Kërko

 Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Papa Françesku: Zoti është atë, jo padron. E nuk i harron kurrë bijtë!

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa foli për forcën e lutjes. “Lutja e shndërron realitetin - theksoi - i shndërron situatat e, sidomos, zemrat. Dëshirat e atij që lutet me gjithë shpirt, nuk mbeten kurrë pa u realizuar!”.

R. SH. - Vatikan

“Kur i lutemi Atit tonë, mund të përqendrohemi vetëm mbi një fjalë. ‘Atë’! E ta ndjejmë thellë në shpirt se e kemi një Atë. Atë, jo padron” - Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa vijoi ciklin e katekizmit kushtuar lutjes, që vetë Krishti ua mësoi dishepujve të vet. E nënvizoi:

“Zoti nuk i harron kurrë bijtë, që vuajnë. Edhe kur lutjet tona të përgjëruara duket sikur nuk do të kenë asnjë rezultat, nuk duhet të na lëshojë zemra. Duhet të vijojmë, me ngulm e besim se lutja e shndërron gjithnjë realitetin, gjithnjë! E nëse nuk ndërrojnë gjërat, që na rrethojnë, të paktën ndërrojmë ne, ndërron zemra jonë”.

Zot, Ti po lutesh për mua?

Jezusi - tha Papa, duke cituar posaçërisht Ungjillin e Lukës - lutet shumë, lutet për ne (e ne mund t’i themi: “Jezus, po lutesh për mua? Vijo, o Zot, se kam shumë nevojë! Kështu, me guxim).

“E lutja e Tij i shuan emocionet më të dhunshme, dëshirat më të zjarrta për hakmarrje e shpagim, e pajton njeriun deri me armiken e tij më të betuar: vdekjen”.

Së fundi, siç bënin dishepujt, edhe ne mund t’i themi Zotit: “Më mëso të lutem, që edhe unë të mund të lutem si dëshiron ti, o Zot!”. Nga kjo kërkesë - vijoi Papa - lind një mësim i çmuar. Jezusi na shpjegon me ç’fjalë e ç’ndjenja duhet t’i drejtohemi Zotit.  

Pjesa e parë e këtij mësimi është Atyna

O Ati ynë, që je në qiell. Atë! Fjalë që tingëllon mrekullisht bukur. Mund  ta kalojmë gjithë kohën e lutjes vetëm me këtë fjalë në buzë. Të përsërisim vetëm “Atë” e të ndjejmë thellë në shpirt se e kemi një atë, që nuk është padron, as  zotërues, por Babë i mirë.  Kështu e thërret i krishteri Zotin. Me këtë fjalë i drejtohet, sa herë dëshiron ta takojë, ta falënderojë a t’i lypë  ndihmë.

Shëmbëlltyra e mikut të besdishshëm

Françesku vijoi ta thellojë mësimin e Jezusit kushtuar lutjes, duke u ndaluar tek një shëmbëlltyrë. Është ajo - kujtoi - që njihet si e mikut të besdisshëm, i cili shkon e troket në portën e fqinjit shi atëherë, kur nuk duhet trokitur. Në mesnatë. Kur të gjithë janë të zhytyr në gjumë të thellë. Shqetëson, kështu, një familje të tërë, sepse i erdhi një mik i papritur  e s’ka ç’t’i japë të hajë. Troket e troket, derisa i hapet porta. Me këtë shëmbëlltyrë Jezusi dëshiron të na mësojë ngulmimin gjatë lutjes. E menjëherë pas, sjell shembullin tjetër, atë të atit e të djalit të uritur, i cili kërkon të hajë peshk. “E cili prej jush i jep të birit një gjarpër, në vend të peshkut, që kërkoi? Çfarë bëni të gjithë ju, etër e gjysha, që jeni këtu, kur djali a nipi ju kërkon ndonjë gjë, sepse ka uri? E kërkon e qan e këlthet - vijoi të pyesë Papa, duke iu drejtuar besimtarëve, që mbushnin përplot Sallën e Palit VI - a nuk ia jepni atë, që kërkon? Peshkun, jo gjarprin!

“Me këto fjalë Jezusi na lë të nënkuptojmë se Zoti përgjigjet gjithmonë, se s’ka lutje, që mbetet e padëgjuar, sepse ai është Atë, nuk mund t’i harrojë bijtë, që vuajnë”.

Lutja nuk mbetet kurrë e padëgjuar

E pra - vijoi të kujtojë Papa - shumë prej lutjeve tona na duket se nuk kanë kurrfarë rezultati. Sa herë kërkuam - e nuk morëm, sa herë shpresuam - e  i humbëm shpresat. Të gjithë e kemi provuar këtë! Kërkuam e nuk gjetëm. Troklluam, por dera mbeti e mbyllur. Në këto çaste, Jezusi na këshillon  të ngulmojmë fort, me gjithë zemër. Të mos e ndjejmë kurrë veten të mposhtur. Lutja e shndërron gjithnjë realitetin, gjithnjë. Nëse nuk ndërrojnë punët rreth nesh, të paktën ndërrojmë ne, ndërron zemra jonë!

Jezusi na premtoi Shpirtin Shenjt

Jezusi ia premtoi dhuratën e Shpirtit Shenjt çdo burri e çdo gruaje që lutet. Duhet të jemi të sigurt se Zoti nuk do të heshtë. Pasiguria e vetme është se kur do të na vijë gjegjja.

“Ndoshta do të na duhet të presim një jetë të tërë, po ai sigurisht do të përgjigjet. Na e premtoi vetë: ai nuk është  atë, që të jep gjarpër në vend të peshkut! S’ka gjë më të sigurt se përgjigjja e Tij: dëshira për lumturi, që të gjithë e kemi në zemër, do të përmbushet”.

Lutja është fitore mbi vetminë e dëshpërimin

Të lutesh, do të thotë të fitosh mbi vetminë e dëshpërimin. Lutja të ndryshon, gjithnjë:

“Krijimi është gjithnjë në lëvizje, gjithnjë përudhë. Si krijimi, edhe ne,  me pyetjen e përjetshme në buzë: po në fund të çdo udhe, ç’na pret? Në fund të lutjes, në fund të kohës së lutjes, në fund të jetës sonë? Na pret një atë. Na pret të gjithë, me krahë hapur”.

09 janar 2019, 13:35