Kërko

 Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme 

Papa: ku është Ungjilli, është revolucioni, sepse është revolucionar

Në audiencën e parë të përgjithshme të vitit 2019, në Sallën e Palit VI, Papa Françesku rifilloi katekizmin kushtuar Atynës, duke shpjeguar “revolucionin e Ungjillit” e duke u ndaluar tek Predikimi mbi mal. Kujtoi edhe se i krishterë është ai, që e pranon atësinë e Zotit.

R. SH. - Vatikan

Të lutesh me gjithë zemër, pa hipokrizi, të jetosh si bir, duke dhënë dëshmi, pa i urryer të tjerët e pa folur keq për askënd. Papa Françesku kujtoi, në audiencën e përgjithshme - e para e vitit 2019 - kushtuar Atynës, udhën që duhet ndjekur për  ta quajtur veten i krishterë: mëkatar, si gjithë bota, por i aftë për të dëshmuar se je bir i Zotit! Papa skicon kështu, “revolucionin e Ungjillit”, që na nxit gjithnjë e nuk na lë kurrë të qetë. E bën këtë, duke u nisur nga çasti në të cilin, sipas Ungjillit të Mateut, flitet për dorëzimin e Atynës, mbi kodrën liqenit të Galilesë, përballë dishepujve e turmës së madhe të fytyrave të paemër.

Me misterin e Zoti në zemër

Në Predikimin mbi mal, Lumnitë janë “hark zbukurimi për festën,  dritë lumturie rreth të varfërve, të butëve,  zemërpërvuajturve”, njerëz - kujtoi Papa- që asokohe, ashtu si sot,  nuk i përfillte kush:

“Është revolucioni i Ungjillit. Ku është Ungjilli, është revolucioni. Ungjilli nuk të  lë të qetë, të shtyn përpara: është revolucionar. Të gjithë njerëzit e aftë për dashuri, veprimtarë të paqes, që  deri në atë çast qenë flakur në skutat e historisë, janë  ndërtues të Mbretërisë së Hyjit. Të duket sikur Zoti u thotë: “përpara, ju që keni në zemër misterin e një Zoti, i cili e dëftoi gjithëpushtetin e Tij në dashuri e në falje”.

Përmbysja e historisë

Risia e Ungjillit del “nga kjo portë e hyrjes”, që i përmbys vlerat e historisë: Ligji nuk shfuqizohet, por rifiton kuptimin e zanafillës, i mishëruar në vetë jetën e Zotit, deri në pasojat më të fundme:

“Dashuria nuk njeh kufij: mund të duash bashkëshortin tënd, mikun e deri armikun, në një perspektivë krejtësisht të re: ‘Por unë po ju them: duajini armiqtë tuaj e lutuni për kë ju persekuton, për të qenë bijtë e Atit tuaj, që është në qiell: Ai bën të lindë dielli mbi të këqijtë e mbi të mirët, e bën të reshet shiu mbi të drejtët  e të padrejtët’”.

Sekreti është të pranosh se je bir  i Atit qiellor

Këtu gjindet - kujtoi Papa - sekreti, që është në themel të të gjithë Predikimit në mal: jeni bij të Atit tuaj, që është në qiell. Kujdes, veç! Nuk duhet t’i konsideroni  këta kapituj  të Ungjillit të Mateut,  si “predikim moral”, “por teologjik”:

“I krishteri nuk është një, që angazhohet të jetë më i mirë se të tjerët; e di se është mëkatar, si të gjithë. I krishteri është thjesht njeri, që ndalohet para Kaçubës  së Përflakur, para zbulesës së një Zoti, që nuk sjell enigmën e një emri të pashqiptueshëm, por u kërkon bijve të vet t’i drejtohen me emrin “Atë”,  ta lënë  t’i përtërijë me pushtetin e tij e të pasqyrojnë një rreze nga mirësia e Tij mbi këtë botë, aq të etur për mirësi, gjithnjë në pritje të lajmeve të mira”.

Distanca nga hipokritët e paganët

Françesku kujtoi, më pas, se Jezusi e nis mësimin e Atit tonë, duke u distancuar nga hipokritët, që luten për t’u admiruar e që janë “shkandull i vërtetë” për Kishën:

“Sa e sa herë e shikojmë shkandullin e këtyre njerëzve, që shkojnë në Kishë e rrinë aty gjithë ditën e lume, ose shkojnë ditë për ditë, e pastaj jetojnë duke i urryer të tjerët, ose duke folur gjithnjë zi e më zi për të tjerët! Jetojnë, kështu, si ateistë. Po nëse ti shkon në Kishë, jeto si bir i Zotit, si vëlla, e jep dëshmi të vërtetë, jo kundërdëshmi”.

Lutja e krishterë - pohoi Papa - nuk ka dëshmitar tjetër të besueshëm, veç ndërgjegjes, ku vijon dialogu i thellë e i vazhdueshëm me Atin. Distancoju edhe nga paganët, që besojnë se Zoti do t’i dëgjojë me forcën e fjalëve e të lavdërimeve:

“E unë mendoj për shumë të krishterë, që besojnë se luten e - më falni, eh – flasin me Zotin si  papagali’. Jo! Lutja del nga zemra, nga shpirti. Ndërsa  ti - thotë Jezusi - kur të lutesh, drejtoju Zotit si biri atit të tij, i cili e di për çka ke nevojë, para se t’ia kesh kërkuar”. (krh Mt 6,8).

Zoti nuk ka nevojë për fli

Papa Françesku kujton se Atyna mund të jetë edhe një lutje e heshtur, mjafton  të  gjunjëzohesh para syve të Zotit, të kujtosh dashurinë e Tij prej Ati, e kjo mjafton që lutja jote të dëgjohet:

“Gjë e bukur të mendosh se Zoti ynë nuk ka nevojë për fli, që të mund ta fitojmë dashurinë e Tij! Nuk ka nevojë për asgjë, Zoti ynë: në lutje kërkon vetëm që ne ta mbajmë të hapur kanalin e komunikimit me Të,  për të zbuluar se jemi gjithnjë bijtë e tij të shumëdashur. E Ai na do vërtetë shumë!”.

02 janar 2019, 14:23