Kërko

 Papa bisedon me gazetarët Papa bisedon me gazetarët 

Papa me gazetarët: mure kundër emigrantëve, frika na çmend!

Papa gjatë fluturimit drejt Panamasë për DBR-në, njofton se nëntorin e ardhshëm do të shkojë në Japoni. Ndërsa në Irak tani për tani shtegtimi është i pamundur, për shkak të mungesës së sigurisë.

R. SH. - Vatikan

Papa Bergoglio po e kapërcen përsëri Oqeanin Atlantik, ashtu si në shtegtimin e  tij të parë ndërkombëtar, në Brazil, në vitin 2013. Edhe këtë herë për kremtimin e një DBR-je. Në avionin, që po e çon në Panama, i kushton, si zakonisht, disa çaste përshëndetjes me gazetarët e grupit shoqërues, ndërmjet të cilëve - kujton me trishtim e simpati të madhe,  këtë herë mungon Alexei Bukalov, që u nda nga ne pak kohë më parë. Më pas, duke dialoguar për disa çaste me një nga gazetarët, pohon se muret kundër emigrantëve janë pasojë e frikës, që të bën të marrosesh. E njofton edhe se  në nëntor do të shkojë për vizitë në Japoni, ndërsa në Irak tani për tani vizita është e pamundur, për arsye të sigurisë.

Papa i falënderon gazetarët për punën, që i pret. Pastaj i takon një për një për pak çaste, ngarkuar me biseda private, shaka e batuta. Por jo më pak, edhe me biseda serioze, me ndonjë deklaratë, njoftim a koment:

“Do të vij në Japoni në nëntor. Përgatituni!” - Kështu i përgjigjet Françesku një kronisti japonez, që e pyet nëse e ka në plan shtegtimin në vendin e tij.

“Do të dëshiroja të shkoj edhe në Irak, por ipeshkvijtë italianë më thonë se çasti nuk është i sigurt”. Më pas shton me shaka: “Ndoshta e thonë këtë, sepse nuk merren vesh me njëri-tjetrin. E edhe: “Po e  studioj situatën, sepse dëshiroj vërtet të shkoj”.

Marco Clementi, i dërguar i Tg1, i tregon: “Atë i Shenjtë, shkova në Tjuana, në kufirin ndërmjet Meksikës e SHBA-ve, atje ku muri, që po ndërtohet, hyn në det, që të mos mund të kalojë kush as nëpër det”.

Përgjigjet Papa: “Është frika, që të bën të çmendesh”. E shton: “Janë muret e frikës, siç shkruhet në L’Osservatore Romano, në editorialin e Mondës, që është për t’u lexuar”.

Një gazetare spanjolle i dhuron Papës një  skicë të Makkox, që ravijëzon tragjedinë e një fëmije të Malit, ndoshta 10 vjeç, mbytyr gjatë fundosjes së madhe të 2015-tës. Ëndërronte një jetë më të mirë e, kur u gjet trupi i tij i vogël, i pajetë, në xhepin e xhaketës kishte një copë letër, qepur me kujdes: ishte një dëftesë shkollore. Kishte nota shumë të mira e shpresonte se kjo dëftesë do t’i shërbente si lejëkalimi për t’u mikpritur në Evropë. Françesku e shikon vizatimin me fytyrë tejet serioze e u thotë bashkëpunëtorëve ta ruajnë, që të mund ta paraqesë gjatë konferencës së shtypit, në fluturimin e kthimit drejt Romës, të hënën e ardhshme.  

Drejtori ad interim i Sallës vatikanase të Shtypit, Alessandro Gisotti, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pohoi se shtegtimi apostolik i Papës në Japoni, “është në fazë studimi”. Siç ka thënë Ati i Shenjtë edhe në raste të tjera, dëshira e tij për të shkuar në këtë vend është shumë e madhe. Lidhur vizitën në Irak, edhe sipas pohimit të kardinali Pietro Parolin, në kthim nga vizita e tij në Vend, dhjetorin e kaluar, “në këtë çast nuk janë kushtet e përshtatshme për një vizitë të Atit të Shenjtë”.

23 janar 2019, 14:38