Kërko

Audienca e përgjithshme e Papës: Dita e 34-t Botërore e Rinisë, në kujtimet dhe rrëfimin e Atit të Shenjtë

Gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, Papa Françesku ia kushtoi katekizmin shtegtimit apostolik në Panama, me rastin e DBR-së XXXIV të sapopërfunduar, me temë “Ja, shërbëtorja e Tënzot, u bëftë mbi mua fjala jote!”.

R. SH. - Vatikan

“Derisa të ketë brezni të reja, të afta për t’i thënë 'ja ku jam', Zotit, do të ketë edhe të ardhme për botën”: DBR-ja e Panamasë ishte për mbarë njerëzimin “shenjë kundër rrymës”. Iu kundërvu fuqimisht prirjes së trishtë “për nacionalizma, që shkaktojnë konflikte, ndërtojnë mure e ia mbyllin shtigjet universalitetit, takimit ndërmjet popujve”.

Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, Papa Françesku rikujtoi çastet më prekëse të DBR-së së Panamasë, ato, që mbeten përgjithnjë në kujtesë. Ishte një shtegtim plot me takime prekëse, të frytshme. Me  autoritetet, me ipeshkvijtë, me të rinjtë e burgosur, rregulltarët e banorët e një shtëpie- familje”. Vetëm gjashtë ditë, në të cilat gjithçka dukej e pushtuar nga gëzimi i rinisë, e shkrirë me harenë, që shpërthente në të katër anët. Nuk ishte vetëm festa e të rinjve, por e gjithë Panamasë, madje, e mbarë Amerikës Qendrore, plot me drama, por edhe me etje për shpresë.

Gjatë katekizmit, Papa kujtoi posaçërisht fëmijët e shumtë, që prindërit i ngrinin lart, si të donin të thoshin; “Ja, krenaria ime!”, “Ja, ardhmëria ime!”. “Sa dinjitet në këtë gjest - theksoi Françesku - e sa shprehës, për dimrin demografik, që po jetojmë në Evropë, sepse siguria për të ardhmen, janë pikërisht fëmijët”.

Simfoni fytyrash e gjuhësh  

Në një botë, ku tepër shpesh kanë epërsi “nacionalizmat e ngarkuara me konflikte”, të shikosh si takohen turma gazmore të rinjsh, sumfoni e vërtetë fytyrash e gjuhësh, është me të vërtetë shenjë profetike. Të rinjtë,  që parakaluan në Panama me flamujt e tyre, ashtu si të gjithë të rinjtë e krishterë - saktësoi Bergoglio - “janë tharm i paqes në botë”. Papa kujtoi, më pas, se DBR-së i parapriu “takimi i të rinjve të popujve indigjenë e afroamerikanë, nismë e rëndësishme, që i tregoi edhe një herë botës fytyrën shumëformshe të Kishës në Amerikën Latine”.

Në shkollën e Kryqit

Papa i rikujtoi, një pas një, me emocion të thellë, etapat e DBR-së: posaçërisht, Udhën e Kryqit, “shkollë e jetës së krishterë, ku mësohet  dashuria durimtare, e heshtur, konkrete”. E në vijim u tregoi të pranishëmve se mban gjithnjë me vete një “Udhë Kryqi xhepi”, dhuratë e një njeriu shumë apostolik, në Buenos Aires, dhe se e përshkon vazhdimisht këtë Udhë, pas Zotit:

“Në Panama  të rinjtë mbartën, me Jezusin e Marinë, barrën e gjendjes së shumë vëllezërve e motrave të vuajtura në Amerikën Qendrore e në mbarë botën. Barrën e të rinjve, viktima të formave të ndryshme të skllavërisë e të varfërisë. E këtë kuptim patën edhe çaste të tjera, shumë domethënëse, si Liturgjia pendestare, që kremtova në Shtëpinë e riedukimit për të mitur si dhe vizita në shtëpinë-familje të ‘Samaritanit të Mirë’, që mikpret të sëmurë nga sida”.

Maria, “influencer”- “ndikuese” pranë Zotit

Gjatë mbrëmësores dhe Meshës - vijoi Papa - u propozova të rinjve si shembull për t’u ndjekur Marinë, që “në vogëlsinë e saj, ndikoi më shumë se askush tjetër mbi historinë e botës: influencer e vërtetë  pranë Zotit”:

“Mëngjesin e së dielës, në kremtimin e madh eukaristik përfundimtar, Krishti i Ngjallur, me forcën e Shpirti Shenjt, u foli përsëri të rinjve të botës, duke u bërë thirrje ta jetojnë Ungjillin në të sotmen, sepse të rinjtë nuk janë ‘e nesërmja’, eh? Jo! Janë  ‘e sotmja’, ‘për nesër’. Janë e sotmja, e tashmja e Kishës dhe e botës. E u bëra thirrje për përgjegjësi edhe të rriturve, që breznive të reja të mos u mungojë shkollimi, puna, bashkësia, familja. E ky është kyçi, në këto çaste që jeton bota, sepse janë pikërisht këto gjëra që mungojnë. Arsimimi, domethënë, edukimi. Puna: sa e sa të rinj janë pa të. Bashkësia: që ta ndjejnë veten të mikpritur, në familje, në shoqëri”.

Fekonditet i ri, për dishepujt e Krishtit

Papa Françesku kujtoi edhe takimin me të gjithë ipeshkvijtë e Amerikës Qendrore, “një çast i posaçëm ngushëllimi”, gjatë të cilit u vu fort theksi mbi dëshminë e ipeshkvit Oscar Romero. Pastaj, kushtimi i altarit të Katedrales së restauruar të Santa Maria La Antigua “simbol i rigjetjes së bukurisë, për lumni të Zotit e për fenë dhe festën e popullit të tij”.

“Uroj - tha Papa - që familja e Kishës, në Panama e në mbarë botën, të thithë gjithnjë nga Shpirti Shenjt fekonditet të ri, që kështu të mund të vijojë të përhapë mbi tokë shtegtimin e të rinjve dishepuj misionarë të Jezu Krishtit”.

30 janar 2019, 13:02