Papa Françesku  në Panama për DBR-në Papa Françesku në Panama për DBR-në 

Shtegtim për të përforcuar fenë e për të zbuluar ndjenja të reja

Koment i Andrea Mondës, drejtor i L’Osservatore Romano, për konferencën e shtypit të Papës Françesku, gjatë kthimit, i cili thotëe: "Nuk di të bëj bilançin e misionit. Unë shkoj kështu përpara Zotit duke u lutur, duke ia çuar gjithë këto gjëra, që jetova në mision e duke iu lutur t’i përfocojë në fe, përmes meje. Kjo tregon si përpiqem ta jetoj misionin e Papës, e edhe si e jetoj!”

R. SH. - Vatikan

Flet për misionin, Papa Françesku, duke hapur konferencën e shtypit në avionin, që e rikthen në shtëpi, pas pesë ditëve të DBR-së së Panamasë. Flet për misionin, tema e fundit (më mirë të themi, për bukurinë e pasjes së një misioni), trajtuar prej tij në takimin përfundimtar me vullnetarët në Stadiumin Rommel Fernandez:

“Misioni im në një Ditë të Rinisë, është misioni i Pjetrit, domethënë, të përforcoj në fe, e këtë ta bëj jo me mandate të ‘ftohta’, a me rregulla, por duke u prekur në zemër e duke iu përgjigjur asaj, që po ndodh. Kështu jetoj unë, nuk mund as ta mendoj se ndokush e kryen misionin vetëm me kokë. Për ta kryer misionin, duhet  të dëgjosh,  e kur dëgjon, edhe prekesh. Të prek jeta, të prekin problemet. Në Aeroport po përshëndesja Presidentin, kur më sollën para një fëmijë me ngjyrë, simpatik, fare i vogël. E Presidenti më tha: ‘Shiko, ky fëmijë po kalonte kufirin me Kolumbinë, kur i vdiq e ëma e mbeti fill i vetëm. Është pesë vjeç…’. Kisha para - pohoi Papa - dramën e një fëmije të braktisur nga jeta. Kjo të prek në shpirt. E kështu misioni nis të marrë ngjyrë, të thërret t’i thuash diçka jetimit, të bën ta ledhatosh. Misioni të bën gjithnjë për vete. U them të rinjve: ju, atë që e bëni në jetë, duhet ta bëni duke u marrë vesh me tri gjuhë: me atë të kokës, të zemrës e të duarve. Tri gjuhë të harmonizuara, në mënyrë që ta mendoni, atë që ndjeni e atë që bëni; ta ndjeni, atë që mendoni e që bëni; ta bëni, atë që ndjeni e që mendoni!

Nuk di të bëj bilançin e misionit. Unë shkoj kështu përpara Zotit duke u lutur. Nganjëherë përgjumem para Zotit, por duke ia çuar gjithë këto gjëra, që jetova në mision e duke iu lutur t’i përfocojë në fe, përmes meje. Kjo tregon si përpiqem ta jetoj misionin e Papës, e edhe si e jetoj!”.

Atij, që e pyet nëse kjo DBR iu përgjigj shpresave të tij, i përgjigjet menjëherë. “Po, ma thotë termometri i lodhjes e unë jam i raskapitur”.

Papa është lodhur. E kjo duket menjëherë. Por nuk  dorëzohet, e përballon edhe lodhjen e fundit të konferencës së shtypit, duke vënë buzën në gaz e duke iu përgjigjur me zemër të hapur pyetjeve “më dinake” . E gazetarët  e vlerësojnë duke e kurorëzuar bisedën me një duartrokitje finale të vetvetishme e të ngrohtë. Të panumërta pyetjet, të shumta temat e trajtuara: nga edukimi seksual, tek çelibati i meshtarëve; nga braktisja e Kishës prej të rinjve, tek aborti dhe shpërdorimet; nga kriza e Venezuelës, tek emigrantët.

Tema impenjative, para të cilave Papa nuk hesht as kur  është rasti i çelibatit meshtarak e, si flet për bindjen e tij personale, përgjigjet se mbi një çështje kaq të ndërlikuar duhet të mendohet akoma, e sidomos, duhet të lutet “sepse mbi këtë temë, nuk është lutur ende sa duhet” e edhe sepse i tiji nuk është opinion specialisti, që e ka gati zgjidhjen për çdo problem, por fjala e njeriut të fesë.

Njeri i fesë, njeri i paqes: kështu e quan Papën një manifest i madh, që e shoqëroi rrugëve të Panamasë: “Bashkësia islamike i uron mirëseardhjen Papës Françesku, njeri i fesë!”. Përshëndetje, që tingëllon si mirupafshim e    ftesë për udhëtimin tjetër, të dielën e ardhshme, në Emiratet Arabe, ngjarje me peshë historike, që shikon për herë të parë një pasardhës të Shën Pjetrit në gadishullin arab. E bukur e ngushëlluese, pastaj, të zbulosh nga organizatorët, se bashkësia islamike nuk u mjaftua vetëm me përshëndetjen, por, së bashku me atë hebraike, mikpriti në shtëpitë e veta, më se njëqind të rinj,  ardhur në Panama për DBR-në.

Pesë ditë, që e mbushën me gëzim Papën i cili, në përfundim të Konferencës, foli përsëri për Panamanë, me fjalë të forta e të sinqerta: “Dëshiroj të them edhe dy fjalë për Panamanë; ndjeva diçka krejt të re e më erdhën në gojë këto fjalë: ‘Panamaja është komb fisnik. Gjeta fisnikëri në atë tokë. E dua të them edhe diçka tjetër:  se ne, në Evropë, nuk e shikojmë, çka pashë në Panama. Pashë prindër që i ngrenin lart fëmijët e të thoshin : ‘Kjo është fitorja ime! Kjo, krenaria ime! Kjo, ardhmëria ime!’”. Në dimrin demografik, që po jetojmë në Evropë - e edhe në Itali - nën zero - kjo duhet të na bëjë të mendojmë: “Cila është krenaria ime?Turizmi? Pushimet? Vila? Qeni? Apo fëmija? Biri a bija ime?”.

28 janar 2019, 17:21