Kërko

Papa ipeshkvijve qendramerikanë: një Kishë e përvuajtur dhe e varfër, që nuk trembet nga plagët

Fjalimi i Papës drejtuar ipeshkvijve qendramerikanë, plot me citime të Oscar Romeros, ndihmon për të kuptuar Mesazhin për Ditën e Komunikimeve dhe takimin kushtuar mbrojtjes së të miturve.

R. SH. - Vatikan

"Në Kishë Krishti jeton mes nesh! Edhe për këtë arsye ajo duhet të jetë e përulur dhe e varfër, sepse një Kishë arrogante, një Kishë plot krenari, një Kishë e vetëmjaftueshme, nuk është Kishë e kenosis-it”. Kështu u tha mes tjerash Papa  Françesku ipeshkvijve të Amerikës Qendrore, duke cituar kryeipeshkvin Shën Oscar Romero, sipas të cilit "zbrazja" (kenosis) e Krishtit na kujton se Kisha që duhet të jetë e përvuajtur dhe e varfër, në shërbim të popullit të varfër e të shtypur”

“Të dëgjojmë me Kishën!”. Kjo ishte motoja ipeshkvnore e Shën Oscar Arnulfo Romeros, kryeipeshkëv i San Salvadorit, martirizuar nga skuadronet e vdekjes,  ndërsa kremtonte në altar. E edhe filli i kuq që përshkoi fjalimin e hollësishëm mbajtur nga Papa Françesku ipeshkvijve  qendramerikanë, në Kishën e San Francisco de Asìs në Ciudad de Panama, gjatë ditës së tij të parë të angazhimeve publike të shtegtimit për DBR-në 2019.

Edhe një herë Papa skicoi identikitin e bariut, duke  ofruar çelësin  për të hapur dyert, që çojnë në njohjen e situatës aktuale të Kishës.

Papa Françesku nënvizoi posaçërisht se “ta ndjesh veten Kishë”, do të thotë të kuptosh se kemi marrë një dhuratë krejtësisht falas. E kjo dhuratë na çliron nga çdo pretendim a tundim, i cili na shtyn të besojmë se jemi ne pronarët e saj ose të vetmit, që mund ta interpretojmë. Në një epokë, në të cilën shumë mesazhe rëgjohen në slogane e ku akuza e paragjykime vërshojnë në internet, të kujtosh - siç bën Papa - se “nuk jemi ne, që e shpikëm Kishën, se Kisha nuk lindi me ne, as nuk nuk mbaron me ne, por shkon përpara edhe pa ne”, të ndihmon shumë të zbresësh nga piedestalet e vetëvlerësimit, të hiperaktivizmit, të funksionalizmit, të afarizmit e të biznesit. Këtë e nënvizoi fort Françesku, për të kujtuar, më pas, me Shën Ambrozin, se Kisha, ashtu si hëna, nuk mund të shndrisë kurrë me dritën e vet! Mundet vetëm ta pasqyrojë dritën e Krishtit.

Për Romeron - shpjegoi akoma Papa - të ndjesh me Kishën, do të thotë  ta  kesh në thellësitë e shpirtit gjithë kènosis të Krishtit. E kènosis do të thotë  “zbrazje” e vetvetes, për t’u mbushur plotësisht me Zotin! Si Biri i Zotit, që u zbraz plotësisht nga vetvetja me mishërimin dhe vdekjen në kryq. Ka shumë rëndësi - kujtoi Françesku - që të mos trembemi nga njerëzit tanë, që janë edhe plagët tona. E këtë duhet ta bëjmë në stilin e Zotit. Bariu nuk mund të qëndrojë larg nga vuajtja e popullit të vet; madje mund të themi se zemra e bariut matet me aftësinë e tij për t’u prekur thellë përballë jetëve të kërcënuara. Ky ishte stili i Romeros e kjo edhe porosia që u dha sot Papa ipeshkvijve, duke u kërkuar të dëshmojnë një Kishë të përvuajtur e të varfër e duke iu shmangur rrezikut të mendjemadhësisë, të arrogancës, të vetëvlerësimit. Kjo është, në fund të fundit,  mënyra më e vërtetë  për  të marrë pjesë në takimin e ardhshëm për mbrojtjen e të miturve, në Vatikan, me kryetarët e Konferencave ipeshkvnore të botës, i cili do të karakterizohet pikërisht nga dëgjimi i viktimave, që mbijetuan prej abuzimeve. E kjo do të thotë t’u vësh gishtin  në plagë, për t’u plagosur prej tyre.

Por Papa, në fjalimin e  tij drejtuar ipeshkvijve, nënvizoi edhe se kènosis i Krishtit “kërkon t’i braktisësh virtualitetet e ekzistencës e të fjalimeve, për të dëgjuar zhurmën dhe britmën e njerëzve realë, që na bëjnë thirrje të krijojmë lidhje të vërteta”. Sepse rrjetet duhen për të krijuar lidhje, jo rrënjë,  nuk janë në gjendje të na ndihmojnë për të gjetur identitetin,  për ta ndjerë veten pjesë e të njëjtit popull”. Një cekje që të kujton botët virtuale dhe flluskat vetvëlerësuese, që krijojnë shumë shpesh. Ilaçin për ta shmangur këtë rrezik, mund ta gjejmë në frazën e Shën Palit: “Jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit”. Titull i mesazhit të Françeskut ky, për Ditën e Komunikimeve Shoqërore, që na fton të reflektojmë mbi identikitin e krishterë, të themeluar mbi bashkimin, për të kaluar “nga komunitetet e rrjeteve  shoqërore, tek bashkësia njerëzore”.

 

24 janar 2019, 17:23