Kërko

Vatican News

Papa, vullnetarëve: kemi nevojë ta shumëfishojmë shpresën

Në stadiumin Rommel Fernàndez Juan Diaz të Panamasë, takimi kushtuar vullnetarëve të DBR-së. Përqafimi i fundit i Papës Françesku me të rinjtë, para se të kthehej në Vatikan. Të pranishëm, 15 mijë të rinj.

R.SH. - Vatikan

Me një falenderim dhe me një ftesë për dëshmi drejtuar gjithë vullnetarëve, që siguruan mbarëvajtjen e DBR-së së Panamasë, Papa Françesku përfundoi, natën e djeshme (sipas orës evropiane), Takimin e madh me të rinjtë nga anë të ndryshme të botës. Kujtojmë se qe i pranishëm edhe një grup nga Shqipëria dhe Mali i Zi. Mbrëmë, Ati i Shenjtë u takua me rininë në stadiumin Rommel Fernández Juan Diaz, në një festë ngjyrash e koresh entuziaste, që ashtu si ditët e kaluara, ndezi shpresën në zemrat e të rinjve.

Kush janë vullnetarët

         Ishin aty, të krishterë, myslimanë, budistë dhe hebrenj. Ndokush edhe jo besimtar, por të gjithë të gatshëm për të shërbyer me bujari, siç nënvizoi koordinatori i përgjithshëm i DBR-së, Ròmulo Aguilar. Para Papës, edhe tre të rinj – një polak, një panameze, një portugeze - që sollën në tribunë përvojën e tyre të shërbimit. Pastaj, kryeipeshkvi i Panamasë, imzot José Domingo Ulloa Mendieta, që në fjalën e tij për të rinjtë, u kërkoi ta përhapin frymën e shërbimit në ambientet e tyre, duke i bërë të përjetojnë Rrëshajë të reja.

Fjalët e Papës

         E pastaj, një version “pop” i Lajmërimit të Zojës, veçanërisht i vlerësuar nga Ati i Shenjtë, që falenderoi çdo vullnetar, i thirri me emër tre të rinjtë, që dhanë dëshminë e tyre në tribunë, duke i dhënë rëndësi këtij gjesti:

         “Sa e rëndësishme është t’ju dëgjojmë dhe ta kuptojmë bashkimin, që krijohet kur jemi së bashku për t’u shërbyer të tjerëve! E shohim se feja merr shije dhe forcë krejtësisht të re: bëhet më e gjallë, më dinamike dhe më e vërtetë. Përjetojmë një gëzim të ndryshëm, siç e pashë këtu, sepse patëm mundësi të punojmë krah për krah me të tjerët, për një ëndërr të përbashkët. E di që të gjithë e keni provuar këtë”.

Ecni përpara, pavarësisht nga dobësitë

         Papa nuk i fshehu vështirësitë e udhës së shërbimit, që mund të paralizohet nga dobësitë e kufizimet e vetë të rinjve. Por si një atë i mirë, i nxiti:

         “Kufizimet, dobësitë, të mos na paralizojnë. Ecni përpara, me gjithë të metat – më vonë, do t’i korrigjojmë – me gjithë brishtësitë… por duhet ecur përpara. Mos lejoni që kufizimet, dobësitë e madje, edhe mëkatet, të na frenojnë e të na pengojnë ta jetojmë misionin, sepse Zoti na thërret të bëjmë ç’mundemi e të kërkojmë atë që s’mundemi, duke e ditur se dashuria e Tij na merr e na shndërron gradualisht. Mos u bllokoni: ecni përpara… sepse Zoti di të falë gjithçka… vendose misionin në vend të parë e do të shohësh se gjithçka tjetër vjen vetë”.

Jepni e do t’ju jepet

         Ati i Shenjtë i falenderoi të rinjtë jo vetëm për gjërat e mëdha, por edhe për ato të voglat, siç mund të jetë “një gotë ujë”. Lutja, nënvizoi, të ndihmon për çdo gjë. E Zoti t’i shpërblen sakrificat, siç ndodhi me njërën nga të rejat, që dhanë dëshmi nga tribuna. Stella Maris kishte mbledhur pak nga pak paratë për udhëtimin, që do ta çonte në DBR, kur akoma nuk e dinte ku do të mbahej. Por brenda vitit, ndërruan jetë tre gjyshër të saj e shuma e mbledhur shkoi për varrimet. E bindur se tashmë nuk do të shkonte në Takimin rinor, nuk llogariti Zotin, që i mendon punët për të gjithë. Vërtet, DBR-ja u caktua në Panama e ajo, duke qenë panameze, nuk kishte më nevojë për shumë para që të shkonte në Takimin rinor. Duke e përmendur rastin e saj, Papa Françesku theksoi:

         “Kemi nevojë ta shumëfishojmë shpresën. Faleminderit për gjithë këtë! Edhe një herë, dëshmoni se është e mundur të heqësh dorë nga interesi personal, në favor të të tjerëve. Siç bëre edhe ti, Stella Maris: e pata lexuar dëshminë tënde, prandaj munda të shkruaj këto që po them, sepse kur e lexova, më erdhi të qaj. Hoqe dorë nga interesi yt… Hoqe dorë, për të nderuar rrënjët e tua e kjo të bën grua, të bën të rritur, të bën guximtare… e Zoti, pa e pritur e pa e menduar, po të përgatiste dhuratën e DBR-së, që do të vinte në tokën tënde. Hyjit i pëlqen të bëjë këso shakash, Zotit i pëlqen të përgjigjet me bujari: Ai e fiton gjithnjë garën e bujarisë. Edhe ju, dhuroni kështu, e Ati do t’ju japë shumë më tepër. Ky është Zoti, ç’të bëjmë? Kështu do Ai”.

Çasti i dërgimit dhe i “zhurmës”

         Pas përjetimit të fesë së gjallë e të vërtetë dhe të forcës, që vjen nga lutja, Papa i ftoi vullnetarët e rinj të jenë dëshmitarë, të tregojnë dhe të transmetojnë atë që kanë parë “jo me shumë fjalë”, por “me gjeste të thjeshta” e “të përditshme, që i shndërrojnë dhe i bëjnë të reja të gjitha gjërat”. E Françesku tregoi historinë e gruas së moshuar dhe të zhurmës:

         “Po ju tregoj diçka: kur mbërrita, ditën e parë, ishte një zonjë me një kësulë, një zonjë e moshuar, një gjyshe. Ishte aty, pranë parmakut, ku po kaloja me makinë; e kishte një tabelë ku shkruhej: ‘Edhe ne, gjyshet, dimë të bëjmë zhurmë’. E pastaj: ‘Me urti’. Së bashku me gjyshërit, për ta ngritur zërin, por për të bërë këtë lloj ‘zhurme’ pozitive: mos kini frikë, ngrijeni zërin…”.

         Në përfundim, Ati i Shenjtë pati një mendim për Zojën, siç ka bërë vazhdimisht gjatë kësaj DBR-je, me temë që i kushtohet pikërisht “po”-së së Marisë për planin e Zotit:

         “Le të vihemi me gjithë zemër nën mantelin e Virgjërës Shenjte. Ajo ju shoqëroftë gjithmonë. E, siç ju thashë në Krakov, nuk e di a do të jem në DBR-në e ardhshme, por Shën Pjetri do të jetë sigurisht e do t’ju përforcojë në fe. Ecni përpara, me forcë e guxim e, ju lutem, jam shpirt mëkatar, mos harroni të thoni uratë për mua. Faleminderit!”

28 janar 2019, 12:55