Kërko

PANAMA-POPE-WYD PANAMA-POPE-WYD 

Papa, të rinjve të DBR-së: Ju artizanë tё kulturës së takimit, diskreditoni ata qё ndajnё

Papa Françesku hapi DBR-në e Panamasë, me takimin e parë me të rinjtë në Cinta Costera. Të rinjtë kanë bërë shumë sakrifica për të shkuar në DBR-në e Panamasë, për t’u takuar me bashkëmoshatarët e tyre e për të gjetur, në dëshminë e përbashkët, kuptimin e jetës dhe Krishtin, që ua shndërron ekzistencën: kështu tha Papa.

R.SH. - Vatikan

"Ju, të dashur miq, keni bërë kaq shumë sakrifica për t'u takuar dhe kështu ju bëheni mjeshtër tё vërtetë dhe artizanë tё kulturës së takimit. Me gjestet dhe sjelljet  tuaja, me vështrimet, dëshirat dhe mbi të gjitha me ndjeshmërinë tuaj, ju përgënjeshtroni dhe diskreditoni të gjitha ato fjalime që fokusohen dhe angazhohen në krijimin e dasive, përçarjeve, për të përjashtuar dhe dëbuar ata që 'nuk janë si ne'”. Kёshtu tha Papa Françesku duke u folur tё rinjve katolikë tё mbarё botёs mbledhur në Panama për DBR-sё

Kështu, Cinta Costera, bregdeti panamez veçanërisht i vlerësuar nga turistët, pasi mund të admirojnë njëherësh kryeqytetin dhe Oqeanin Paqësor, ishte skenari i ceremonisë së hapjes së Ditës Botërore të Rinisë nga Papa Françesku. Aty ku njerëzit mund të shëtisin ndërmjet parqeve, zonave sportive e tregut piktoresk të peshkut, kësaj radhe, vërshuan nga çdo anë mijëra të rinj, në takimin e tyre të parë me Atin e Shenjtë. 5 të rinj me veshje tradicionale, nga 5 kontinentet e botës, e pritën Papën në Campo Santa Maria la Antigua, për t’i uruar mirëseardhjen, së bashku me kryeipeshkvin e Panamasë, imzot José Domingo Ulloa Mendieta, i cili e përshëndeti, në emër të të gjithëve.

Jo një Kishë më “argëtuese”, por Rrëshajë të reja

 “Dita Botërore e Rinisë – u tha Papa të rinjve, ndër të cilët edhe grupi i shqiptarëve nga Shqipëria e Mali i Zi – është festë gëzimi e shprese për mbarë Kishën, ndërsa për botën, dëshmi e madhe feje”. Shën Pjetri e Kisha ecën me ju, nënvizoi Ati i Shenjtë Bergoglio, që u kërkoi të rinjve të mos kenë frikë e të ecin përpara me energjinë e tyre, “jo për të krijuar një Kishë paralele, pak më ‘argëtuese’ apo ‘cool’”, siç mund të mendohet për një Ditë kushtuar rinisë, përkundrazi. Kisha dëshiron që, me kontributin e të rinjve, të përjetojë Rrëshajë të reja.

Sinodi kushtuar të rinjve frymëzon rrugë të reja

Papa Françesku iu referua Sinodit të fundit kushtuar pikërisht rinisë, duke nënvizuar nxitjen e tij për t’i dëgjuar të rinjtë e për ta dëshmuar Zotin në shërbimin konkret për vëllezërit. “Vijmë nga kultura e popuj të ndryshëm – vërejti Ati i Shenjtë – flasim gjuhë të ndryshme, përdorim veshje të ndryshme. Secili prej popujve tanë ka jetuar histori dhe rrethana të ndryshme. Sa gjëra mund të na ndajnë! Por, asnjëra prej tyre nuk na pengoi të takohemi e të jemi të lumtur së bashku. Kjo është e mundur, pasi e dimë se ka diçka që na bashkon, është Dikush, që na bën vëllezër”.

Të rinjtë, artizanë të kulturës së takimit

Të rinjtë kanë bërë shumë sakrifica për të shkuar në DBR-në e Panamasë, për t’u takuar me bashkëmoshatarët e tyre e për të gjetur, në dëshminë e përbashkët, kuptimin e jetës dhe atë Dikushin, Krishtin, që ua shndërron ekzistencën. Papa nënvizoi se pikërisht të rinjtë, me këtë dëshmi, i zhvlerësojnë të gjitha qëndrimet e fjalët e atyre, të cilët s’bëjnë tjetër, veçse krijojnë përçarje, përjashtojnë e largojnë “ata, që s’janë si ne”. Të rinjtë, vërejti Françesku, e ndiejnë në shpirt se “dashuria e vërtetë nuk i zhduk ndryshimet e ligjshme, por i harmonizon në një bashkim të epërm”, siç pati thënë Benedikti XVI.

Shën Oscar Romero: krishterimi është një Person, një Vetje

Përkundrazi, vuri në dukje Ati i Shenjtë, ati i gënjeshtrës preferon një popull të ndarë e grindavec. Ndërsa, kultura e takimit është ftesë për të pasur guxim e për ta mbajtur gjallë ëndrrën e përbashkët, që përfshin të gjithë. “Ëndërr, që quhet Jezus”, ngriti zërin Papa, duke përmendur shën Oscar Arnulfo Romeron, i cili thoshte: “Krishtërimi nuk është një grumbull me të vërteta për t’u besuar, me ligje për t’u respektuar, ose me ndalime. Parë kështu, ai nuk është aspak tërheqës. Krishterimi është një Vetje, një Person, që më deshi shumë, që e dëshiron dhe e kërkon dashurinë time. Krishterimi është Krishti”.

Dashuria e Jezusit nuk imponohet

Dashuria e Jezu Krishtit, shtoi më tej Papa, është “dashuri që nuk imponohet dhe nuk shtyp; dashuri, që nuk mënjanon dhe nuk hesht; dashuri, që nuk poshtëron dhe nuk nënshtron. Është dashuria e Zotit, dashuria e përditshme, e matur dhe plot respekt, dashuria e lirisë për lirinë, dashuria që shëron dhe lartëson. Është dashuria e Zotit, që i ngjan më shumë rimëkëmbjes sesa rënies, i ngjan pajtimit më shumë sesa pengimit, mundësive të reja më tepër sesa dënimit, të ardhmes më shumë sesa të kaluarës. Është dashuria e heshtur e dorës, që shtrihet në shërbim dhe në dhurimin e vetvetes, pa u mburrur”.

Dashuria, me të cilën Maria i tha “po” Zotit

         Është dashuria, me të cilën Maria i tha “po” Zotit, siç nënvizohet edhe në temën e Ditës Botërore të Rinisë. Zoja, nënvizoi Papa, diti t’i japë jetë ëndrrës së Zotit. Ati i Shenjtë e përfundoi fjalën e tij, duke i ftuar të rinjtë ta mbajnë gjallë këtë ëndërr, “që na bën vëllezër”. Mos e lini zemrën e botës të ngrijë, u kërkoi Françesku të rinjve, e lutjuni gjithnjë Zotit t’ju mësojë të doni, siç ka dashur Ai.

25 janar 2019, 01:30