Mbërritja e Papës Françesku në Panama e programi i ditës së sotme

Avioni Alitalia A330, me Papën Françesku në bord, mbërriti mbrëmë në aeroportin Tocumen të Panamasë, në orën 22.16 evropiane, pas rreth 13 orësh fluturimi. Kështu filloi Udhëtimi i 26-të Ndërkombëtar i Atit të Shenjtë, me rastin e Ditës së 34-t Botërore të Rinisë.

R.SH. - Vatikan

Buzëqeshja është dhurata e parë e Papës Françesku për Panamanë. Pas gati 13 orësh në avion, Papa zbriti, i pritur nga dashuria e mijëra të rinjve - të rinjtë e Papës, siç e thonë ata vetë në kor - dhe nga një erë e ngrohtë, që i merr me vete mantelin. Vendi e përqafon Atin e Shenjtë me flamujt shumëngjyrësh, me një parrullë ku shkruhet se Panamaja e pret Françeskun me gëzim, me muzikë, me vallet e artistëve me kostume tradicionale, por edhe me pafajësinë e tre fëmijëve, që i dhurojnë lule. E përshëndet Papën presidenti i Panamasë, Juan Carlos Varela, gruaja e tij dhe ipeshkvijtë, që i përcjellin Papës lumturinë e një populli të vogël, larg nga reflektorët e plot kontradikta: periferi e botës, ku Ati i Shenjtë dëshiron të jetë i pranishëm, por ku, sidomos çon shpresën e Krishtit dhe dashurinë e Zotit. Si zakonisht, me natyrshmërinë e tij, Papa iu afrua njerëzve, shtrëngoi duar e puthi fëmijë, duke u zhytur në entuziazmin e të pranishmëve.

Gati për përqafimin e të rinjve

Pas mikpritjes zyrtare, transferimi në Nunciaturën Apostolike. 28 kilometra rrugë plot zhurmë, sepse të rinjtë nga e gjithë bota duan që Papa t’i dëgjojë, t’i përforcojë në fe e të ulet bashkë me ta nën nën mantelin e Marisë, sepse kjo DBR është festë e besimit në Zojën e Bekuar, me moton: “Ja, shërbëtorja e Tënzot, u bëftë mbi mua si është fjala jote!”. Ndër 150 mijë të rinjtë e regjistruar në këtë DBR, shumica janë argjentinas (rreth 2 mijë). E siç ju kemi njoftuar, këtu ka ardhur edhe një grup shqiptarësh nga Shqipëria e nga Mali i Zi.

Dita e sotme, e enjte

Papa Françesku është i dyti, që viziton Panamanë, pas Shën Gjon Palit II, i cili shkoi në këtë vend në mars 1983. Sot, Ati i Shenjtë do të pritet zyrtarisht në Pallatin Presidencial, i njohur si "Las Garzas", shpendë të shumtë në këtë zonë. Menjëherë pas, do të shkojë në Pallatin Bolivar për takimin me autoritetet, Trupin Diplomatik dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Këtu Papa do të mbajë fjalimin e parë. Pastaj, në Kishën e Shën Françeskut të Asizit, përqafimi me ipeshkvijtë e Amerikës Qendrore, anëtarë të SEDAC, Sekretariatit Ipeshkvnor të Amerikës Qendrore, ku përfshihen Konferenca Ipeshkvnore e të Panamasë, e El Salvadorit, e Kosta Rikës, Guatemalës, Hondurasit, Nikaraguas. Pas kthimit në Nunciaturë dhe drekës, do të mbahet ceremonia e hapjes së Ditës Botërore të Rinisë me Papën, në Campo Santa Maria La Antigua në Cinta Costera, udhë sugjestive, që kalon përgjatë gjirit para Oqeanit Paqësor. Këtu mund të mblidhen deri në 400 mijë besimtarët e këtu do të mbahen veprimtaritë kryesore të DBR-së si lutja e mbrëmjes, të premten, dhe mesha përfundimtare e Takimit Botëror Rinor.

24 janar 2019, 13:42