Papa Françesku në Murin e Lotëve me Myftiun e Madh dhe me Rabinin e Madh të Izraelit Papa Françesku në Murin e Lotëve me Myftiun e Madh dhe me Rabinin e Madh të Izraelit 

Papa Françesku: “të ndreqen dëmet e keqkuptimit” ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve

Në parathënien e librit “Bibla e Miqësisë”, Papa Françesku nënvizon se “kemi pas shpine 19 shekuj antijudaizmi të krishterë e pak dhjetëvjeçarë dialogu nuk janë asgjë në krahasim me to”. “Megjithatë, gjatë kohëve të fundit, shumë gjëra kanë ndryshuar e të tjera po ndryshojnë akoma”.

R.SH. - Vatikan

“Për hebreun, ashtu si për të krishterin, nuk ka dyshim se dashuria për Zotin e për të afërmin i përmbledh të gjitha urdhërimet”. “Prandaj, hebrenjtë e të krishterët duhet të ndjehen vëllezër e motra, bashkuar nga i njëjti Zot e nga një trashëgimi e pasur shpirtërore e përbashkët, mbi të cilën të hedhin themelet e të vijojnë ndërtimin e së ardhmes”. Kështu shkruan Papa Françesku në parathënien e librit “Bibla e Miqësisë. Pjesë nga Torah/Pesëlibërshi komentuar nga hebrenj e të krishterë”.

Vëllimi, për të cilin janë kujdesur Marco Cassuto Morselli dhe Giulio Michelini (Cinisello Balsamo, Shtëpia Botuese San Paolo, 2019), do të dalë në librari, më 18 janar. Në parathënien e publikuar sot, në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, Ati i Shenjtë nënvizon se mënyra më e mirë për të dialoguar “nuk është vetëm të flitet e të diskutohet, por të bëhen projekte, që realizohen së bashku”. “Objektivi i përbashkët duhet të jetë dëshmia e dashurisë së Atit për gjithë botën”.

Të ndreqen dëmet e shkaktuara nga keqkuptimi

 “Jam më se i vetëdijshëm – vëren Françesku – se kemi pas shpine 19 shekuj antijudaizmi të krishterë e se pak dhjetëvjeçarë dialogu nuk janë asgjë në krahasim me to. Megjithatë, gjatë kohëve të fundit, shumë gjëra kanë ndryshuar e të tjera vijojnë të ndryshojnë akoma”. “Duhet punuar me intensitet më të madh – shkruan Papa – për të kërkuar falje e për të ndrequr dëmet e shkaktuara nga keqkuptimi. Vlerat, traditat, idetë e mëdha, që i japin identitet hebraizmit dhe krishterimit, duhet të vihen në shërbim të njerëzimit, pa harruar kurrë shenjtërinë dhe vërtetësinë e miqësisë. Bibla na bën të kuptojmë se këto vlera janë të padhunueshme – premisë e nevojshme për një dialog konstruktiv”.

Studimi i Torah

 “Është me rëndësi jetësore për të krishterët – shkruhet më tej në parathënie – të njihet tradita hebraike për ta kuptuar më mirë vetveten. Edhe studimi i Torah është pjesë e këtij impenjimi themelor. Prandaj – përfundon Papa Françesku – dua t’ia besoj udhën tuaj kërkimore fjalëve, që thotë përditë çdo besimtar hebre, në fund të lutjes së ‘amidah’: Na u hapshin portat e Torah, të urtisë, të inteligjencës e të dijes, portat e ushqimit e të sigurimit të tij, portat e jetës, të hirit, të dashurisë, të mëshirës e të vlerësimit para Teje”, o Zot.

16 janar 2019, 12:02