Papa gjatë konferencës së shtypit Papa gjatë konferencës së shtypit 

Papa: “Në rrëfyestore e kuptova dramën e abortit”

Françesku në fluturimin e kthimit nga Panamaja, gjatë bisedës me gazetarët, preku problemet e plagët kryesore të njeriut e të botës: nga nina-nana e pakënduar mbi djepat e fëmijëve të abortuar, tek rreziku i gjakderdhjes në Venezuelën, për të cilën kërkoi rrugëzgjidhje paqësore e tek takimin i shkurtit me ipeshkvijtë: “Duhet të fitojmë vetëdijen mbi dramën e të kemi protokolle - theksoi - Ipeshkvijtë duhet të dinë ç’ duhet bërë” .

Françesku, gjatë shtegtimit të kthimit nga Panamaja, në Vatikan, bisedoi, sipas traditës, me gazetarët, që e shoqëronin. Preku një sërë problemesh të mprehta të aktualitetit, duke nisur nga aborti - për të përfunduar tek tema që i dhemb më shumë, fati i emigrantëve e i kombeve latinoamerikane, si Venezuela.  Duke u ndaluar tek plaga e abortit, pohoi: “Grave, që i bren ky ankth, u them; fëmija jot është në qiell, fol me të, këndoja nina-nanën, që nuk munde t’ia këndoje”. Për Venezuelën, kërkoi rrugëzgjidhje paqësore. “Më tmerron gjakderdhja”- pohoi. Për takimin e shkurtit lidhur me mbrojtjen e të miturve theksoi: “Duhet të fitojmë vetëdijen mbi dramën e të kemi protokolle! Ipeshkvijtë duhet të dinë çka duhet bërë” .

Drama e abortit

Për ta kuptuar dramën e abortit, duhet të rrish në rrëfyestore e t’i ndihmosh gratë të pajtohen me fëmijën e palindur – kujtoi Papa - E për ta bërë këtë,  duhen “dëgjuar” njerëzit, duhet të plagosesh nga takimet me ta, nga historitë e tyre, nga dramat, duke e çuar gjithë këtë barrë të rëndë para Zotit, që ta përforcojë në fe. Në takimin e shkurtit mbi shpërdorimet duhet ta kuptosh mirë ç’do të thotë një vajzë a një djalë i mitur, i shpërdoruar, për t’u radhitur, pastaj, përkrah atij, që e pësoi këtë perdhunim të tmerrshëm, E në një perspektivë të tillë radhitet edhe shqetësimi për Venezuelën, që e shtyn Françeskun të kërkojë zgjidhje paqësore e shmangie të gjakderdhjes.

Papa, që pohon se ndjehet “i lodhur e i këputur” për shkak të ngarkesës së jashtëzakonshme të shtegtimit të jetuar pa e kursyer veten,  dialogon për 50 minuta me gazetarët gjatë fluturimit drejt Romës, në konferencën e parë të shtypit, të udhëhequr nga  drejtori  i përkohshëm i Sallës vatikanse të Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti.

Ç’ndikim pati misioni Juaj në Panama? – është një nga pyetjet e para që i drejtohen

“Misioni im në një Ditë kushtuar Rinisë, është misioni i Pjetrit: të përforcoj në fe, jo me mandate “të ftohta”, por duke u prekur në shpirt e duke iu përgjigjur asaj që ngjet, me zemër në dorë. Unë e jetoj kështu misionin. Jo vetëm me kokë. Për të kryer një mision, duhet ta ndjesh, e kur e ndjen, edhe të prekesh thellë. Të prek jeta, të prekin problemet. Në aeroport, ndërsa përshëndesja presidentin, sollën një fëmijë me ngjyrë, simpatik, i vogël sa grima. E Presidenti më tha: ‘Shikoje këtë fëmijë, po kalonte kufirin me Kolumbinë, kur i vdiq e ëma e mbeti vetëm. Është pesë vjeç. Vjen nga Afrika, por nuk e dimë nga ç’vend, sepse nuk di anglisht, as frëngjisht e as portugalisht. Flet vetëm gjuhën e fisit të vet. E bijësuam ne’. Isha para dramës së një fëmije, i cili humbi nënën e polici ua dorëzoi autoriteteve, që ta marrin në ngarkim. Kjo të prek në shpirt. E kështu misioni nis të marrë ngjyrë, të thërret t’i thuash diçka jetimit, të bën ta ledhatosh. Misioni të bën gjithnjë për vete. U them të rinjve: ju, atë që e bëni në jetë, duhet ta bëni duke u marrë vesh me tri gjuhë: me atë të kokës, të zemrës e të duarve. Tri gjuhë të harmonizuara, në mënyrë që ta mendoni, atë që ndjeni e atë që bëni; ta ndjeni, atë që mendoni e që bëni; ta bëni, atë që ndjeni e që mendoni!

