Papa në lutjen mbrëmësore në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve Papa në lutjen mbrëmësore në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve 

Papa hap Javën e lutjes për unitetin e të krishterëve: dhuratat e Zotit, për të gjithë

Sot, me kremtimin e Mbrëmësoreve në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, në orën 17.30, Papa Françesku hapi Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, me temë “Përpiquni të jeni me të vërtetë të drejtë”.

R.SH. - Vatikan

Urata e Papës Françesku hapi sot Javën e lutjes që të gjithë të krishterët të jenë një gjë e vetme, siç i pati kërkuar Krishti Atit të vet Qiellor. Mbrëmësoret, siç është tashmë traditë, u kremtuan në orën 17.30, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, me përfaqësuesit e të gjitha Kishave të krishtera të pranishme në Romë, me delegacionin ekumenik të Finlandës, me studentët e Institutit Ekumenik të Bossey, me të rinjtë ortodoksë, që studiojnë në kryeqytetin italian të mbështetur nga Komiteti i Bashkëpunimit Kulturor me Kishat Ortodokse në Këshillin për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve. Zoti u jep dhurata gjithë të krishterëve, nënvizoi Ati i Shenjtë, por ata duhet t’ia njohin njëri-tjetrit, pa i nënvlerësuar apo përçmuar hiret e të tjerëve.

Drejtësi është edhe nderimi e qëndrimi i drejtë ndaj nevojtarëve

Në homelinë e tij, Papa u nis nga Libri i Ligjit të Përtërirë, ku përvijohen tri festa hebraike: ajo e Pashkëve (Pesach), e Rrëshajëve (Shavuot) dhe e Tabernakujve (Sukkot), të cilat, vërejti Ati i Shenjtë, “e nxisin popullin kah drejtësia, duke kujtuar barazinë themelore të gjithë anëtarëve - të gjithë, njëlloj të varur nga mëshira hyjnore - e, duke e ftuar secilin të ndajë me të tjerët të mirat” e marra si dhuratë nga Zoti. Janë festa, që e nderojnë dhe e lëvdojnë Zotin, përmes nderimit dhe qëndrimit të drejtë ndaj të afërmit, sidomos nëse është i ligshtë e nevojtar, e lidhi fjalën Papa me temën e Javës për bashkimin e të krishterëve.

Tema e sivjetme mbi drejtësinë, menduar nga indonezianët

Kjo temë reflekton pikërisht mbi drejtësinë e është marrë nga Libri i Ligjit të Përtërirë, prej të cilit citohet fraza “Përpiquni të jeni me të vërtetë të drejtë”. Është menduar nga të krishterët e Indonezisë, vend me më se 265 milion banorë, 86% e të cilëve janë myslimanë. 10% përbëhet nga të krishterë të traditave të ndryshme. Kisha në Indonezi, vërejti Papa Françesku, shqetësohet për zhvillimin ekonomik të vendit, i cili, nëse lihet vetëm në duart e konkurrencës, do ta lërë në varfëri një pjesë të mirë të popullsisë, duke vënë në rrezik harmoninë e një shoqërie me etni, gjuhë dhe fe të ndryshme.

“Por kjo nuk vlen vetëm për Indonezinë: - vuri në dukje Ati i Shenjtë – këtë gjendje e gjejmë edhe në anë të tjera të botës. Kur shoqëria nuk bazohet më mbi parimin e solidaritetit dhe të së mirës së përbashkët, bëhemi dëshmitarë të shkandullit të njerëzve, që jetojnë në varfëri të skajshme, krah rrokaqiejve, hoteleve madhështore dhe qendrave tregtare luksoze, simbole pasurie marramendëse. E kemi harruar urtinë e ligjit të Moisiut, sipas të cilit, nëse nuk ndahet pasuria, ndahet shoqëria”.

Solidariteti dhe përgjegjësia e përbashkët

Shën Pali apostull e përforcon këtë logjikë, kur u drejtohet romakëve: më të fortët duhet të kujdesen për më të brishtët. “Solidariteti dhe përgjegjësia e përbashkët duhet të jenë ligjet, që e mbajnë familjen e krishterë”, nënvizoi Papa. Por si mund ta bëjmë këtë të ndarë? – pyeti  më pas, duke iu drejtuar të gjithë të krishterëve të traditave të ndryshme. “Është e lehtë të harrohet barazia themelore ndërmjet nesh: në zanafillë ishim skllevër të mëkatit dhe Zoti na shpëtoi përmes Pagëzimit, duke na quajtur bij të Tij. Është e lehtë të mendohet se hiri shpirtëror, që na është dhuruar, është pronë e jona, diçka që na takon dhe na përket. Gjithashtu, ka mundësi që dhuratat e Zotit për ne të na bëjnë të verbër për dhuratat, që u ka dhënë të krishterëve të tjerë. Është mëkat i rëndë t’i nënvlerësojmë, ose t’i përçmojmë dhuratat që Zoti u ka dhënë vëllezërve të tjerë, duke besuar se janë disi më pak të privilegjuar nga Hyji. Nëse i ushqejmë këto mendime, i njëjti hir kthehet në burim krenarie, padrejtësie dhe ndarjeje. E si mund të hyjmë kështu, në Mbretërinë e premtuar?”

Zoti nuk dikon hire vetëm mbi disa bashkësi të krishtera

Fjalë të fuqishme, që i shërbyen Papës Françesku për të nënvizuar me forcë se kulti i drejtësisë – sipas temës së sivjetme të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve – kërkon një festë, ku të përfshihen të gjithë, në unitet. Udha drejt këtij caku, përfundoi Ati i Shenjtë, bazohet mbi dy shtylla. Së pari, të krishterët duhet ta kuptojnë se nuk e zotërojnë të drejtën e bekimeve hyjnore, por ato u jepen si dhuratë për t’u ndarë me të tjerët. E, së dyti, ata duhet ta njohin vlerën e hirit, që dikohet edhe mbi bashkësitë e tjera, duke zgjuar kështu, dëshirën për të marrë pjesë në të. “Populli i krishterë, i përtërirë dhe i pasuruar nga ky shkëmbim dhuratash, do të jetë i aftë të ecë me vendosmëri dhe besim në rrugën drejt bashkimit”: këto fjalët e fundit të Atit të Shenjtë.

18 janar 2019, 18:55