Kërko

Papa: “Larg pretendimit se jemi të gjithëdishëm dhe lakmisë për karrierë”

Papa Françesku priti sot në audiencë, në Sallën e Koncistorit, pjesëmarrësit e Takimit të Shoqatave të profesorëve të Historisë së Kishës. Takimi, me temë “Veprimtari-Kërkim-Përhapje - Historia e Kishës pas-Koncilit”, u mbajt më 10 e 11 janar, pranë Universitetit Lumsa.

R. SH. - Vatikan

“Historia është mësuese e jetës e, nëse studiohet me pasion, mund e duhet t’i japë mësime të çmuara së sotmes, që është kaq e shqetë e kaq e etur për të vërtetën, paqen, drejtësinë”. Ky, thelbi i reflektimi të Papës Françesku,   me pjesëmarrësit e Takimit XVIII të Shoqatave të profesorëve të Historisë së Kishës, me temë “Veprimtari-Kërkim-Përhapje! Historia e Kishës pas-Koncilit”. Duke u shprehur mirënjohjen atyre, që e kryejnë këtë shërbim e  japin këtë dëshmi të apasionuar, Papa sqaroi se historia ndihmon për të reflektuar me urti e guxim mbi efektet dramatike e të mbrapshta të luftës, të një mori luftërash, që e trondisin vazhdimisht jetën e njeriut mbi këtë tokë.

Thesaret e historisë së Kishës

Italia, posaçërisht Kisha italiane, është tejet e pasur me dëshmi të së kaluarës. Pasuri, e cila nuk mund të kufizohet duke shërbyer vetëm si thesar, që duhet ruajtur me xhelozi, por duhet të ndihmojë edhe për të ecur përpara në të sotmen, drejt së ardhmes”.

Historia e Kishësi italiane është pikë themelore referimi për të gjithë ata, që duan ta kuptojnë, ta thellojnë e edhe ta shijojnë të kaluarën, pa e shndërruar në muze ose, edhe më keq akoma, në varrezë vajtimesh. E kaluara  duhet të mbetet gjithnjë e gjallë, e pranishme, para syve tanë.

Jezusi, gur këndi, i gjithëpranishëm në histori

Gjatë fjalimit, mbajtur në Sallën e Koncistorit, Papa Bergoglio theksoi  se në qendër të historisë është një Fjalë, që nuk lindi e shkruar. Fjalë e dhuruar nga Zoti: Jezu Krishti, i cili vepron në histori dhe e shndërron nga brenda.

E pikërisht pranimi i këtij veprimi shëlbues e përdëllyes, do të duhej ta bënte historianin  besimtar, studiues, që i respekton edhe më shumë faktet dhe të vërtetat, delikat e të vëmendshëm në kërkimin shkencor, dëshmitar koherent në mësimdhënie. Do të duhej të largohej nga të gjitha joshjet e botës, nga pretendimi se di gjithçka, nga etja për karrierë, nga lakmia për tituj akademikë, e, sidomos, nga prirja për t’i gjykuar faktet e njerëzit sipas mendjes së vet.

Duke kujtuar një nga etërit themelues të Shoqatës, jezuitin Giacomo Martina, për një kohë të gjatë pedagog pranë Universitetit Papnor Gregorian, Papa Françesku uroi, në përfundim, që detyra aspak e lehtë e  akademikëve të mund të ndikojë gjithnjë më shumë mbi kundrimin “e Krishtit, gur këndi, që vepron në histori e në kujtesën e njerëzimit si dhe në  të gjitha kulturat, me praninë e Tij shpëtimtare mbi faktet, dokumentet,  ngjarjet e vogla a të mëdha. Mbi të gjitha - përfundoi Papa - mbi fatet e njerëzve të përvuajtur, të të fundëmve, edhe ata aktorë të historisë”.

Shoqata e profesorëve të Historisë së Kishës

Aipsc është organizëm i themeluar më 1967 në La Mendola, pranë Qendrës së Kulturës të Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, për të favorizuar koordinimin dhe azhurnimin e pedagogëve të Historisë së Kishës të seminareve italiane. Sot Shoqata e profesorëve të Historisë së Kishës ka rreth njëqind anëtarë, të shpërndarë në të gjithë Italinë e, ndonjë,  edhe jashtë vendit: pedagogë në Seminare, Universitete kishtare e civile, në Studentate fetare e edhe shumë lëvrues të kësaj lënde.

12 janar 2019, 17:20