Kërko

Papa Françesku Papa Françesku 

Papa, ipeshkvijve të SHBA-së: abuzimet e mbulimet e tyre minojnë besueshmërinë e Kishës

Papa u shkruan prelatëve amerikanë, mbledhur në ushtrime shpirtërore. Në kuadrin e shkandujve të abuzimeve, u bën thirrje për “kthesë” e “bashkim vëllazëror” kundër logjikave të mbylljes.

R.SH. - Vatikan

“Besueshmëria e Kishës është vënë jashtëzakonisht në dyshim dhe është dobësuar nga këto mëkate dhe krime, por sidomos nga vullneti për t’i mbuluar e fshehur ato, gjë që ka krijuar një ndjenjë më të madhe pasigurie, mosbesimi dhe mungese të mbrojtjes ndër besimtarët”. Kështu shkruan Papa Françesku, në një letër drejtuar ipeshkvijve amerikanë. Që dje e deri më 8 janar, ata janë mbledhur në Çikago, në seminarin Mundelein, për një javë ushtrimesh shpirtërore, udhëhequr nga predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Cantalamessa.

Problemi i abuzimeve është i rëndë

“Kohët e fundit, - shkruan Papa në letrën e gjatë, që u dërgon ipeshkvijve, pasi nuk ka mundur të shkojë vetë tek ata, të paktën për dy ditë, siç pohon vetë, - Kisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është tronditur nga shumë shkanduj, që prekin thellë besueshmërinë e saj. Kanë ardhur kohë të këqia për jetën e kaq shumë viktimave, që kanë pësuar në trupin e tyre abuzimet me pushtetin, me ndërgjegjen dhe shpërdorimet seksuale nga ana e ministrave të shuguruar, nga rregulltarët e rregulltaret, si edhe nga besimtarët laikë; kohë të këqia e kryqi për ato familje dhe për gjithë Popullin e Zotit”, nënvizon Ati i Shenjtë, në letrën e dërguar sot, por që mban datën 1 janar.

Kisha është e vetëdijshme për mëkatet e krimet e kryera

“Jemi të vetëdijshëm - vazhdon Papa - që mëkatet e krimet e kryera, si edhe të gjitha pasojat e tyre në nivel kishtar, shoqëror dhe kulturor, kanë lënë gjurmë dhe plagë të thella në zemrën e popullit besnik”. “E kanë mbushur me dyshime, mosbesim dhe konfuzion - shton Papa - e kjo, madje, shërben shpesh si justifikim për të diskredituar vazhdimisht e për të vënë në pikëpyetje jetën, që shumë të krishterë e dhurojnë, duke ‘treguar dashurinë e pamasë për njerëzimin, frymëzuar nga Zoti i bërë njeri’ (shih Evangelii Gaudium)”.

“Armiku i natyrës njerëzore” përfiton më shumë nga ndarja dhe përçarja

Sipas Papës Françesku, “sa herë që fjala e Ungjillit shqetëson ose bëhet dëshmi e pakëndshme, nuk janë të pakta zërat, që përpiqen ta heshtojnë, duke vënë në dukje mëkatin dhe inkoherencën e anëtarëve të Kishës dhe aq më tepër, të barinjve të saj”. “Vulë dhe plagë, që zhvendoset edhe brenda bashkimit ipeshkvnor, duke mos lejuar konfrontimin e shëndetshëm dhe të nevojshëm, si edhe duke penguar tensionet e brendshme të një organizmi të gjallë, por duke shkaktuar ndarje dhe përçarje, rezultate dhe mocione, që nuk vijnë sigurisht nga Shpirti Shenjt, por nga ‘armiku i natyrës njerëzore’ (Shën Injaci, Ushtrime Shpirtërore, Nr. 135), i cili përfiton më shumë nga ndarja dhe përçarja, sesa nga tensionet dhe nga dallimet logjike tipike të bashkëjetesës së dishepujve të Krishtit”.

Shërbim i sinqertë dhe i përditshëm, siç bënte Nënë Tereza

Prandaj, vijon Papa Françesku, duhet të “heqim dorë nga gjithçka që nuk ndihmon për ta bërë Ungjillin e Jezu Krishtit të tejdukshëm”. Ky qëndrim nuk pretendon vendet e para për vete apo duartrokitje për veprat, por na kërkon ne “barinjve opcionin themelor për të qenë farë, që mbin kur dhe ku dëshiron Zoti”. Besueshmëria vjen nga besimi, i cili, nga ana e tij, lind nga shërbimi i sinqertë dhe i përditshëm për të gjithë: jo shërbim marketingu apo strategjik për të rifituar vendin e humbur në strukturën shoqërore, por shërbim, që i përket thelbit të Ungjillit. E duke u kërkuar këtë barinjve të Kishës, Papa nuk harron bashkësitë e krishtera, që duhet të dëshmojnë se Zoti është Ati i të gjithëve dhe duhet të punojnë në endjen e një indi shoqëror dhe kulturor, që akutalisht, jo vetëm po shpërbëhet, por po u hap udhën urrejtjeve të reja. Të mbrojë të pambrojturit: kjo është detyra e Papës për Kishën në SHBA-të. E nuk harron të përmendë shenjten shqiptare të bamirësisë, Nënë Terezën, kur ngre zërin: “Ç’detyrë të lartë kemi në dorë, vëllezër; nuk mund ta lemë mënjanë e ta anestetizojmë për shkak të kufizimeve dhe të mangësive tona!”

Shembulli është Jezu Krishti

Jezusi, në orën e kryqit, e dinte se tundimet më të mëdha të dishepujve të tij do të ishin ndarja dhe përçarja, prandaj iu lut Atit që ata të ishin një gjë e vetme e askush të mos humbiste. “Duke u zhytur në lutjen e Jezusit - përfundon Papa - të mësojmë prej Tij e, me vendosmëri, ta fillojmë këtë kohë lutjeje, heshtjeje dhe reflektimi, dialogu dhe bashkimi, dëgjimi dhe shoshitjeje, për ta lejuar që Ai të na e farkëtojë zemrën në shembëllim me Të e të na ndihmojë ta zbulojmë vullnetin e Tij”.

03 janar 2019, 18:55