Papa: mos shkoni pas shkëlqimit të pushtetit, drita e Zotit nuk është në të.

Për ta gjetur Jezusin, duhet marrë udha e Tij, udha e dashurisë së përvuajtur! Këtë theksoi Papa Françesku sot, gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit. Mbretërit Dijetarë, që përfaqësojnë mbarë popujt, e gjejnë Jezusin - kujtoi Françesku - “po jo atje, ku mendonin”.

R. SH. - Vatikan

Sot, në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke nisur nga ora 10.00, Papa kryesoi meshën e Solemnitetit të Dëftimit të Zotit para gjithë popujve, të përfaqësuar nga Tre Mbretërit Dijetarë. Ai erdhi për të gjithë, e simboli i kësaj ardhjeje, është drita, që ndriçon  gjithkënd e gjithkund!

Zoti nuk u dëftohet njerëzve të pushtetshëm

Françesku nënvizoi se Zoti dëftohet në mënyrë krejt të mahnitshme, për të përshkruar, më pas, skenën ungjillore, duke na çuar në pallatin e mbretit Herod, ku gjithçka është në lëvizje të shqetë. Shqetësim i lindur nga arritja e Tre Mbretërve Dijetarë, që pyesin sakaq: “Ku është Ai që lindi, Mbreti i Judenjve?”. Flitet, pra, për një mbret. E ky nuk është Herodi!

Mbreti i Historisë lind në heshtje, pa bujë

Prandaj Tre Mbretërit vijojnë kërkimin, derisa e gjejnë. Po jo atje, ku mendonin, jo në pallatin mbretëror të Jeruzalemit. E gjejnë në strehën e përvuajtur të Betelhemit. Në një shpellë! E kjo ndodhi për Krishtlindje, kur Jezusi lindi e asnjë nga  të pushtetshmit e asaj kohe nuk u kujtua fare se pikërisht në kohën e sundimit të tij, po lindte Mbreti i historisë. E nuk kujtohen as për çka po ndodhte në shkretëtirë, kur Jezusi dëftohet publikisht, nësa Gjon Pagëzuesi e pagëzon larg njerëzve të pushtetshëm, të pushtuar nga madhështia e vetvetes. “Ja, kjo është befasia e Zotit”.

Zoti nuk del në skenë, për t’u dukur

 Zoti nuk ngjitet në paraskenë, për t’u duartrokitur. E Papa pyeti nëse do të  kishte qenë më mirë që ylli të qe dukur në Romë, mbi kodrën Palatine, prej nga Augusti sundonte mbi botën; e gjithë perandoria do të ishte bërë sakaq e krishterë! Ose nëse do të kishte shndritur Pallatin e Herodit, që mbreti gjakatar të mos bënte më keq, të bënte vetëm mirë. Por nuk u duk as mbi Romë, as mbi pallat. Ja edhe shpjegimi: “Drita e Zotit nuk shkon tek ai, që shndrit me dritën e vet. Zoti propozohet, nuk imponohet; të shndritë, nuk të verbon!”.

Mos e ngatërro dritën e Zotit, me dritat e botës

Vërejti akoma Papa:

“Është gjithnjë i madh tundimi, që na shtyn ta ngatërrojmë dritën e Zotit me dritat e  botës. Sa herë ndoqëm vezullimet joshëse të pushtetit e të paraskenës, të bindur se po i bënim shërbim të çmuar Ungjillit! Po kështu i kthyem dritat nga ana e gabuar, sepse Zoti nuk ishte aty. Drita e tij e ëmbël shkëlqen në dashurinë e përvuajtur. E sa herë, pastaj, ‘si Kishë, provuam  të shndrisim me dritën tonë!'. Po nuk jemi ne dielli i njerëzimit - theksoi Papa - Jemi hëna që, ndonëse e mbështjellë me errësirën e vet, reflekton dritën e vërtetë, Zotin: Ai është drita e botës. Ai, jo ne!’”.

Drita e Zoti shkon te ai, që e mirëpret. Por duhet të ngrihesh në këmbë,  të zgjohesh nga dremitja e të ecësh. Përndryshe mbetesh amull, si skribët, këshilltarë të Herodit, të cilët e dinin fare mirë ku kishte lindur Mesia, por nuk u tundën nga vendi. E pastaj duhet të vishemi me Zotin, që është dritë, çdo ditë,  derisa Jezusi të bëhet petku ynë i përditshëm.

