Kërko

Papa Françesku, në takimin me ipeshkvijtë e Kilit Papa Françesku, në takimin me ipeshkvijtë e Kilit 

Audiencat e sotme dhe veprimtaria e ardhshme e Papës Françesku

Takimi me ipeshkvijtë anëtarë të Komitetit të Përhershëm të Konferencës Ipeshkvnore të Kilit dhe me autoritete të tjera kishtare e civile, karakterizuan ditën e sotme të Papës Françesku. Më 2 shkurt, do të kremtojë meshën për Ditën e Jetës rregulltare.

R.SH. - Vatikan

Sot, në orën 11.00, Papa Françesku priti ipeshkvijtë anëtarë të Komitetit të Përhershëm të Konferencës Ipeshkvnore të Kilit (imzot Santiago Jaime Silva Retalames, Ordinar Ushtarak për Kilin; Kryetar i KOnferencës Ipeshkvnore të Kilit, me: imzot René Osvaldo Rebolledo Salinas, kryeipeshkëv i La Serena, Zv.kryetar; kard. Ricardo Ezzati Andrello, kryeipeshkëv i Santiagos së Kilit; imzot Juan Ignacio González Errázuriz, ipeshkëv i San Bernardos; imzot Luis Fernando Ramos Pérez, ipeshkëv titullar i Tetci, Administrator Apostolik i “sede vacante et ad nutum Sanctae Sedis” në Rancagua, Sekretar i përgjithshëm).

Një notë në faqen e internetit të Konferencës Ipeshkvnore të Kilit shpjegon: “Kjo audiencë, kërkuar nga Konferenca Ipeshkvnore pas asamblesë së përgjithshme të nëntorit 2018, synon ta informojë Atin e Shenjtë për udhën e bërë nga Kisha në Kili, pas takimit të majit, në Vatikan, me ipeshkvijtë kilianë. Me frymën e bashkimit e të bashkëpunimit me Papën, ipeshkvijtë do t’i paraqesin proceset e realizuara dhe ato në vijim e sipër, impenjimet dhe parashikimet për të ardhmen”. Nesër bie njëvjetori i Udhëtimit Apostolik të Papës Françesku në Kili (15-18 janar 2018).

Audienca të tjera

Po sot, Papa Françesku priti Vëzhguesin e përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, në Nju Jork, dhe pranë Organizatës së Shteteve Amerikane, imzot Bernardito Auza; Vëzhguesin në selinë e OKB-së në Gjenevë, imzot Ivan Jurkovič; kryetaren e Senatit Italian, senatoren Maria Elisabetta Alberti Casellati, me bashkëshortin; ambasadorin e Turqisë, z. Mehmet Paçaci, që e përshëndeti Papën para se të linte detyrën në Vatikan; Sekretarin e përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, imzot Stefano Russo, ipeshkëv i Fabriano-Matelica.

Meshë e Papës për Ditën e Jetës Rregulltare

Ndërkaq, Zyra e Kremtimeve Liturgjike njofton se Papa Françesku do të kremtojë meshën në Ditën e Jetës rregulltare, të shtunën, më 2 shkurt, në orën 17.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Dita e Jetës rregulltare kremtohet në festën e Paraqitjes së Zotit në Tempull, apo në festën e Zojës së Qirave, siç njihet në popull.

Më 18 janar, paraqitet udhëtimi i Papës në Panama

Më 18 janar, njofton Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, do të paraqitet Udhëtimi Apostolik i Papës Françesku në Panama, me rastin e Ditës së 34-t Botërore të Rinisë, që do të mbahet nga 23 deri më 28 janar. Takimi ndërmjet gazetarëve dhe drejtorit të ri të Sallës së Shtypit, Alessandro Gisotti, do të jetë në orën 13.

14 janar 2019, 13:27