Kërko

Alexej Bukalov (foto © TASS) Alexej Bukalov (foto © TASS) 

Papa mallëngjehet kur kujton gazetarin Bukalov

Gjatë përshëndetjes me gazetarët, në avionin që po e çon në Panama, Papa Françesku kujtoi humanizmin e korrespondetit të agjencisë ruse Tass, i cili ndërroi jetë para pak kohe.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku gjatë fluturimit në avionin drejt Panamasë, përshëndeti gazetarët duke kujtuar korrespondentin e agjencisë ruse Tass në Romë, Aleksei Bukalov. Drejtori editorial i Dikasterit të Komunikimit, Andrea Tornielli, në avion me Papën rrëfen:

 “Njeri me humanizëm të madh”, i aftë të bëjë sinteza me stilin e Dostojevskit. Me këto fjalë e me mallëngjim, Papa Françesku përshëndeti gazetarët në avionin drejt Panamasë, duke kujtuar korrespondentin e agjencisë ruse Tass në Romë, Aleksei Bukalov, veteran i udhëtimeve papnore. Bukalov, që e ndoqi Atin e Shenjtë deri në udhëtimin e fundit papnor, ndërroi jetë më 28 dhjetorin e kaluar, në moshën 78 vjeçare.

Pasi falenderoi gazetarët në avion për punën e madhe, që do të bëjnë ditët e ardhshme në Panama, Papa Bergoglio  shtoi, me zërin e ndryshuar nga emocioni: “Sot, është fluturimi i parë në të cilin mungon një kolegu juaj, që e doja fort, Aleksei Bukalov, i agjencisë Tass”.

 “Ishte njeri me humanizëm të madh – vijoi Françesku. – Humanizëm, që nuk ka frikë nga njerëzorja, edhe nga ajo e nivelit më e ulët, e, nga Hyjnorja e majave më të larta. Njeri i aftë të bëjë sinteza me stil dostojevskian”.

 Papa u kërkoi pastaj, të gjithëve, të mbanin një minut heshtjeje në kujtim të gazetarit rus dhe në fund, tha lutjen “Ati ynë”. Gazetarët e pritën me duartrokitje homazhin e Atit të Shenjtë për kolegun e tyre.

Para përshëndetjes, organizatori i udhëtimeve papnore, imzot Mauricio Rueda Beltz, paraqiti drejtorin e përkohshëm të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, në udhëtimin e tij të parë në këtë detyrë të re.

23 janar 2019, 12:40