Papa Françesku në meshën përfundimtare të DBR-së, në Panama Papa Françesku në meshën përfundimtare të DBR-së, në Panama 

Papa, në meshën përfundimtare të DBR-së: rinia nuk është sinonim me “dhomën e pritjes”

“Ju të dashur të rinj, nuk jeni e ardhmja, por e tashmja e Zotit”. Kështu u tha Papa rreth 700 mijë të rinjve, që morën pjesë në meshën përfundimtare të DBR-së në Panama. Në kremtim edhe presidentët e Panamasë, të Kosta Rikës, të Kolumbisë, të Guatemalës, të Hondurasit, të Portugalisë dhe të Salvadorit.

R.SH. - Vatikan

Dita e sotme filloi me meshën e kremtuar në Campo San Juan Pablo II – Metro Park, me 700  mijë të rinjtë e kësaj Dite Botërore, ndër të cilët edhe grupi rinor nga Shqipëria e Mali i Zi. Gjatë homelisë, Papa komentoi Ungjillin e kësaj së diele, e treta e kohës së zakonshme të vitit liturgjik.

Ora e Zotit

         Jezusi ndodhet në sinagogën e Nazaretit dhe pas leximit të një pjese nga Isaia profet thotë: “Sot është përmbushur ky Shkrim që keni dëgjuar” (Lk 4,20-21). “Jezusi – theksoi Françesku - zbulon praninë e tashme të Zotit, që vjen të na takojë për të na thirrur edhe ne të marrim pjesë në të tashmen e Tij”, gjatë së cilës “t’u çojmë lajmin e mirë të varfërve”, “t’i njoftojmë të burgosurit se janë të lirë dhe të verbërit se mund të shohin”, “t’i çlirojmë të shtypurit” dhe “të shpallim vitin e hirit të Zotit” (Lk 4,18-19). Është ora e Zotit, që bëhet e pranishme me Jezusin, bëhet fytyrë, trup, dashuri e mëshirshme, që nuk pret gjendje ideale, ose të përsosura, për t’u dukur... Krishti është koha e Hyjit, që e bën çdo situatë dhe çdo hapësirë të drejtë dhe të përshtatshme. Në Jezusin, e ardhmja e premtuar fillon e bëhet jetë”.

Jo të gjithë i besojnë Jezu Krishtit

Por, vërejti Ati i Shenjtë, “jo të gjithë në Nazaret ishin gati të besonin në dikë, që e njihnin dhe e kishin parë të rritej, pavarësisht se i ftonte të realizonin një ëndërr të shumëpritur”. “E njëjta gjë mund të na ndodhë edhe neve. Jo gjithnjë besojmë se Zoti mund të jetë kaq konkret dhe i pranishëm në jetën e përditshme, kaq i afërt dhe real... Jo gjithnjë besojmë se Zoti mund të na ftojë të punojmë dhe t’i baltosim pis duart së bashku me Të, në Mbretërinë e Tij, kaq thjesht, por kaq vendosmërisht. Jo rrallë, sillemi si fqinjët e Nazaretit, preferojmë një Hyj të largët: të bukur, të mirë, bujar, por të largët, që të mos na bezdisë”.

Zoti i afërt na kërkon të impenjohemi

“Sepse një Zot i afërt dhe i përditshëm, mik e vëlla, na kërkon të mësojmë të jemi të afërt, të jemi të pranishëm përditë e sidomos, të jemi vëllezër – vijoi Papa. - Ai nuk deshi të dukej në mënyrë engjëllore, ose spektakolare, por deshi të na dhuronte një fytyrë vëllazërore e miqësore, konkrete e familjare. Hyji është real, pasi dashuria është e vërtetë; Zoti është konkret, pasi dashuria është konkrete. Pikërisht ky është “konkretizimi i dashurisë, që përbën një nga elementet thelbësore të jetës së të krishterëve” (cf. ID., Homelia, 1 mars 2006). “Edhe ne mund të rrezikojmë njëlloj si njerëzit e Nazaretit”: është tundimi për ta “zbutur Fjalën e Zotit”.

