Kërko

Akademia Papnore për Jetën Akademia Papnore për Jetën 

Papa: Kisha të promovojë me forcë humanizmin e jetës

U paraqit sot paradite, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, Letra e Papës Françesku për Akademinë Papnore të Jetës, në 25-vjetorin e themelimit të saj. “Përparon antikultura e luftës dhe e përçarjes, vijon skizma ndërmjet individëve dhe popujve”. Aborti dhe eutanazia “të këqia të rënda”, që na zhysin në vdekje, nënvizon Papa.

R.SH. - Vatikan

“Caku i respektit themelor për jetën e njeriut dhunohet çdo ditë me mënyrat nga më brutale, jo vetëm nga qëndrimet individuale, por edhe nga pasojat e vendimeve dhe të strukturave. Organizimi i fitimeve dhe ritmi i zhvillimit të teknologjive japin mundësi të papara për kushtëzimin e punës kërkimore biomjekësore, të orientimit edukativ, të përzgjedhjes së nevojave, të cilësisë njerëzore të marrëdhënieve”. Është panoramë tejet shqetësuese ajo, që përshkruan Papa Françesku në letrën për prefektin e Akademisë Papnore për Jetën, imzot Vincenzo Paglia, në 25-vjetorin e themelimit të këtij institucioni të rëndësishëm shkencor. Letra u paraqit sot në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë.

Historia

         Pati qenë shën Gjon Pali II, që në vitin 1994, me Motu Proprio-n “Vitae mysterium” i dha jetë Akademisë, e cila iu pat besuar fillimisht udhëheqjes së shkencëtarit Jérôme Lejeune, tashmë Shërbëtor i Zotit, pra, në fillim të procesit të lumnimit. Kujtojmë se Lejeune ka qenë gjenetist, pediatër e aktivist francez, zbuluesi i sindromës Down.

         Statuti i Akademisë, miratuar më 18 tetor 2016, u dha hov veprimtarive, me synimin për të reflektuar mbi tematikat shkencore aktuale, sidomos mbi ato, që kanë të bëjnë me jetën. Në këtë çerek shekulli, Akademia është impenjuar fuqimisht në denoncimin dhe në luftën kundër abortit e eutanazisë. Në Letrën e tij, Papa Françesku e inkurajon këtë impenjim, i cili është edhe më urgjent sot, në një çast historik “vështirësish të mëdha” për marrëdhëniet familjare dhe për bashkëjetesën shoqërore.

Antikultura e indiferencës

         Kjo ndodh, shkruan Papa në letër, për faj të “mosbesimit reciprok ndërmjet individëve dhe popujve”, që ushqehet nga rendja pas interesit vetjak e nga një konkurrencë e skajshme, e cila nuk e përjashton edhe dhunën. Ndodh për faj të distancimit të mirëqënies personale nga lumturia e gjithë njerëzimit, aq sa mendohet se individi e bashkësia njerëzore po përjetojnë një kohë skizme të vërtetë.

Bashkësia njerëzore, “ëndërr e Zotit qysh para krijimit të botës”, sot duket e plagosur dhe e sulmuar nga të katër anët. Prandaj, Kisha duhet të promovojë “humanizmin e jetës”, duke u nisur nga rrënjët, nga dashuria pa kushte e Hyjit, nga e cila merr hov “impenjimi për ta kuptuar, promovuar dhe mbrojtur jetën”. Nuk mund të kufizohemi, shkruan Papa Françesku, “në zbatimin e kritereve të leverdisë ekonomike dhe politike” e, as në “disa theksime doktrinare apo morale, rrjedhojë e opcioneve të caktuara ideologjike”.

Këshillat e Akademisë kanë të bëjnë me gjithë shkencën dhe teknikën

Ati i Shenjtë kujton angazhimin e shkencëtarit francez Lejeune, i cili pati ndërmarrë nisma studimi, formimi e informacioni, brenda Akademisë, për të vënë në dukje se kur shkenca dhe teknika vihen në shërbim të të drejtave themelore të njeriut, kontribuojnë në të mirën e tij dhe në zbatimin e planit hyjnor të shëlbimit. Sot, kjo përvojë duhet aktualizuar në kuadrin bashkëkohor. “Është urgjente – thekson Papa - të intensifikohet studimi dhe konfrontimi mbi pasojat e zhvillimit aktual të shoqërisë në kuptimin teknologjik, për të arritur në një sintezë antropologjike, në lartësinë e kësaj sfide epokale”. Këshillat tuaja, u shkruan Papa imzot Paglias dhe anëtarëve të Akademisë, nuk mund të jenë vetëm përgjigjja e pyetjeve me karakter etik, shoqëror, ose ligjor. Qëndrimet koherente me respektin për dinjitetin e njeriut “kanë të bëjnë me gjithë teorinë dhe praktikën e shkencës dhe të teknikës, me qasjen e tyre të përgjithshme ndaj jetës, kuptimit dhe vlerës së saj”.

Paradoksi i teknologjisë

Papa përmend emergjencën që po përjeton familja, gjendjen e krijuar nga luftrat e nga përçarjet, antikulturën e indiferencës për fatin e bashkësisë njerëzore si të tillë, në favor të pushtetit të parasë – gjendje, që krijon “paradoksin” e një bote, e cila zotëron maksimumin e teknologjisë për t’u kujdesur për veten, por pikërisht nga kjo teknologji rrjedhin edhe problemet e saj më të mëdha.

“Popujt - vuri në dukje Ati i Shenjtë – e ndiejnë dukshëm e dhimbshëm, megjithëse shpesh, në mënyrë konfuze, degradimin shpirtëror - mund të themi nihilizmin - që ia nënshtron jetën një bote dhe një shoqërie, të cilat e bartin këtë paradoks. Prirja për ta anestetizuar këtë shqetësim të thellë, përmes rendjes së verbër pas kënaqësive materiale, prodhon melankolinë e një jete, që nuk arrin të gjejë asnjë destinacion, në lartësinë e cilësisë së saj shpirtërore”. Papa thekson mungesën e vizionit, mbylljen në vetvete, manipulimin e nevojave dhe të ëndrrave të njeriut nga ideologjia e konsumit, pa asnjë respekt për bukurinë e jetës me të tjerët në shtëpinë tonë të përbashkët.

Detyra e të krishterëve

Populli i krishterë, kërkon Ati i Shenjtë, duhet të reagojë i pari, para se të jetë tepër vonë. Duhet kundërshtuar me forcë “ideologjia e prepotencës” mbi të cilën mbështetet tregu dhe teknika aktuale, për t’i dhënë hov një humanizmi të ri. “Jeta njerëzore - shkruan Papa – është pasuri absolute, e denjë të ruhet etikisht, e çmuar për kujdesin ndaj Gjithësisë së krijuar nga Zoti. Ati i Shenjtë flet për një humanizëm vëllazëror e solidar ndërmjet individëve dhe ndërmjet popujve, humanizëm, që mbron jetën, – siç kërkonte shën Gjon Pali II, 25 vjet më parë, – që ngrihet kundër luftës e dënimit me vdekje, që kujdeset për ekzistencën e për ekologjinë. Që atëherë, Papa Vojtila përvijonte për këtë udhën e bioetikës, të reflektimit e të dialogut ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve. E në këtë vazhdë hyjnë edhe arritjet aktuale të teknologjive të reja, të cilat, përfundon Papa Françesku, nuk duhet të pretendojnë të ndryshojnë thellësisht materien e gjallë, sipas logjikave të tregut.

15 janar 2019, 15:00