Nuk di të bëj bilançin e misionit. Unë shkoj kështu përpara Zotit duke u lutur. Nganjëherë përgjumem para Zotit, por duke ia çuar gjithë këto gjëra, që jetova në mision e duke iu lutur t’i përfocojë në fe, përmes meje. Kjo tregon si përpiqem ta jetoj misionin e Papës, e edhe si e jetoj!

Gjatë “Udhës së Kryqit, një i ri shqiptoi fjalë shumë të forta për abortin: “Eshtë varr, që ngre zërin deri në qiell e denoncon këtë mizori njerëzore, është varr, që hapet në barkun e nënave… Zoti na ndihmoftë ta mbrojmë vendosmërisht jetën e bëftë të shlyhen përgjithmonë ligjet që e vrasin njeriun e palindur…

“Mesazhi i mëshirës u përket të gjithëve, gruas shtatzënë, sidomos. Pas këtij dështimi, është edhe mëshira. Por një mëshirë e vështirë, sepse nuk  është thjesht ta falësh gruan, por sidomos, ta shoqërosh...

Ju thatë, në Panama, se jeni shumë pranë venezuelanëve dhe kërkuat rrugëzgjidhje të drejtë e paqësore…

“Në këtë çast unë mbështet gjithë popullin e Venezuelës, sepse po vuan si njëra palë, ashtu edhe tjera. Nëse do të kujtoja ç’thotë ky a ai vend,  do të shprehesha për diçka që nuk e di, do të ishte pakujdesi baritore nga ana ime e do të bëja më shumë dëm se dobi. Fjalët, që i thashë, i kam menduar e rimenduar. E besoj se me këtë shpreha afërsinë time, atë që ndjej. Unë vuaj për çka po ndodh në këtë çast në Venezuelë, e prandaj kërkoj zgjidhje të drejtë e paqësore.

“Ju falënderoj shumë për punën tuaj - u tha në përfundim Papa  gazetarëve, që e shoqëronin - dëshiroj të them edhe dy fjalë për Panamanë; ndjeva diçka krejt të re e më erdhën në gojë këto fjalë: “Panamaja është komb fisnik. Gjeta fisnikëri në atë tokë. E dua të them edhe diçka tjetër:  se ne, në Evropë, nuk e shikojmë, çka pashë në Panama. Pashë prindër që i ngrenin lart fëmijët e të thoshin : “Kjo është fitorja ime! Kjo, krenaria ime! Kjo, ardhmëria ime!”. Në dimrin demografik, që po jetojmë në Evropë - e edhe në Itali - nën zero - kjo duhet të na bëjë të mendojmë: “Cila është krenaria ime?Turizmi? Pushimet? Vila? Qeni? Apo fëmija? Biri a bija ime?

Kjo, thënë përmbledhtas, biseda me gazetarët e Papës, që preku plagët, por sidomos edhe gëzimet e kësaj bote. I pa në sytë vezullues të mijëra të rinjve, përfaqësues të pesë kontineteve, të cilëve u bëri thirrje të jenë protagonistë të jetës së tyre e mbështetje për të tjerët!

28 janar 2019, 14:50