Mos mendoni se e tashmja juaj është vetëm një premtim

“Edhe juve, të dashur të rinj, - ju drejtua Papa oqeanit rinor, para tij gjatë meshës në fushën, me emrin e shën Gjon Palit II - mund t’ju ndodhë e njëjta gjë, sa herë mendoni se misioni, thirrja, madje edhe jeta juaj është premtim, që vlen vetëm për të ardhmen dhe nuk ka të bëjë me të tashmen. Sikur rinia të ishte sinonim me “dhomën e pritjes”, për atë që pret radhën e orës së tij. E “ndërkohë”, ne shpikim për ju, ose ju vetë shpikni për veten një të ardhme të paketuar në kushte higjienike e pa pasoja, ndërtuar si s’ka më mirë dhe garantuar me “të gjitha të siguruara”. Ky është “filmi” i gëzimit, por jo gëzimi i vërtetë. Kështu, ju “qetësojmë” e ju vëmë në gjumë, që të mos bëni zhurmë, që të mos i bëni pyetje vetes dhe të tjerëve, që të mos e vini në dyshim veten dhe të tjerët; dhe në këtë “ndërkohë” ëndrrat tuaja e humbasin lartësinë, fillojnë të përgjumen e kthehen në ‘iluzione’ rrafsh me tokën, të vogla e të trishta (shih Homelinë e së Dielës së Larit, 25 mars 2018), vetëm pse mendojmë, ose mendoni se akoma nuk ju ka ardhur ora; se jeni tepër të rinj për të ëndërruar e për të ndërtuar të ardhmen”.

Dashurohuni me misionin tuaj

Por, nënvizoi Papa, siç e pamë në Sinodin e fundit, “kemi nevojë për njëri-tjetrin” dhe duhet të krijojmë një “hapësirë të përbashkët” për të “ndërtuar të nesërmen që sot”. “Hapësirë që nuk na dhurohet e as nuk e fitojmë në lotari, por hapësirë për të cilën edhe ju duhet të luftoni”. E Françesku theksoi: “Ju, të dashur të rinj, nuk jeni e ardhmja, por ora e Zotit, e tashmja e Hyjit”. Tani, duhet të jetojmë për atë që duam: “Gjithçka ju bën ta doni me gjithë shpirt, do t’ju pushtojë jo vetëm imagjinatën, por edhe jetën. Për të do të zgjoheni në mëngjes, ajo do t’ju nxisë në çastet e lodhjes, ajo do t’ju thyejë edhe zemrën, por do t’ju mbushë me mrekulli, gëzim dhe mirënjohje. Ndiejeni që keni një mision dhe dashurohuni pas tij, sepse gjithçka do të varet prej kësaj (shih PEDRO ARRUPE, S.J., Nada es más práctico). Mund të kemi çdo gjë, por nëse mungon pasioni i dashurisë, mungon gjithçka. Le të biem në dashuri me Zotin!”.

Kthehuni në shtëpi dhe ungjillëzoni bashkësitë

Në fund të meshës, Papa Françesku falënderoi ata që e bënë të mundur këtë Ditë Botërore të Rinisë: “Feja dhe gëzimi juaj – u tha të rinjve - e kanë bërë Panamanë, Amerikën dhe të gjithë botën të vibrojnë... Ju lutem, mos lejoni të ftohet çka keni përjetuar këto ditë. Kthehuni në famullitë dhe në bashkësitë tuaja, ndër familje e miq, dhe transmetojuani këtë përvojë, në mënyrë që të tjerët të vibrojnë me forcën dhe gëzimin tuaj. Me Marinë, vazhdoni t’i thoni “po” ëndrrës, për të cilën Zoti ka hedhur farën brenda jush”. Papa i përshëndeti të rinjtë, duke u lënë takim në Lisbonë të Portugalisë, ku në vitin 2022, do të mbahet Dita e ardhshme Botërore e Rinisë.

27 janar 2019, 15:37