Kërko

 Papa në shtegtim,, drejt Panamasë Papa në shtegtim,, drejt Panamasë 

Papa Françesku në avion, drejt Panamasë

Papa Françesku u nis sot paradite për shtegtimin e 26-të ndërkombëtar të papnisë së tij, drejt Panamasë, ku do të marrë pjesë në ngjarjet e mëdha të Ditës së 34-t Botërore të Rinisë. Do të jetë Papa i dytë, që shkon në vendin latinoamerikan, pas Gjon Palit II.

R. SH. - Vatikan 

Papa u nis me një avion të Alitalia-s në orën 09.51 e do të ulet në Panama pas 13 orësh fluturimi, e pikërisht, në orën 16.30 me orën vendase, 22.30 me tonën. Në një tweet Papa u kërkon të gjithëve të luten për këtë ngjarje të madhe, të bukur e të rëndësishme në udhën e Kishës. Para se të largohej nga Vatikani, sot paradite, Ati i Shenjtë u takua, në Shtëpinë e Shën Martës, me një grup prej 8 të rinjsh, refugjatë të kombeve të ndryshme, të pritur nga Qendra Atë Arrupe, në Romë.

Nisja nga aeroporti ndërkombëtar Romë-Fiumicino

Papa u nis nga aeroporti ndërkombëtar Fiumicino i Romës me një Airbus A330. Për ta përcjellë kishin dalë autoritete fetare dhe civile. Me çantën e zezë, të zakonshme, në dorën e majtë, duke u mbështetur me të djathtën në parmakun e avionit, Papa arriti tek porta e, si zakonisht, para se të hynte brenda, përshëndeti dy stuardesat dhe komandantin e fluturimit, të cilët po e prisnin në prag. Së fundi u kthye nga autoritetet e pranishme e, para se të hynte në avion, i përshëndeti buzagaz, me dorë. Pastaj - fluturimi i gjatë mbi dy Kontinente. Shoqëruar me telegrame mirësjelljeje drejtuar presidentëve të vendeve, mbi të cilat kalon avioni në fluturim.

Programi i shtegtimit të Françeskut në Panama për Ditën Botërore të Rinisë

Nesër, takimi i parë i Françeskut, me presidentin e Republikës, Juan Carlos Varela (15,30 orari evropian), dhe fjalimi i parë drejtuar autoriteteve dhe Trupit diplomatik (16,40) e, menjëherë pas, takimi, në kishën e Shën Françeskut të Asizit, me ipeshkvijtë qendroamerikanë (Panama, Costa Rica, El Salvador, Guatemala, Honduras, Nicaragua). Buzë mbrëmjeje Papa do të shkojë në Campo Santa Maria La Antigua, zonë panoramike mbi Kanalin e Panamasë, për të kryesuar hapjen e DBR-së (23,30).

Të premten, 25 janar, pas vizitës në burgun për të mitur (16,30 ora evropiane), Papa  do të kryesojë, në mbrëmje, Udhën e Kryqit me të rinjtë, në  Campo Santa Maria la Antigua (23,30).

Të shtunën, 26 janar, Mesha, me kushtimin e altarit të katedrales- bazilikë Santa Maria la Antigua, me priftërinjtë, rregulltarët dhe lëvizjet shekullare (15,15 në Evropë) e më pas,  dreka me një grup të rinjsh.

Në mbrëmje (pas mesnate), do t’i prijë mbrëmësores me të rinjtë, në Campo San Juan Pablo II - Metro Park.

Të diel, 27 janar, së fundi, Mesha përfundimtare e DBR-së, e kremtuar në orën 8 të mëngjesit, për të shmangur vapën e madhe (ora 14 në Evropë). Së fundi, kardinali Kevin Farrell do të shpallë qytetin e DBR-së së ardhshme. Para se të marrë përsëri udhën e kthimit, Papa do të vizitojë Shtëpinë kushtuar Samaritanit të mirë  e do të takohet me vullnetarët e DBR-së.

Ndërmjet temave, që do të preken më shumë gjatë kësaj dite rinore, besohet se do të jetë ajo mariane, e, jo më pak, tema ekologjike (e lidhur posaçërisht me Sinodin kushtuar Amazonës, tetorin e ardhshëm).

E do të jetë DBR, që synon të japë një sinjal të fortë për paqen  e pajtimin, në një zonë si Qendra e Amerikës, ku ka shumë vuajtje. Programi nuk parashikion ndonjë takim me viktimat e shpërdorimeve.

Deri tani janë regjistruar më se 150 mijë të rinj (30 shqiptarë), numër më i vogël, në krahasim me DBR-të e tjera, por në parkun e Meshës përfundimtare mund të hyjnë deri më 700mijë vetë.

Në grupin, që do ta shoqërojë Papën, do të jenë, ndërmjet tjerësh,  zëvendësi i ri i Sekretarisë së Shtetit, imzot Pena Parra; prefekti i Dikasterit të Komunikimeve vatikanase, Paolo Ruffini; drejtori editorial, Andrea Tornelli; zëdhënësi i Sallës së Shtypit, Alessandro Gisotti dhe  drejtori i “L’Osservatore Romano”, Andrea Monda.

Si zakonisht, në delegacionin papnor do të bëjë pjesë  edhe një punonjës i Vatikanit e, me që shtegtimi i kushohet DBR-së - do të jetë një nga më të rinjtë, që punojnë në Shtetin papnor, më saktësisht, një vajzë e Shërbimeve teknike të Guvernatoratit - si dhe sociologu francez Dominique Wolton, që realizoi, me  Papën, librin intervistë «Zoti është  poet».

Papa pranë periferive ekzistenciale

Takimi me të rinjtë e një burgu për të mitur dhe ai me të rinjtë e sëmurë nga Sida, do të jenë disa nga çastet anësore të DBR-së - por  jo më pak të rëndësishme se takimet e mëdha. Të premten, 25 janar, Papa do të jetë në Qendrën Cumplimiento de Menores Las Garzas de Pacora, ku do të takojë 200 të rinj të burgosur. Me këtë rast, do të rrëfejë disa prej tyre në rrëfyestoret realizuar, si shenjë afërsie me Papën, nga vetë të rinjtë, që nuk mund të marrin pjesë drejtpërdrejt në DBR-në. Të diel, pastaj, vizita në Casa Hogar del Buen Samaritano, fondacion që drejtohet nga Kisha e Panamasë, për të asistuar të rinjtë me kufizime si edhe të prekurit nga Sida. Simbolike, takimet e fundit, pranë periferive ekzistenciale, të një Pape, që mund të quhet edhe Papa i periferive.

23 janar 2019, 13:10