Kërko

Papa me emigrantët Papa me emigrantët 

Papa Françesku: “lëvizjet e njerëzve, me gjithë sfidat e vuajtjet, po i pasurojnë bashkësitë”

Papa Françesku vë sërish theksin mbi përvojën dramatike të emigracionit, në një libër të sapobotuar, duke e parë atë në këndvështrimin e Shkrimit Shenjt.

R.SH. - Vatikan

“Udhëtimi i emigrantëve - shkruan në parathënien e librit “Dritë në udhët e shpresës” – nuk është gjithnjë përvojë e lumtur. Megjithatë, edhe në këtë rast, nuk mungojnë mundësitë për t’i zgjidhur problemet, siç ndodh për Jozefin e vogël, birin e Jakobit, që shitet si skllav nga vëllezërit xhelozë, por në Egjipt bëhet i besuari i faraonit”.

Në këtë libër përmblidhen mësimet magjistrale të Atit të Shenjtë mbi emigrantët, refugjatët dhe trafikun e njerëzve, që nga fillimi i papnisë e deri në fund të vitit 2017. “Ka eksode dramatike refugjatësh – shkruan në parathënie Papa – eksperiencë, që e provoi vetë Jezu Krishti, së bashku me prindërit e vet”.

“Ashtu si historia njerëzore, historia e shëlbimit karkaterizohet nga lëvizje të ndryshme – emigracione, dëbime, ikje, eksode – të gjitha, të motivuara nga shpresa për një të ardhme më të mirë, diku tjetër. E ashtu siç bëjmë kur kjo lëvizje nxitet me qëllime kriminale, si në rastin e trafikut, nuk duhet të lejojmë të na e vjedhin shpresën e çlirimit e të mëkëmbjes”. Së fundi, Papa nuk harron të vërë në dukje se “edhe sot, lëvizjet njerëzore, pavarësisht se sjellin vuajtje e sfida, po i pasurojnë bashkësitë tona, Kishat lokale dhe shoqëritë e çdo kontinenti”.

17 janar 2019, 12:59