Për t’u veshur me Zotin, duhet të zhvishesh nga vetvetja

Por - kujtoi Papa - për të veshur petkun e Zotit, që është i thjeshtë, si drita, duhet më parë t’i zhveshësh petkat plot salltanet:

“Përndryshe bëhesh si Herodi, të cilit në vend të dritës hyjnore, i pëlqente drita tokësore e suksesit, e pushtetit. Ndërsa Mbretërit Dijetarë ngrihen, ecin, kërkojnë,  vishen me dritë. Vetëm ata e shikojnë yllin në qiell”.

Për të gjetur Krishtin, duhet ecur në rrugën e Tij

Për të gjetur Krishtin, duhet zgjedhur një rrugë tjetër, duhet marrë  rruga e Tij, rruga e dashurisë së përvuajtur. E duhet vijuar ecja në të. Ungjilli i sotëm përfundon duke kujtuar se Mbretërit Dijetarë, si u takuan me Jezusin, u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër. Një rrugë tjetër. E ndryshme nga ajo e Herodit. E ndryshme nga rruga e botës, si ajo, të cilën e përshkuan të gjithë ata, që për Krishtlindje janë me Jezusin: Maria, Jozefi, barinjtë...

“Ata, ashtu si Mbretërit Dijetarë, i lanë banesat e tyre e u bënë  shtegtarë  nëpër udhët e Zotit. Sepse vetëm kush i lë mënjanë  lidhjet e tij me botën, për t’u vënë për udhë, gjen misterin e Tij”.

Të përkulemi para Zotit, që është qendra

E kjo vlen edhe për ne. Nuk mjafton të dimë se ku lindi Jezusi, si skribët, nëse nuk shkojmë atje. Nuk mjafton të dimë se Jezusi lindi, si Herodi, po të mos e takojmë. Prandaj sot na drejtohet ftesa t’u përngjajmë Mbretërve Dijetarë. Ata nuk diskutojnë. Ecin! Nuk rrinë duke shikuar, por hyjnë në shtëpinë e Jezusit; nuk rrinë në krye të vendit, por përkulen para Tij, që është qendra; nuk ngulmojnë në planet e tyre, por janë gati të marrin udhë të tjera.

“I drejtohen Zotit me gjuhën e dashurisë, e njëjta gjuhë që e flet edhe vetë Jezusi, akoma foshnje. Mbretërit Dijetarë nuk shkojnë tek Zoti për të marrë, por për të dhuruar”.

Ç’i dhuruam Jezusit për festën e Tij?

Prej këndej, Papa na fton ta pyesim veten: “A i dhuruam gjë Jezusit për  festën e tij, apo shkëmbyem dhurata vetëm ndërmjet nesh?”.

Na siguron Françesku:

“Nëse shkuam te Zoti me duar thatë, sot mund edhe ta ndreqim këtë sjellje. Ungjilli na tregon një listë të vogël dhuratash: ar, kem, mirrë. Ari, element shumë i çmuar, na kujton se Zoti duhet vënë në krye të vendit. Duhet adhuruar. Por për ta bërë këtë, duhet t’ia lirojmë Atij kryet e vendit e duhet edhe të kuptojmë se jemi nevojtarë, jo të dashuruar me vetveten. Kemi simbolizon 'lidhjen e Zotit me lutjen, që, si parfum, ngjitet drejt qiellit'. Por ashtu si kemi që për të lëshuar aromën e tij duhet ‘djegur’, kështu edhe lutja duhet të djegë pakëz kohë, duke ia kushtuar Zotit. E duhet bërë me të vërtetë, jo vetëm me fjalë. E vjen, pastaj, edhe mirra, vaj që përdoret për të mirosur me dashuri Korpin e Krishtit, të zbritur nga kryqi. Zoti dëshiron të kujdesemi për korpin e njerëzve të munduar, që janë korpi i Tij më i ligshtë, për ata që janë pa krahë, që munden vetëm të marrin, pa dhënë asgjë”.

E Papa përsëriti dy herë:

“Është e çmuar para syve të Zotit mëshira ndaj atij, që nuk ka me sa ta shpërblejë. Mëshira e dhuruar!”.

06 janar 2019, 13:35