme Françesku, duke vijuar katekizmin kushtuar “Atynës”, kujtoi se Zoti nuk është vetëm atë: i ngjet edhe nënës, që nuk pushon kurrë s’e dashuri krijesën e vet.

R. SH. - Vatikan

“Edhe në çastet ‘e vështira’, kur ecim shtigjeve të shtrembëra, larg Zotit,   të braktisur nga bota, të paralizuar nga barra e fajit,  e gjejmë aq forcë sa të lutemi, duke nisur nga fjala ‘Abbà, Atë’. E këtë fjalë e themi me njomësinë e fëmijës, që thërret “Abbà, baba”. Këtë na kujtoi Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI.

Zoti na do gjithkund, gjithmonë

Gjatë reflektimit mbi Letrën e Shën Palit Apostull drejtuar romakëve, Papa e vijoi katekizmin kushtuar Atynës, duke na siguruar se po t’i lutemi Zotit, Ai nuk do të na e fshehë kurrë fytyrën e Tij. E nuk do të heshtë, sepse nuk na i ndan sytë. Vijon të na dojë me dashuri besnike: na kërkon, na dëshiron, shikon në shpirtin tonë bukurinë, edhe kur i shkapërderdhim  talentet:

“Zoti nuk është vetëm atë! Është edhe si nënë, që nuk pushon kurrë s’e dashuri krijesën e vet. Nga ana tjetër, është edhe një ‘shtatzani’, që vijon shumë përtej nëntë muajve të shtatzanisë fizike; është shtatzani, që lind një  rreth të pafundmë dashurie. Për të krishterin, të lutesh do të thotë të shqiptosh thjesht një emër: ‘Abbà’; të thuash ‘Atë’, të thërrasësh ‘babën’, me besimin e fëmijës”.

Fjala  “Atë”

Zoti nuk na e fsheh fytyrën, as kur jemi të zhytur në hidhërimet tona: Ai nuk mbyllet në heshtje. Ti thuaji “Atë”, e Ai do të përgjigjet. Ti e ke një atë! “Po, por unë jam keqbërës…”. “Je si je, e ke atin, që të do! Thuaji ‘Atë’, nise kështu lutjen, e Ai, në heshtje, do të të kujtojë se vijon të të ndjekë me sy, kudo e kurdoherë”.  “O atë, unë s’kam lënë gjë pa bërë…”. “Po e ke një atë, që të do! Thuaji ‘Atë’, nise lutjen kështu e ai, në heshtje, do të të thotë se të ndjek kudo me sy. Se i shikon të gjitha. E megjithatë, mbetet gjithnjë pranë teje, plot me dashuri besnike. Kjo do të jetë përgjigjja. Mos harro kurrë të thuash ‘Atë’, në gaz a në vaj!”.

Themelorja në lutje  

 Në Besëlidhjen  e re  - shtoi Papa – lutja  duket sikur dëshiron  “të arrijë tek ajo, që është themelore, derisa të përqendrohet pikërisht tek fjala “Abbà, Atë”. Shën Pali - kujtoi në vijim Françesku - kur i lutet Zotit, ruan fjalën aramaike. Gjë që është risi e Ungjillit:

“Pasi e njeh Jezusin dhe ia dëgjon predikimin, i krishteri nuk e shikon më Zotin si tiran, që të tremb; nuk ka më frikë prej Tij, ndjen si i lulëzon në shpirt besimi në Të: mund të flasë me Krijuesin, duke e thirrur ‘Atë’. Shprehja për të krishterin është aq e rëndësishme, sa shpesh herë u ruajt në formën e zanafillës: ‘Abbà’”.

Lidhja e fëmijës me atin

Duhet të përfytyrojmë - shpjegoi - se në fjalët aramaike mbeti si i “regjistruar” vetë zëri i Jezusit. Në fjalën e parë të Atynës - reflektoi Papa - gjejmë menjëherë risinë rrënjësore të lutjes së krishterë. Nuk është fjala vetëm për të përdorur një simbol, atë të figurës së Atit, për t’u lidhur me misterin e Zotit, por për ta pasur gjithë botën e Jezusit të derdhur në zemrën tonë. Të thuash “Abbà” - vijoi Papa - është diçka shumë më intime, më prekëse, sesa ta thërrasësh Zotin thjesht “Atë”:

“Ja pse ndokush propozoi që kjo fjalë të përkthehej në aramaiken origjinale ‘Abbà’, ose Baba. Ne vijojmë të themi ‘Ati ynë’, por zemra na grish ta quajmë ‘Baba’, të lidhemi me Zotin, si lidhet fëmija me atin e vet, të cilën e thërret ‘babë’”.

Me zemër fëmije

Këto shprehje na kujtojnë dashurinë, ngrohtësinë, diçka - vijoi Françesku -  që na çon në moshën foshnjore: na kujtojnë figurën e fëmijës të pushtuar krejtësisht nga krahët e atit, që ndjen një dashuri të pafundme për të:

“Prandaj, të dashur vëllezër e motra, nëse duam të lutemi mirë, duhet të kemi zemër fëmije. Jo zemër sa për vete. Me të nuk mund të lutesh mirë, si fëmijë, në krahët e të atit, të babit të tij”.

Fjalë, që marrin jetë

Atyna - vijoi Papa - merr kuptim e ngjyrë, nëse mësojmë të lutemi,  pasi  kemi lexuar shëmbëlltyrën e atit të mëshirshëm, siç na e rrëfen Shën Luka Ungjilltar, duke folur për djalin plangprishës, në çastin e përqafimit të babait të mëshirshëm, që e kishte pritur tepër gjatë. Ati, i dëshiruar për  birin, nuk e pret me fjalë fyese. Përkundrazi. I përgjëruar, i kujton sa i kishte munguar. Këto fjalë - kujtoi Françesku - marrin jetë, marrin forcë:

“Po ta pyesnim Zotin: thua është e mundur që Ti, o Zot, di vetëm të duash? Nuk di kurrë të urresh? - Jo - do të gjegjej - di vetëm të dua. Po ku është atëherë, hakmarrja jote, ku është pretendimi për drejtësi? Zemërimi, për zemrën tënde të plagosur nga pabesia? E Zoti do të gjegjej: Unë njoh vetëm dashurinë”.

Babai i shëmbëlltyrës ka një sjellje, që na kujton, në një farë mënyre, shpirtin e nënës. Sepse pikërisht nënat i falin fëmijët, ua fshehin fajet,  i duan gjithnjë,  edhe kur nuk meritojnë më gjë prej gjëje.

Përshëndetjet, në përfundim të audiencës

Në përshëndetjet përfundimtare ndër gjuhë të ndryshme, Papa kujtoi posaçërisht Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, që nis këtë të premte, në të cilën Françesku uroi të thellohen lutjet dhe pendesët tona, që të mund të arrijë sa më shpejt ajo orë, kur të përmbushet lutja e zjarrtë e Jezusit drejtuar Atit: ‘Abbà…, ut unum sint”! Atë, premto që të gjithë të jenë një gjë e vetme! Duke iu drejtuar, pastaj, shtegtarëve polakë, kujtoi grupin e Shenjtërores së Shën Stanislaut, Pajtor i Polonisë, që kremton përvjetorin e vizitës së Shën Gjon Palit II në këto vise, pak para zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit.

16 janar 2019, 13:44