Kërko

 Vizita e Papës në Hogar Buen Samaritano Vizita e Papës në Hogar Buen Samaritano 

Papa në Shtëpinë e Samaritanit të Mirë: gjeste konkrete dashurie, kundër indiferencës dhe frikës

Dashuri për të afërmin përmes gjesteve konkrete e të përditshme, për ta mbajtur larg indiferencën, përbuzjen, frikën nga rreziku i molepsjes. Papa ledhatoi banorët e “Shtëpisë së Samaritanit të Mirë” të prekur nga Sida. Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thirrja për Filipinet, Kolumbinë e Venezuelën.

R. SH. - Vatikan

Hogar del Buen Samaritano - Shtëpia e Samaritanit të Mirë - që sot, rreth orës 10.45(16.45 me tonën) i hapi portat në dy kanata për ta pritur Papën, është fondacion i lindur më 2005, për të asistuar të sëmurët me Sidë. Françesku u takua këtu me të sëmurët, shkëmbeu dy fjalë me secilin e dëgjoi dëshmitë. Ndërmjet tyre, dëshminë: “Këtu u linda përsëri”, e cila  e  preku thellësisht.

“Kjo shtëpi dhe të gjitha  qendrat, që i përfaqësoni - vërejti Françesku -  janë simbol i një jete të re, që Zoti dëshiron të na e dhurojë. Këtu Kisha dhe feja lindin e përtërihen vazhdimisht përmes dashurisë së krishterë. Nisim të lindemi përsëri, kur Shpirti Shenjt na jep sy për të parë të tjerët, e për t’i parë jo vetëm si të afërmit tanë - gjë që gjithashtu vlen shumë - por si njerëzit tanë”.

Kur e patën pyetur: “Kush është i afërmi yt?”, Jezusi nuk u përgjigj “me teori”, as me ndonjë fjalim të bukur e të stërholluar, por, në vend të gjegjes, u propozoi shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë “si shembull konkret i jetës reale”:

“I afërmi është, sidomos, një fytyrë, që e takojmë në kalim, e cila na shkund e na prek. Na shkund nga skemat e interesat tona. E na prek në shpirt, me jetën që  jeton. E kështu i bëjmë vend e i krijojmë hapësirë, në kalim”. Këtë theksoi Papa, duke kujtuar, më pas, se prifti e leviti i shëmbëlltyrës nuk guxuan ta ndihmojnë burrin e plagosur nga cubat. E panë, në kalim, e mbyllën sytë para asaj pamjeje. Ashtu symbyllur, u larguan. Dhe e harruan:

“Indiferenca plagos e vret- vërejti Papa - i afërmi, është, para së gjithash, dikush me fytyrë konkrete, reale, e jo diçka, që mund ta shikosh e të kalosh tutje, duke bërë sikur nuk e pe, pavarësisht nga situata në të cilën ndodhet. Ai tjetri është fytyrë, që na e shqetëson lumturisht jetën, sepse na kujton e na vë për udhën e asaj, që është vërtet e rëndësishme, duke na çliruar nga banalizimi e cektësimi i udhës sonë në ndjekje të Zotit. Të rrish këtu, do të thotë të prekësh fytyrën e heshtur e amtare të Kishës, që është e aftë të krijojë shtëpi, të krijojë bashkësi. Fytyrën e Kishës, që normalisht  nuk shihet e kalon pa u vërejtur, por është shenjë e mëshirës konkrete, e dhembshurisë së Zotit, shenjë e gjallë e lajmit të mirë të ngjalljes, që vepron sot në jetën tonë. Këtu të gjithë lindim përsëri, sepse ndjejmë  ledhatimin e Zotit, që na krijon mundësinë të ëndërrojmë një botë më njerëzore e, prej këndej, edhe më hyjnore.

Së fundi, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa iu lut Marisë. “T’i kërkojmë Asaj - theksoi - që si nënë e mirë është specialiste e dashurisë,  të na mësojë për të qenë  të vëmendshëm, për të zbuluar çdo ditë kush është i afërmi ynë e të na inkurajojë t’i shkojmë menjëherë pranë, t’i ofrojmë një strehë, një përqafim, një vend, ku të mund të gjejë mbrojtje e dashuri vëllazërore”. “Mision ky, që na takon të gjithëve” - nënvizoi fort Papa Françesku!   

Pasi mori dhuratat dhe përshëndetjet nga ana e të sëmurëve të shtëpisë- familje, Françesku bekoi gurin e parë për katër qendra asistence, sipas modelit të Shtëpisë së Samaritanit të Mirë, që do të ngrihen në Xhamajkë, Argjentinë, Paraguaj e akoma, në Panama.

27 janar 2019, 18:03