Cerca

Vatican News

Papa kujton misionarin ndërmjet të gërbulurve

Breshiani atë Giovanni Mometti, 82 vjeç, misionar salezian në Amazonë, të hënën e kaluar bashkëkremtoi me Papën në Shtëpinë e Shën Martës. E Françesku, gjatë homelisë, e paraqiti si shembull “të marrëzisë, që vjen nga Zoti”, sepse prej më se 40 vjetësh vijon misionin në gjirin e të gërbulurve, në pyjet e Amazonës.

R. SH. - Vatikan

“Shpirti Shenjt nganjëherë të shtyn të bësh marrëzi, ‘po marrëzi të mëdha’. Si ajo e një njeriu - i pranishëm në Meshën e sotme - i cili  prej 40 vjetësh u largua nga Italia e u nis e shkoi misionar ndërmjet të gërbulurve, në Brazil”. E njeriu i pranishëm, që kremtonte përkrah Papës e që lexoi edhe Ungjillin, në Meshën e së hënës, 7 janar, në Shtëpinë e Shën Martës, ishte breshiani atë Giovanni Mometti, misionar salezian në Amazonë që nga viti 1956, kur ishte vetëm 20 vjeç. Atë Gianni, apo Joao, siç e thërrasin në Brazil, sot 82 vjeç, por gjithnjë plot me energji, vijon veprimtarinë misionare në Igarapé-Açû, në Shtetin Parà të Amazonës braziliane. Papa e paraqiti si shembull për të gjithë besimtarët.

Rrëfimi i atë Momettit: misionar prej 62 vjetësh

Arrita në Brazil më 27 dhjetor të vitit 1956 - tregon në mikrofonet e Vatikan News - studiova filozofi e teologji në Brazil e, më 1966, nisa veprimtarinë misionare në San Paolo. Pasi u ktheva në Itali për të takuar familjarët, eprorët më hapën rrugën e studimeve. I nisa e i kreva në Universitetin Gregorian. Ishte viti 1967. Sapo kishte  përfunduar Koncili II i Vatikanit - kujton -  E unë pata rastin të kuptoj mirë  ç’ do të thotë të jesh misionar për të fundmit, për të varfërit e, posaçërisht, për Brazilin, sepse kombi më katolik i botës.

A ju duket  vetja   “sadopak i marrë”?

Po, jam i marrë, sepse të shkoje në lule të moshës ndërmjet të gërbulurve, kur për këtë sëmundje nuk kishte kurrfarë mjekimi, do të thoshte se ishe i prishur mendsh për Zotin. E marrëzia për Zotin është dashuri pa kufi. Brenda kufirit është t’i duash njerëzit, ashtu siç janë; përtej kufirit, të duash një të gërbulur, një që e ka këtë sëmundje, që mund të të ngjitet edhe ty, e menjëherë. E kjo është aq e vërtetë, sa paraardhësi im, atë Daniele da Samarate, e mori gërbulën që kur ishte 33 vjeç. 48 vjeç vdiq nga kjo sëmundje te tmerrshme. Ka nga ata, që thonë se priftërinjve nuk u ngjitet gërbula. U ngjitet, u ngjitet. Si atë Damian Molokai, që tani është Pajtor i të gërbulurve.

Si punoni për t’ua çuar Krishtin të gërbulurve?

Nëse ti i afrohesh të gërbulurit dhe e pyet: “Si je?”, të përgjigjet “fare mirë”, duke falënderuar Zotin, sepse të gërbulurit janë njerëz feje e nuk e shikojnë sëmundjen si mallkim, por si provë, që ua çon Zoti, për të parë a janë të mirë. Mësova shumë ‘në shkollën’ e të gërbulurve, ku gjeta edhe shumë fe. Më mësuan të jem prift, që e do Zotin e pranon pa fjalë gjithçka do ai i Lumi prej tij.

15 janar 2019, 15:28