Cerca

Vatican News
Papa Françesku hap App-in "Click to Pray" Papa Françesku hap App-in "Click to Pray"  (ANSA)

Papa Françesku hap një App për t’u lutur: “Click to pray”

Me një klikim në Ipad, Papa Françesku hapi profilin personal në App-in “Click to pray”, në prag të Ditës Botërore të Rinisë, në Panama.

R.SH. - Vatikan

Ftesë drejtuar të rinjve, atyre që e kalojnë shpesh kohën në internet, atyre që dëshirojnë të luten së bashku. Dje, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku paraqiti platformën zyrtare të Rrjetit Botëror të Lutjes. Është një App e quhet “Click to pray”. Me një Ipad në dorë, përkrah drejtorit ndërkombëtar të Rrjetit botëror, atë Federic Fornos, Ati i Shenjtë, që ka deklaruar shpesh se nuk merr vesh dhe aq nga interneti, kësaj radhe, me një klikim, përuroi App-in ku përfshihet edhe profili i tij personal e ku do të botohen ndjetet e lutjes së tij dhe kërkesat e lutjes për gjithë Kishën. Faqja, që shërben si pikë referimi, është “clicktopray.org”, në gjashtë gjuhë të ndryshme (spanjisht, anglisht, italisht, frëngjisht, portugalisht, gjermanisht).

Interneti e mediat shoqërore, pasuri për lutjen e përbashkët

         Papa Françesku kujtoi se këtë javë do të publikohet Mesazhi për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore, reflektim i Atit të Shenjtë për bashkësinë e internetit e për bashkësinë njerëzore. Në të do të nënvizohet se interneti e mediat shoqërore janë “pasuri e kohës sonë; rast për t’u lidhur me të tjerët, për të ndarë me ta vlera e projekte e, për të shprehur dëshirën e pjesëmarrjes në bashkësi. Rrjeti mund të na ndihmojë edhe të lutemi së bashku”.

Click to Pray

Platforma në web ka tre seksione kryesore: “Lutu me Papën”, me ndjetet papnore për lutjen mujore; “Lutu çdo ditë”, që i shoqëron internautët në lutjen e përditshme në tri çastet kryesore të saj (mëngjes, pasdite e mbrëmje); si edhe “Lutu në rrjet”, hapësirë në të cilën secili mund të shkruajë lutjen e vet e të lutet për të tjerët. Profili personal i Papës Françesku ndodhet pikërisht në këtë seksion të fundit (https://www.clicktopray.org/it/user/papafrancesco). App-i “Click to pray” mund të përdoret si nga sistemi Android, ashtu edhe nga Ios. Ai, së bashku me faqen e internetit, është edhe platforma zyrtare e Ditës Botërore të Rinisë, që do të mbahet në Panama nga data e nesërme deri më 27 janar. Për këtë ngjarje të veçantë, platforma ka një seksion të veçantë shumëmedial për lutjen e meditimin e Rruzares së Paqes.

Rrjeti botëror i Lutjes së Papës

         Misioni i Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës është lutja e përbashkët me gjithë Kishën. Themeluar më 1844 si Apostullim i Lutjes, është i pranishëm në 98 vende. Në të marrin pjesë më se 35 milion katolikë. Dega rinore e tij është Lëvizja Eukaristike Rinore.

21 janar 2019, 13:14